Vasili: Rama e Basha pa ide, kemi një plan për vendin, që s’është as tepsi e as timon
Ndërsa fushata politike sa vjen e nxehet, sidomos kur dy forcat kryesore politike PS dhe PD-ja i kanë shfaqur hapur rezervat e tyre ndaj LSI-së, kryetari i kësaj force, Petrit Vasili, ashtu siç dhe paralajmëroi më herët u shfaq me qëndrime të forta ndaj Ramës dhe Bashës.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të bëra nga kryesocialisti dhe kryedemokrati ditën e fundit lidhur me ankesat e tyre për partitë e vogla dhe pretendimet e tyre për shantazhime, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të Nisida Tufës në News 24, Vasili i cilësoi si gjëra pa kuptim dhe pa asnjë sens.
Teksa Rama e ka quajtur parti shantazhuese që kërkon të vërë një dorë në timon, e të marrë pjesë nga tepsia e qeverisë, po ashtu edhe kryedemokrati Basha e ka quajtur shpk LSI-në.
I pyetur në lidhje me këto deklarata, Vasili tha se s’ka humbur asnjë minutë kohë me ato.
“Duke dëgjuar këta njerëz pa asnjë ide në kokë, njëri flet për Republikë të Re tjetri për tepsi, ndryshe nga të tjetër unë i flas shqiptarëve për një plan. Unë dhe LSI-ja kemi një plan për të çuar gjërat përpara. S’flas as për timon as për Republikë. Njerëzit kanë nevojë për taksa të ulëta. Shqiptarët janë të mençur dhe do të votojnë për njerëz që kanë plan, jo me tepsi, shpk , që Basha duhet të ketë parasysh shpk e Rrugës së Kombit ku vodhi 250 mln euro,” tha Vasili.
I pyetur nëse ndjehej i tradhtuar nga këta dy liderë Vasili u shpreh: “Përcaktimi s’ka lidhje me situatën”.
Sipas tij, kjo marrëveshje ishte një zgjidhje e vonuar e krizës. “Marrëveshja eci sipas këshillave tona, e kërkuam ne një qeveri besimi, që opozita të ishte pjesë e tyre. Kanë bërë një gjë negative, që i humbën vendit shumë muaj, nga kriza”,- tha ai.
Vasili shtoi ndër të tjera, se forca që ai drejton është në kulmin e saj të rritjes.
“LSI është menaxhim relativisht i lehtë, është në kulmin e saj. Nuk kam përjetuar ditë më të mira të saj që nga themelimi”,- tha ai.
Vasili tha se dinte disa të vërteta për Bashën, që nuk e lartësonin aspak.
“Janë të vërteta që i njoh unë dhe pikë nuk janë të vërteta që e lartësojnë, por që e ulin, bie nën nivelin e SHPK-ve që ai flet. Ai është kopje, mavi e zbehtë”,- tha Vasili.
Ndër të tjera, kreu i LSI-së tha se priste të dilnin forcë e parë. Ai nuk pranoi të komentonte një aleancë të mundshme PD-PS pas zgjedhjeve.
“Nuk kam punë as koment me këtë koalicion. Dua t’ju shpjegoj shqiptarëve që po thyhen nga varfëria se këtu duhet një hymn gëzimi, s’ka më vend për poemën e mjerimit. Ne ndaj jemi ngritur në këmbë.Unë kam bindjen e madhe që vendi ynë mund të bëhet”,- komentoi Vasili.
I pyetur nëse do të bashkohej me Bashën për të rrëzuar Ramën, Vasili tregoi se kë kishte armiqtë e tij më të mëdhenj. “Dua të rrëzoj papunësinë dhe vërfërinë. Këta janë dy armiqtë e mi kryesor”,- shtoi ai.