Petrit Vasili: LSI e gatshme të fillojmë diskutimin.Votojmë,por me konsensus
LSI ka qenë që në fillim për dialog politik dhe gjetjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi.Pas publikimit të draftit final të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, LSI kërkon dialog politik mes palëve për finalizimin e kësaj reforme.
Kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili, tha se nuk duhet humbur më kohë për arritjen e një drafti konsensual me të cilin të shkohet në Parlament.
Deklarata për mediat e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili
Sot jemi në këtë komunikim së bashku për një zhvillim kyç do të thosha, në procesin e Reformës në Drejtësi dhe pikërisht që lidhet me ardhjen e opinionit, thuajse përfundimtar të Komisionit të Venecias, lidhur me draftin e dërguar atje, sikurse edhe të gjithë mendimeve të tjera dhe propozimeve alternative, që u konsultuan në Komisionin e Venecias.
Është besoj një moment shumë i rëndësishëm, pasi tanimë kemi të qartë opinionin e një institucioni me një prestigj të padiskutueshëm, siç është Komisioni i Venecias, por edhe të një institucioni i cili është gjerësisht i pranuar nga e gjithë politika shqiptare, si gjykuesi më i mirë i punës së bërë dhe i shqetësimeve që kanë dalë lidhur me Reformën në Drejtësi.
Sigurisht, me ardhjen e këtyre opinioneve procesi hyn në një fazë të re, shumë të rëndësishme, por njëkohësisht edhe shumë intensive, pasi tani pa asnjë hezitim, pse jo pa humbur asnjë minutë kohë, do të duhet që të fillojë intensivisht nga puna Komisioni i Posaçëm i ngritur për Reformën në Drejtësi.
Dhe në tryezën e këtij komisioni, që ka një përfaqësim nga të gjitha forcat politike kryesore parlamentare, të diskutohet gjerësisht dhe të arrihet në përgatitjen e një drafti konsensual, që do të na çonte në sallën e Parlamentit me një produkt të konsoliduar, të gjithëpranuar, i cili tanimë ka edhe një rrugë udhëheqëse ku ai ecën në përgatitjen e tij, pasi ka gjithë opinionin e gjerë dhe të detajuar të Komisionit të Venecias, që si asnjëherë më parë, është impenjuar shumë seriozisht dhe në thellësi për ta asistuar reformën tonë në mënyrë të veçantë në planin kushtetues.
Ndaj duke pasur parasysh, që të gjitha forcat politike kanë shprehur një vullnet të qartë për të bërë reformën në drejtësi, kemi pasur dhe kemi edhe produktin në dorë të një udhëheqësi profesionalisht të nivelit më të lartë, siç ka qenë Komisioni i Venecias.
Dhe së treti, që është dhe më kryesorja, kemi të gjithë detyrimin ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që e kërkojnë këtë reformë në drejtësi. Pra, nuk kemi më kohë për të humbur dhe për të ulur në tavolinë dhe për të ndërtuar atë dialog politik, që i lexon të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias në mënyrë të paanshme, në të mirë të një reforme në drejtësi solide, që shkon përtej interesave të vogla dhe të ngushta politike, por që ndërton më së fundmi, atë reformë në drejtësi dhe atë sistem drejtësie, që shqiptarët duan, të ndryshëm nga ai sistem drejtësie me të cilin duam të ndahemi.
Ndaj çdo minutë kohe duhet përdorur për të arritur sa më parë një draft konsensual, që i hap rrugën pas miratimit të tij dhe punës së madhe dhe të gjerë, të gjithë akteve dhe ligjeve të tjera që do të pasojnë, të cilat janë edhe ato në vetvete një proces i gjerë dhe i komplikuar, por që i jep jetë në tërësi reformës në drejtësi.