“Pistoletë apo këllef celulari”- kjo është çështja sot mes PD e PS !

Sot në përplasjen mes policisë dhe demokratëve të drejtuar nga deputetët e selisë blu përveç dajakut të dyanshëm dhe të arrestuarëve të shumtë ka plasur edhe një sherr i madh nëse deputeti i PD-së Gent Strazimiri kishte apo jo pistoletë në brez gjatë duelit me policinë.  Ndërkohë policia e Tiranës është duke përgatitur një kallëzim për ndjekje penale për deputetin e Partisë Demokratike Gent Strazimiri. Burime zyrtare nga policia thanë se ai do të ndiqet për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.Sipas të njëjtave burime të gjitha materialet e grumbulluara do t’i kalojnë prokurorisë së Përgjithshme. Por deputeti Arben Ristani i hodhi poshtë pretendimet se Strazimiri ka qenë i armatosur në protestë. Sipas tij të tilla lajme janë të fabrikuara. “Unë besoj se ajo që duket është këllëfi i celularit” – tha Ristani.

Lulzim Basha tha tek emisioni i Ilva Tares se e ka pyetur deputetin dhe ia ka mohuar një gjë të tillë. Ndërsa Erion Veliaj akuzon se deputeti kishte armë dhe protesta ishte e dhunshme.

Policia e Shtetit duket se do ta dorëzojë shpejt padinë penale ndaj deputetit të PD-së e ku prokuroria do të rreket mes dilemës a kishte pistoletë apo jo deputeti? Kjo do të sjellë debate në parlament ditën e enjte, e cila pritet të jetë një ditë shumë e tensionuar mes kryeministrit Rama dhe PD-së. Nga ana tjetër selia blu po planifikon që nëse arrestohet deputeti Strazimiri për gjoja “pistoletë” ndërkohë që ka patur këllefin e celularit, sipas PD-së, atëhere do të fillojnë serinë e protestave ndaj qeverisë dhe do të ikin nga parlamenti në mënyrë të pakthyeshme. Kjo thuhet koridorëve të selisë blu.

Ndaj “pistoleta-këllef” mund të çojë në bllokimin e krejt jetës politike e parlamentare në prill, duke shkuar me vrap drejt planit “C” të kryeministrit Rama për zgjedhje të parakohshme, aq me tepër se me datë 9 prill ai mbaron hesapet edhe me Ben Blushin, të thonë disa analistë pro Ramës.

A ishte pistoletë apo këllef ?! Sido që të jetë rremujën e solli.

SHKARKO APP