Petrit Vasili:LSI nuk do konsensus artificial, por me debat në Kuvend
Prononcimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhënë për televizionin “Top Channel”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste të Shqipërisë, Petrit Vasili ka dhënë një prononcim për televizionin “Top Channel”, ku ka folur për çështje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë dhe për reformën në këtë sistem.
Fillimisht, Vasili është pyetur se cili është qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim sa i takon çështjes së arrestimit të ish-ministrit, Spiro Ksera.
“Abuzuesi me ligjin nuk e ka më emrin, as ministër, as drejtor, as specialist, as shef sektor, është njeri që ka shkelur ligjin. Dhe vetëm ky koncept duhet të na prijë. Sa herë që themi u dënua një figurë e lartë apo e ulët, shkelësi i ligjit mund të jetë në një pozicion të lartë apo të ulët, por është shkelës ligji,dhe ndaj tij qëndrimi është i prerë, duhet të shkojë atje ku e ka vendin”, – thotë Petrit Vasili.
Ndërkaq, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, i pyetur për çështjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, është shprehur se kjo është një çështje teknike dhe juridike dhe aspak politike.
“Janë shumë mandate për të cilat flitet. Këtu çështja është zgjidhja në parim lidhur me këtë problem, në frymë dhe të Komisionit të Venecias, do të kemi një ndërprerje të menjëhershme të mandateve apo në përfundim të mandatave të zgjedhurit rishtar do të jenë sipas procedurave të reja? Kjo është një çështje edhe e interpretimit juridik, jo të politikës”, – shtoi Vasili.
Sa i takon ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Vasili deklaroi se LSI-ja e mbështet krijimin e këtij institucioni të ri për luftën kundër korrupsionit dhe se duhet bashkëpunuar me komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi për të parë mënyrën sesi do të pozicionohet ky institucion.
“Tashmë duhet të bashkëpunojnë edhe me komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi për të parë mënyrën sesi do të pozicionohet, sesi do të qëndrojë, sepse jemi në një dritë të re. Nuk besoj se mund të neglizhojmë faktin që edhe ky është një institucion i caktuar, kemi tërësi të elementëve të reformës në drejtësi, të cilët kanë të bëjnë edhe me hetimin, hetimi penal është një problem shumë delikat”,- vijon Vasili.
Sipas Zv.Kryetarit të LSI-së, debatet politike nuk do të vonojnë reformën në drejtësi, që duhet të realizohet nëpërmjet konsensusit me të gjitha palët.
“Do të ishte shumë e çuditshme që ne do të kishim një konsensualitet të menjëhershëm për një dokument të vetëm, pa asnjë koment, e pa asnjë opinion në mënyrë të menjëhershëm, sepse do të ishte një konsensus artificial dhe nuk do t’i rezistonte kohës. Ky është konsensus mëse i vërtetë sepse po ndërtohet nëpërmjet debatit”, – u shpreh Petrit Vasili.