Petrit Vasili: Kushtetuta, që fundosi Kryeministrin
Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili shprehet se pas pranimit nga Edi Rama se propozoi një gjeneral për ministër është faktuar dhe shkelja e kushtetutës nga kreu i qeverisë.
Postimi i plotë i Petrit Vasilit në Facebook:
“Kryeministri është sot në pozitën më të keqe në raport me ligjin që ndonjë Kryeministër mund të ketë patur ndonjë herë.
Shkelja flagrante e kushtetutës, e kryer në rastin e gjeneralit të emëruar zv.ministër i Brendeshëm është tanimë një provë shumë rëndë dhe pa asnjë alibi. Kryeministri i qorruar nga psikomania e karriges se, pushtetit, abuzues arrogant me ligjin, i varfër në konceptet e respektit ndaj shtetit ligjor,vulgar dhe profan në arsyetimin politik të situatave kritike, që vendi kalon, tashmë ka rënë plotësisht në batakun e paligjshmërisë.
Streha e fundit e arrogancës është paligjshmëria, e cila është edhe paradhoma e dënimit të pashmangshëm prej ligjit.
Kryeministri e ka shkelur kushtetutën, e ka shpërdoruar detyrën e ka nëpërkëmbur ligjin ndaj do të përgjigjet pa asnjë diskutim, ligjërisht për këtë.
Koha e fituar nga mbrojtja që i siguron një prokurori e kapur nuk shërben për asgjë, pasi dënimi është i pashmangshëm dhe i afërt.
Tanimë ky kryeministër ka kaluar dhunshëm vijën e kuqe të detyrimit të zbatimit të kushtetutës dhe ligjit. Ndaj emërimi antikushtetues i gjeneralit si zv.ministër megjithëse ishte ditë e keqe për dhunimin e kushtetutës, ishte njëherazi ditë e mirë për të qartësuar për këdo dhunimin e kushtetutës nga ky Kryeministër”.