Përplasje turmash kundër Veliaj apo duel i heshtur mes Tahirit dhe Veliajt?
Brenda dy ditëve Saimir Tahiri gjen mënyrën ligjore që t’i thotë indirekt Erion Veliajt se nuk është me praktikën e tij se si e administron Tiranën. Dje me bashkimin me protesten e banorëve të kombinatit kundër Veliajt për mbifaturimin e ujit nga UKT dhe sot me një gjetje fine për ndërtimin e bashkisë tek liqeni.
Edhe sot ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dha një tjetër shembull për t’u distancuar nga Erion Veliaj dhe plani i tij për të mbrojtur me çdo kusht ndërtimin te Parku i Liqenit Artificial. Tahiri thotë se është e patolerueshme të reagohet me dhunë kundër protestuesve, sidomos ndaj një gruaje. Ai thotë se është i dënueshëm edhe sulmi ndaj uniformës së policisë, por bën të ditur se efektivi i policisë që u filmua nga lapsi.al duke qëlluar një grua protestuese, është pezulluar nga detyra.
“Eshte e papranueshme te sulmohet uniforma e Policise se Shtetit, qofte edhe nga nje grua, por absolutisht edhe me e papranueshme dhe e patolerueshme te reagohet fizikisht, sidomos ndaj nje gruaje. Kam kerkuar pezullimin e menjehershem te punonjesit e policise dhe lirimin e tij nga detyra. Policia qe duam nuk mund te jete kjo qe na treguan pamjet e konfliktit mes punonjesit te policise dhe nje qytetareje. Cdo punonjes policie duhet ta dije kete dhe kushdo e harron nuk do te tolerohet ne asnje rast e per asnje arsye”, shkruan Ministri Tahiri në Facebook.
Policia u thirr nga Bashkia e Tiranës për t’i ardhur asaj në ndihmë të mbrojë rrethimin e vendit ku Erion Veliaj ka parashikuar të ndërtojë një kënd lojërash dhe një lokal, që sipas shoqërisë civile dhe opozitës është i një miku të kryetarit të Bashkisë. Me reagimin e tij, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, jo vetëm u distancua nga dhuna e policisë, por edhe nga vendimi i Veliajt për ta mbrojtur qoftë edhe me dhunë rrethimin e zonës.
Një ditë më parë Tahiri u filmua duke protestuar me disa qytetarë në Kombinat kundër mbifaturimit të ujit të pijshëm nga Ujësjellësi i Tiranës, që është në vartësi të Veliajt. Fill pas kësaj Veliaj premtoi se faturat abuzive do të anullohen. Diçka ka ndodhur mes tyre, pasi gjestet e ministrit janë spektakolare ligjore e populiste, gjë për të cilën mbetet mjeshtër Saimir Tahiri.
Dy ditë me parë kryeministri Rama nga Korça theksoi se ministri Saimir Tahiri është ministri më i mirë i këtyre 25 viteve, duke i dhënë një vlerësim të hapur publik, siç edhe dihet se ishte Edi Rama që vitin e kaluar vendosi për Erion Veliajn në krye të bashkisë së Tiranës.
Tani po vjen edhe kongresi i 19 marsit të PS-së dhe “ujërat” i ka trazuar në oborrin e selisë së PS-së Ben Blushi e ku dihet se Tahiri mbetet mik me Blushin, kurse Veliaj armik i madh i rivalit të Rames, pra Ben Blushit.
A mos po përplasin “brirët” Tahiri me Veliajn për të zënë vendin afër Edi Ramës në PS apo thjesht ishin dy incidente rastësore që i bënë të qëndrojnë, njeri përballë popullit e tjetri me popullin?