Petrit Vasili : Zgjedhjet t’i monitorojë administrata e re Presidentit Trump
Mes PS dhe LSI duken se moti politik është më i akullt se sa moti i këtyre ditëve. Janë shumë çështje, sidomos Kodi Zgjedhor, e në veçanti “Listat e hapura” të cilat po e çojnë lokomotivën qeverisëse, ku njeri shkel frenat dhe tjetri i jep gazit sipas mendjes së tij. Ndërkohë që LSI kërkon transparencë, PS-ja nuk po manifeston të njëjtën gatishmëri politike e ligjore.
Këtë e tregon edhe prononcimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili me finesë kërkon që zgjedhjet të monitorohen veçanërisht nga administrata e re e presidentit Trump. Thumbimi ndaj kryeministrit Rama është i fortë, duke i kujtuar Donald Trump për të cilin pati akuza para zgjedhjeve nga ana e Ramës. Akulli akoma vazhdon mes PS e LSI.
Vasili, si shkoi mbledhja e komisionit për reformën zgjedhore?
E rëndësishme është që Komisioni rifilloi, pra duhet të bëjmë të pamundurën të fitojmë mjaft kohë të humbur, pasi nuk e kemi kohën në dispozicion, që ka mbetur aleati më të mirë, pasi koha shtrëngon. Ky rifillim ishte i domosdoshëm dhe kërkova edhe në mbledhjen e komisionit, që të punohet me një ritëm shumë të lartë se sa tani, pasi na duhet të shterojmë shumë çështje në një kohë relativisht të kufizuar.
Besoj që ka një frymë përgjegjshmërie për të ecur më shpejt, megjithatë, ecuria në rrugë e sipër do të tregojë që ky vullnet është i vërtetë, ku sigurisht do të duhet që të kemi konstruktivitet të lartë, pasi debati shumë i madh dhe shterp nuk do të na ndihmonte, por do të na fuste në qorrsokake të reja. Kështu që kërkohet ritëm dhe konstruktivitet, pasi përgjegjshmëria ndaj zgjedhjeve dhe kualitetit është një problem madhor. Siç e dini, një nga elementët e rinj të shtuar për vlerësimin e Shqipërisë edhe në të ardhmen e integrimit evropian, është pasja e zgjedhjeve me standarde sa më të larta.
Sigurisht, ne do të shterojmë të gjitha propozimet që janë paraqitur, përfshirë edhe propozimet që LSI-ja ka vendosur në tavolinën e diskutimeve ku aty pastaj do të shikojmë edhe cilat do të jenë edhe dakordësitë dhe mirëkuptimi i duhur.
Balla tha që nuk ështëmomenti për të diskutuar për listat e hapura, një nga propozimet e LSI-së të bërë një ditë më parë dhe tha që nuk është momenti që ky diskutim të bëhet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por ndoshta pas zgjedhjeve elektorale. Si e shihni ju këtë deklaratë të z. Balla?
Çështja e listave të hapura është një problem jo i ri. Është një qëndrim konsistent i yni. Për ata që kanë një memorie të vëmendshme, është një problem i ngritur që në vitin 2008 dhe i mbrojtur fort nga ne, dhe është vendosur mbi principe shumë të shëndetshme, siç është ai i përfaqësimit sa më të drejtpërdrejtë të vullnetit të njerëzve.
Pra, nuk është një çështje që lind sot, paraqitet sot dhe propozohet sot. Kanë qenë raporte të vështira, ka qenë një zgjedhje e rrufeshme. Ju e kujtoni historinë e vitit 2008 ku ne e kemi propozuar dhe rimarrim duke besuar se një klimë e re më konstruktive, më e qetë dhe që lexon se çka ndodhur ndër vite, krijon një hapësirë të re për ta rimarrë çështje.
Ne besojmë se rimarrja nuk ka përse të jetë një tabu dhe nuk besoj se duhet të ketë të shqetësuar nga kërkesa, pasi nuk ka të bëjë me interesin e LSI-së, por ka të bëjë me interesin e një procesi sa më të shëndetshëm dhe sa më përfaqësues lidhur me këtë çështje. Po në këtë klimë ne kemi parë edhe çështjen e votimit elektronik. Një votim të cilin ne e mbështesim dhe e kemi mbështetur edhe kur ky është miratuar si një projekt pilot.
Besoj që gjykatësi më i mirë, më i paanshëm lidhur me këtë çështje, përtej këtij debati të fortë politik, pasi të gjitha palët janë shprehur pro dhe ju e dini që ka pasur një projekt pilot të miratuar, qëllimi ynë është ky; që ekspertiza më e mirë në këtë çështje është OSBE-ODIHR dhe do të ishte shumë e vyer të shpreheshin ata se si duhet të procedonim lidhur me këtë çështje përtej debateve tona politike. Dhe ky propozim apo sugjerim i tyre do të ishte zgjidhja e mundshme. Në rast se ata do të sugjeronin një zgjidhje konkrete për ta aplikuar në nivel kombëtar këtë, patjetër pse jo ta bëjmë. Do të ishte më e mira të ecnim në bazë të një ekspertize tashmë të njohur dhe të paanshme dhe të padiskutueshme edhe për paanshmërinë edhe për nivelin e ekspertizës profesionale.
Gjithashtu, duke u nisur nga sa thashë më lart, është shumë i rëndësishëm që procesi të realizohet dhe kjo reformë të realizojë një proces me standarde, pasi ju e keni parasysh që bëhet fjalë për një proces zgjedhor delikat dhe me shumë rëndësi në procesin e integrimit, dhe në këtë mes ne shohim shumë të rëndësishëm, rolin e të gjithë partnerëve strategjik tanë.
BE është prezent në komision, por do të ishte shumë e rëndësishme që edhe administrata e re amerikane të ishte gjerësisht aktive, qoftë monitorimin, ndjekjen e procesit, vlerësimin e tij përfundimtar, pasi një vlerësim pozitiv i këtyre zgjedhjeve, qoftë nga BE, por në mënyrë të veçantë nga SHBA.
Në mënyrë të veçantë administrata e re amerikane, do të thoshte një plus shumë i madh për vendin tonë dhe do të thoshte një proces integrimi që ecën përpara pa asnjë pengesë dhe pa asnjë koment negativ dhe pa asnjë lloj rezeve. Kështu që ky proces jo vetëm zgjedhor, por edhe politik duhet parë në këtë mënyrë.