Petrit Vasili: Kush vjedh për Rilindjen futet në listën e saj! SPAK bëj detyrën!
Kryesore E Mërkurë, 10 Mars 2021 12:46
Nga Petrit Vasili:
Kush vjedh për Rilindjen futet në listën e saj! SPAK bëj detyrën!!
Edi Rama me moton #kushvjedhpërRilindjenështënëlistë
ka përfshirë në listën e rilindjes si kandidatë për deputetë të gjithë ministrat, ish-ministra e sekretarë të përgjithshëm pjesë e aferës 400 milionshe të inceneratorëve.
SPAK aq i rrufeshëm për të hetuar çështje nga më minoret e të parëndësishmet ka qepur gojën përpara denoncimit të LSI për aferën e inceneratorëve. Po ja kujtojmë sërish SPAK-ut faktet shumë të rënda, për t’ja ndriçuar memorjen dhe për t’i kujtuar përgjegjësinë.
Së pari: SPAK ka detyrimin të çojë përpara drejtësisë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që rrëmbeu autoritetin dhe asgjësoi Këshillin Bashkiak dhe dha miratimin për një projekt korruptiv, që zgjat plot 30 vjet, duke shkelur ligjin për pushtetin vendor, i cili thotë qartë që vendimet që lidhen me buxhetin e bashkisë, merren vetem nga Këshilli Bashkiak me shumicën e 3/5. Kjo aferë kaq e qartë dhe ky dhunim i ligjit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk mund të kapërcehet, nuk mund të anashkalohet. Është pikërisht përpara syve të te gjithe qytetarëve dhe përpara syrit të SPAK.
Se dyti: SPAK ka detyrimin që të çojë para përgjegjësisë deri në një, Kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të cilët përbuzën dhe kapërcyen edhe mbi opinionin kundër të Ministrave të Financave dhe të Drejtësisë duke miratuar aferën 400 milionëshe. Qeveria asgjësoi vetveten, vetëm në emër të korrupsionit.
Së treti: SPAK ka detyrimin të çojë përpara drejtësisë ministrin që u zotua me shkrim se kjo aferë nuk do të kishte detyrime buxhetore, nuk do të dilnin para’ nga buxheti i shtetit përkundrazi do fitoheshin ndërsa në të vërtetë dolën dhjetëra e qindra milionë euro.
Së katërti: SPAK ka detyrimin të çojë përpara drejtësisë qeverinë, që miratoi zbatimin e projektit, që i takonte të gjithë qarkut të Tiranës, ku bëjnë pjesë 5 bashki, duke u bazuar vetëm në miratimin e paligjshëm, individual dhe personal të Erion Veliaj. .
Së pesti: SPAK ka detyrimin duhet të çojë përpara drejtësisë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe Qeverinë, që në funksion të këtij projekti korruptiv qeveria ka parashikuar që kompanisë t’i paguhen edhe sasia e plehrave të paprodhuara. Pra qytetarët e Tiranës, do të paguajnë dhe për plehra që nuk ekzistojnë. Pra u prodhuan, s’u prodhuan mbeturinat, banorët duhet të paguajnë kompaninë e qeverisë.
SPAK bëj detyrën, zbato ligjin. Qeveria dhe qytetarët janë të barabartë përpara ligjit.
SPAK këtë presin shqiptarët nga ti!!