Plarent Ndreca: Relacioni i mazhorancës fut gjyqtarin kushtetues e nuk përfshin gjyqtarin e GJL, mungesë koherence kushtetuese…
Juristi Plarent Ndreca ka reaguar mbi relacionin për ndryshimin e nenit 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke ngritur pikëpyetje thelbësore mbi koherencën kushtetuese të nismës.
Sipas tij, dilema është e qartë: ose dispozita është në pajtim me Kushtetutën dhe duhet interpretuar vetëm në harmoni me të, ose në të kundërt mbetet e cenueshme si antikushtetuese, bashkë me çdo ndryshim që i bëhet.
Ndreca argumenton se neni 242/2 mund të qëndrojë vetëm nëse lexohet në përputhje me nenin 73/1 të Kushtetutës për imunitetin funksional, duke theksuar se ky imunitet mbron funksionin, jo individin.
Ai paralajmëron se çdo përpjekje për të “rregulluar” balancën e pushteteve përmes Kodit të Procedurës Penale, jashtë kornizës së qartë kushtetuese, mund të hapë rrugë për kontestim në Gjykatën Kushtetuese dhe të krijojë mekanizma paralelë të paautorizuar nga vetë Kushtetuta.
POSTIMI I PLOTË:
Lexova relacionin për ndryshimin e nenit 242/2 të Kodit të Procedurës Penale. Nga përmbajtja e tij ende nuk del qartë nëse synohet konkretizimi dhe sqarimi i një parashikimi ekzistues kushtetues, apo nëse po tentohet të krijohet përmes ligjit një mbrojtje që Kushtetuta nuk e ka dhënë.
Këtu duhet ndarë mendja.
Neni 242/2 ose pajtohet me Kushtetutën, ose nuk pajtohet. Nëse nuk pajtohet, ai është antikushtetues dhe çdo ndryshim mbi të mbetet i helmuar nga e njëjta mangësi; si dispozita, ashtu edhe ndryshimet përkatëse mund të shpallen antikushtetuese. Nëse pajtohet, atëherë duhet interpretuar vetëm në përputhje me Kushtetutën.
Unë besoj se neni 242/2 është dispozitë e dalë në pajtim kushtetues, por vetëm nëse lexohet në harmoni me nenin 73/1 të Kushtetutës, i cili rregullon imunitetin funksional. Ky imunitet nuk mbron personin, por funksionin. Ai garanton që ushtrimi i funksionit kushtetues të mos ngacmohet nga ndërhyrja e një pushteti tjetër, duke ruajtur balancën institucionale dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
E njëjta logjikë shtrihet edhe tek Presidenti (neni 90/1), tek Avokati i Popullit (neni 61/3), tek Kryetari i KLSH (neni 165/2) dhe tek gjyqtarët e Gjykatës së Lartë (neni 137). Të gjithë gëzojnë imunitet funksional për mendimet dhe qëndrimet në ushtrim të funksionit dhe për rrjedhojë, nuk mund të ndalohen/pezullohen në vetë ushtrimin e funksionit.
Prandaj duhet thënë qartë dhe pa ekuivok se ndryshimet e propozuara duhet të jenë thjesht një materializim më i qartë i asaj që Kushtetuta tashmë njeh si imunitet funksional të organeve kushtetuese. Nëse ecim me idenë se po rregullojmë parimin e balancës së pushteteve përmes Kodit të Procedurës Penale, atëherë po i japim një argument të fortë Gjykatës Kushtetuese që nesër të vërë në diskutim të gjithë nenin 242/2.
Ndërkohë, nuk kuptohet mospërfshirja e anëtarit të Gjykatës së Lartë në listën e ndryshimeve, kur ai është pikë referimi kushtetuese për imunitetin funksional të Avokatit të Popullit dhe të Kryetarit të KLSH, të cilët janë përfshirë tashmë.
Po ashtu, nuk kuptohet përfshirja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, kur instituti i pezullimit të tij është rregulluar drejtpërdrejt nga vetë Kushtetuta. Neni 128 e ka parashikuar shprehimisht këtë regjim. Kur Kushtetuta ka folur qartë dhe specifikisht për “pezullimin”, ligji nuk mund të krijojë një mekanizëm paralel të paautorizuar prej saj.
Ky është një rast i mirë për të bërë ndryshime me koherencë kushtetuese.
KOHA JONË SONDAZH

