Përse nuk u shpall gjendja e jashtëzakonshme nga kryeministri Rama?
Përmbytjet e këtij viti nuk kanë goditur zona të veçanta, por thuajse gjithë vendin. 48 orë pas nisjes së reshjeve, nuk ka qark të vendit që të mos ketë probleme të rënda nga reshjet. Deri në orët e vona të së premtes numërohen dy viktima. Mbi 3 mijë familje janë evakuar nga banesat dhe mijëra të tjera ndodhen të rrezikuara nga çasti në çast. Dëmet materiale janë ende të pallogaritshme. Ndërkohë sinoptikanët thonë se më e keqja ende nuk ka kaluar. Sot dhe nesër pritet kulmi stuhisë që ka përfshirë gjithë rajonin, por që në Shqipëri duket se po shkakton më shumë dëme se kudo tjetër.
Edhe pse jemi në situatën më kritike të viteve të fundit, me një mot të çmendur dhe gjithë Shqipërinë nën ujë, ende nuk është shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme. Gjendja e Jashtëzakonshme nuk është thjesht një term teknik në përballimin e emergjencave, por nënkupton dhe një nivel më të lart mobilizimi të shtetit për përballimin e situatave. Kushtetua dhe ligjet e tjera sanksionojnë se gjendja e jashtëzakonshme shpallet për një situatë ekstreme që rrezikon jetën dhe pronat e qytetarëve, në gjithë territorin, ose në një territor të veçantë. Përmbytjet kanë zaptuar gjithë vendin dhe me përkeqësimin që pritet të ndodh në orët në vijim qeveria nuk duhet të kishte humbur kohë për të shpallur nivelin më të lartë të emergjencave civile.
Por cilat janë arsyet se përse qeveria nuk e merr një vendim të tillë? Në rast të miratimit të një vendimi të tillë, ligji e detyron qeverinë jo vetëm për përballimin e situatës, por edhe për zhdëmtimin e të gjitha pronave dhe kompensimin e dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve. Për shkak të dëmeve të pallogaritshme në miliona euro që përmbytjet kanë shkaktuar vetëm në disa zona, qeveria i druhet një fature të kripur që mund të paguajë më vonë. Nga ana tjetër, Gjendja e Jashtëzakonshme detyron gjithë institucionet shtetërore dhe private që të veprojnë në mënyrë më të koordinuar për përballimin e situatës. Gjithashtu i jep mundësi qeverisë që të kërkojë ndihma për përballimin e situatës nga vendet e tjera.
Ndërkohë qeveria po e menaxhon situatën me Komitetin e Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, një institucion në varësi të Këshillit të Ministrave, i cili funksion për emergjencat civile. Realisht institucionet janë vënë në lëvizje. Gatishmëria e ministrive, prefekturave, policive dhe çdo segment shtetëror ka qenë e plotë këto orë. Duhet të jemi realist, por një situatë e tillë nuk mund të përballohet vetëm me aksionet e Policisë së Shtetit dhe strukturave të pushtetit vendor. Ngjarje të tilla kërkojnë që jo vetëm të merren masa për të shpëtuar jetën e njerëzve dhe pronën, por edhe përgjegjësi për faturën e dëmeve. Prioritet është jeta e njerëzve, por në fund ato mijëra familje që janë përmbytur kanë nevojë dhe për dëmshpërblim. Në jo pak raste, si te përmbytja e autostradës, faji nuk ishte i qytetarëve që humbën pasurinë, por i vetë qeverisë vendore dhe qendrore.