Petrit Vasili: LSI kërkon që koncesionet patjetër të miratohen në Parlament
Kreu i grupit të deputetëve të LSI, Petrit Vasili, në një konferencë të mbajtur sot për mediat sqaroi projektligjin e propozuar nga kjo forcë politike për koncesionet.
Vasili tha se projekti synon rregullimin koncesioneve dhe ka si qëllim bërjen e transparencës. Sipas tij, koncesionet kryen me paratë e taksapaguesve dhe duhet të kalojnë për miratim në Parlament.
Një tjetër pikë që lidhet me këtë projekt ka të bëjë dhe me afatet e tyre. Sipas Vasilit shërbime të caktuara publike duhet të mos kenë afate të gjata kohore për dhënien me koncesion.
Deklarata e plotë për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili:
Jemi në këtë komunikim së bashku për të folur për nismën që një grup deputetësh ka ndërmarrë lidhur me disa ndryshime me ligjin për partneritetin publik-privat, që njëkohësisht është një mënyrë e drejtpërdrejtë, me një reflektim të gjykuar të domosdoshëm, për një problematikë sensitive, siç ka qenë ajo e koncesioneve, e njohur tashmë nga opinioni publik.
Në vijim të atij qëndrimi konstant dhe racional që nismat e partneritetit-publik privat, ku koncesionet janë një pjesë e rëndësishme e tyre, janë nisma të cilat demonstrojnë një bashkëpunim të ri dhe partneritet të ri me kompanitë private.
Ne kemi mbështetur idenë që këto nisma janë të përshëndetura gjithmonë kur ato krijojnë e mundësojnë investime të reja dhe njëkohësisht përmirësojnë apo synojnë të përmirësojnë rrënjësisht cilësinë e shërbimeve që qytetarëve u afrohet nëpërmjet tyre.
Synimi i ndryshimeve të propozuara është një synim thellësisht qëllimmirë, i cili në thelb të tij shton e rrit dukshëm transparencën, që është mjet i pazëvendësueshëm themelor, për çdo nisëm të karakterit të gjerë publik. Rrit soliditetin ligjor të nismave nëpërmjet mekanizmave, të cilat tashmë me propozimin e këtij grupi deputetësh janë nisma të vendosura tashmë në ligj.
Është një fakt gjerësisht i njohur i sotëm dhe i djeshëm, debat i gjerë, shpeshherë dhe joracional lidhur me nismat që kanë të bëjnë me koncesionet dhe ky debat lejon pak raste, nuk i ka shpëtuar as politizimit ekstrem dhe as konfliktualitetit të thellë.
Njëkohësisht janë të njohura edhe qëndrimet politike për to, ku një nga qëndrimet e zakonshme të përhershme ka qenë ai qëndrim, që ndaj tyre çdo maxhorancë e radhës do të bënte rishikimet dhe pse jo anulimet përkatëse.
Një praktikë e tillë sigurisht është një praktikë e cila duhet të marrë fund, për arsyen e thjeshtë, sepse koncesionet nuk bëhen as me paratë e një partie të caktuar politike apo të një subjekti të caktuar politik kushdo qoftë ai, por bëhen me paratë e qytetarëve shqiptarë dhe si të tilla duhet të jenë të dobishme dhe të qëndrueshme në kohë.
Ky problem i debatuar gjerësisht, jo vetëm që nuk ka krijuar hapësirën e duhur për të njohur dobishmërinë e tyre, por shpeshherë e ka mbajtur gjallë një debat, i cili është ndezur kohë pas kohe sa herë kur argumentet e tjera kanë shteruar.
Në themel të nismës qëndron vendosja e disa koncepteve themelore, siç është ai i vlerësimit të alternativës, pra alternativës që zgjidhet për t’u koncensionuar, ku aktorët tashmë të vendosur në ligj, jo në akte të tjera të nivelit më të ulët, që mund të lejonin vend për keqinterpretim, e ritheksoj aktorët e vendosur në ligj janë sigurisht aktorë të rëndësishëm, siç është Ministria e Financave, por dhe avokatura e shtetit.
Arsyeja themelore të përfshirjes me ligj të këtyre aktorëve janë dhe për një motiv tjetër të rëndësishëm, pasi sugjerime të tilla, që janë shumë të rëndësishme për t’u dëgjuar, për t’u reflektuar vijnë dhe nga raporti i fundit i FMN-së, ku vlerësimi i fizibilitetit të një nisme dhe avantazheve shumë më të mëdha që ajo ka nga një nismë që mund të prokurohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të jenë gjerësisht të provuara, pasi sikurse theksohet dhe në raportin e FMN-së këto praktika koncensionare kanë arritur deri në nivelin e 7% prodhimit të brendshëm bruto. Dhe si të tilla paraqesin një influencë të rëndësishme dhe serioze në buxhetin e shqiptarëve dhe për këtë arsye vlerësimi i dobishmërisë së tyre duhet të jetë gjerësisht i provuar dhe ku një nga dikasteret themelorë në këtë punë mbetet në mënyrë të padiskutueshme, Ministria e Financave të Shqipërisë.
Gjithashtu, është përfshirë edhe institucioni i Avokaturës së Shtetit, pasi konsultimi me të është një konsultim dhe një bashkëaprovim i vyer, pasi i mbron ato nga çdo lloj procesi apo çështje juridike që mund të lindë në proces dhe të mund të cenonte ecurinë e tyre. Një element tjetër shumë i rëndësishëm në ligj është edhe kohëzgjatja e tyre, element që ka ngjallur debate jo të pakta, debate që nuk kanë mundur që të jenë shteruese dhe për këtë arsye kanë mbetur të tilla, të gjata, të diskutueshme dhe objekte të atakimit të tyre kohë pas kohe, edhe në pikëpamjen politike, por edhe në pikëpamje juridike.
Ndaj në propozimin konkret të ofruar nga grupi i deputetëve, propozohet që nisma koncensionare që kalojnë afate mbi 4 vjet, përkthyer me fjalë të thjeshta, që kalojnë afatet e ushtrimit të pushtetit politik të një mazhorance të caktuar, pra dhe mbarten ndër vite, të jenë tashmë detyrime të cilat ecin pavarësisht nga mazhorancat që ndryshojnë dhe marrin një përgjegjësi publike të rëndësishme miratimi, duke përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë. Do të thotë që nëse do të ndërmarrim një nismë të caktuar, duke qenë se dhe Kuvendi i Shqipërisë si një aktor i pazëvendësueshëm, bëhet pjesë e këtij diskutimi dhe e këtij aprovimi, ato tashmë janë një detyrim për zbatim në kohë dhe nuk janë objekt më i diskutimeve apo i debateve të panevojshme kohë pas kohe sipas mazhorancave, që eventualisht mund të ndryshojnë pozicionet e tyre.
Njëkohësisht, duhet thënë që kjo nismë është një vënie në lëvizje e një procesi rishikimi dhe solidifikimi ligjor dhe në mënyrë të natyrshme diskutimi dhe debatimi i saj, edhe në komisionet përkatëse në Parlament, por dhe nga aktorët qeveritarë, ajo është e hapur për përmirësime apo për plotësime të mëtejshme, ku qëllimi i vetëm është që ky diskutim t’i japë dhe të prodhojë një zgjidhje shteruese.
Kur them shteruese, do të thotë përfundimtare, në mënyrë që mbizotërimi i dukshëm i transparencës dhe i qartësisë për qytetarët në radhë të parë dhe për politikën në radhë të dytë të japë njëkohësisht mesazhin e një serioziteti të lartë të shtetit e të politikës në vendimet që merr. Por njëkohësisht të japë edhe garancinë e zbatueshmërisë së tyre të plotë për biznesin, pavarësisht ndryshimeve politike e ku respektimi deri në një i këtyre kontratave me të gjithë përfitimet që ato sjellin, do të ishte ajo që qytetarët presin dhe ajo që e vë në një raport përgjegjësie reciproke shtetin dhe biznesin si dy palë të një procesi.
Normalisht të gjitha ndryshimet kanë si kryefjalë të tyre transparencën, dhe besoj që shërimi më i madh dhe i vetëm i çdo debati publik të panevojshëm dhe ndonjëherë dhe artificial, njëkohësisht dhe bindja e plotë e qytetarëve se kjo zgjidhje ishte më e mira dhe e vetmja që i jepte shërbimeve të tyre një dimension të ri dhe një dobi më të madhe, mund të ecë dhe të përparojë nëpërmjet një procesi gjithmonë e më transparent.
Besoj në këtë drejtim, pas një diskutimi dhe një miratimi të këtyre ndryshimeve të propozuara, kemi të drejtë të gjithë së bashku të themi me gojën plot që kjo zgjidhje koncensionare, u pranua ose qe e vetmja ose më e mira, prevalonte dhe dominonte dukshëm me avantazhe të mëdha mbi një nismë të prokurimit publik. Dhe qytetarët duhet të jenë të qetë që ato fonde, të cilat vihen në dispozicion, jo vetëm përmirësojnë shërbimet e tyre, por nuk i dëmtojnë financat shqiptare, përkundrazi i shëndoshin ato.
Thënë me pak fjalë, në fund të fundit, do të ishte dhe konkludimi i një debati të panevojshëm. Transparenca do të qartësonte elementë të debatit spekulativ nga debati i vërtetë, elementë të debatit politik nga ai që lidhet me dobishmërinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit, do të ishim shumë të qartë dhe çdo qytetar do ta dinte që çdo gjë që ndodhi dhe u bë, çdo gjë që u miratua, u bë thjesht dhe vetëm, në të mirë të tyre dhe në të mirë të financave të shtetit, të cilat ato të përdoren gjithmonë e në mënyrë më efektive në të mirë të tyre.
Ndaj këto elemente, të cilat janë bërë publike në mënyrë të pjesshme, unë desha t’i shteroj me këtë komunikim me ju duke qenë të mirëpritur edhe për çdo lloj propozimi të mëtejshëm, që grupe interesi apo agjenci qeverisëse mund të kenë, në mënyrë që përfundimisht debati politik të orientohet në çështje të tjera të mëdha, të cilat vendi mund të kenë nevojë, por jo më në marrjen dhe rimarrjen e një çështjeje, që kritikohet shpesh për çështje të transparencës, miratohet shpesh në emër të po kësaj transparence. Rregullimi ligjor është ai që i vë të gjitha këto në vendin e duhur dhe përpara përgjegjësisë së duhur, por dhe për të promovuar pozitivisht për një nismë të suksesshme e cila ndërmerret apo jo.