Plas LUFTA te Unaza e Re, banorët të vendosur me jetë të dalin para fadromave

Protesta e 320 familjeve të zonës së “Astirit” në Unazën e Re është pasqyra e gjithë problematikës që ka sot Shqipëria kur flitet për ndërtimin e veprave publike. Në një proces ku do të mjaftonte vetëm zbatimi i ligjit për ti kënaqur të gjitha palët, në mes ka hyrë qeveria me premtimet mashtruese gjatë fushatës elektorale, opozita me të drejtën e saj për të kritikuar dhe hijet e korrupsionit që dyshohet më marrëdhëniet e komplikuara që qeveria “Rama” ka ndërtuar me disa biznese të veçanta, në këtë investim të madh dhjetra milionë euro. Të gjitha këto çështje, të raportuara në mënyrë preferenciale nga mediat dhe palët në konflikt e kanë bërë edhe më të zhurmshme dhe kaotike situatën.

Por le ti marrim me radhë. Viktimat në këtë histori janë banorët e rreth 320 banesave që preken nga ndërtimi i Unazës së Re. Prej 16 ditësh kanë dalë në rrugë për të kërkuar dëmshpërblim të plotë për shtëpitë që do të humbin të cilat i kanë ndërtuar me mund ndër vite. Qeveria ka miratuar një plan për shpronësimin e tyre që u jep dëmshpërblim me një vlerë minimale. Në argumentin e qeverisë vlera e ulët shpjegohet me faktin se kemi të bëjmë me një vepër publike të rëndësishme për gjithë banorët e Tiranës dhe se buxheti i shtetit ka një limit për kompensimet. Bashkia e Tiranës e gjendur nën presionin e madh ka bërë një tjetër hap duke u premtuar pagesën e qirave dhe lehtësira të tjera banorëve që preken. Por sërish për banorët shuma e dhënë është qesharake dhe nuk justifikon as çerekun e vlerës së ndërtimeve që kanë. Për pasojë të vetmen mënyrë që ata shohin si zgjidhje është protesta dhe ndalimi me forcë i projektit, derisa të dëmshpërblehen plotësisht.

Realisht kanë të drejtë banorët, sepse deri tani asnjeri nuk iu ka thënë gjë ndër vite. Përkundrazi kanë paguar dritat, ujin, taksat dhe çdo gjë që shteti iu ka kërkuar atyre. Banorët që protestojnë nuk janë kundër ndërtimit të Unazës së Re, por kundër shifrës së dëmshpërblimit që u ka caktuar qeveria “Rama”. Në qëndrimin e tyre kanë edhe një të drejtë tjetër që e bënë protestën legjitime dhe që zbulon mashtrimet elektorale të qeverisë. Të njëjtët banorë që kanë dalë sot në rrugë, në vitin 2017 i dhanë votën masivisht kryeministrit Edi Rama. Në një takim të kësaj fushate elektorale kryeministri Edi Rama u ka premtuar gjithë qytetarëve në këtë zonë se ndërtesat e tyre nuk do të prisheshin, por do të legalizoheshin dhe banorët do merrnin certifikatat e pronësisë. Pamjet e videos së ripublikuar këto ditë në media, ku Rama u thoshte “ti gëzojnë shtëpitë” pronarëve në zonën e “Astirit” nuk lënë vend për asnjë dyshim. Pra, banorët e kësaj zone jo vetëm u mashtruan publikisht nga kryeministri, por tashmë po shpronësohen me një vlerë disa herë më të lirë se çmimet e tregut. Veç banorëve dhe qeverisë është dhe pala e tretë, opozita, e cila nuk denoncon vetëm mashtrimin dhe talljen me banorët, por edhe një aferë të madhe korrupsioni. Kreu i deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi dje se projekti i Unazës së Re për të cilën ka nisur sherri është vetëm 2.2 kilometra, por kostoja e ndërtimit të saj arrin në shifrën rekord 40 milionë euro. Kreu i deputetëve të LSI i bëri thirrje prokurorisë që të nis hetimin për tenderat e këtij projekti dhe akuzoi qeverinë se po kryen një nga vjedhjet më të mëdha në ndërtimin e rrugëve, së bashku me disa kompani private. “Vjedhje gjigante dhe kriminale me tenderin e rrugës të Unaza e Re,prokuroria të mos bëhet palë me megahajdutërinë. Tre tendera për 2.2 km rrugë, 40 milion euro për 2.2 km rrugë nga Pallati me Shigjeta tek sheshi Shqiponja. Dhe në çdo oferte vetëm dy konkurues dhe gjithmonë i dyti nga konkurresit e ka ofertën ZERO lek. Pra gara ishte shitur në mënyrën më të turpshme dhe me korruptive”,- deklaroi dje Petrit Vasili. Nëse shifra e ndërtimit të një km rruge për rreth 20 milionë euro është e vërtetë, veç anës penale, PS dhe Qeveria duhet t’i kërkojnë falje Lulzim Bashës që e paditën në prokurori për çmimin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Nëse PS dikur akuzonte se u vodhën para në një rrugë malore me tunele, ku u hodhën mijëra tonë hekur dhe beton, nuk dihet si e justifikon një 20 milionë euro për një km rrugë në mes të Tiranës?

Çështja e parave për këtë projekt duhet të sqarohet edhe për faktin e thjeshtë se banorët kanë dalë në protesta pikërisht për paratë që nuk po u jepen. Nëse situata është siç thotë opozita se paska lekë për korrupsion me projektin, por jo për banorët atëherë sjella e qeverisë më shumë se e jashtëligjshme, bile është kriminale.

Pas 16 ditësh protesta me bllokim rrugësh dhe djegie gomash dje dhanë sinjalin e parë të një tubimi që do të kthehet në një “betejë” mes forcave të rendit dhe policisë së shtetit. Me faktet e reja që po dalin për këtë projekt, banorët kanë të drejtë jo vetëm të protestojnë, por edhe të mos lejojnë asnjë fadromë të afrohet në zonën e tyre. Dhe qeveria këtë situatë po e trajton njëlloj si të bëhet fjalë për protestë të zakonshme, madje dhe duke i provokuar me lajme për prishje urgjente gjatë natës. Banorët e “Astirit” nuk janë mitingashët e zakonshëm që paguhen me mëditje nga partitë dhe as “artistët” që shesin goditën e Teatrit Kombëtar për honoraret e një shfaqje. Praktikisht qeveria po u merr të vetmen gjë që ka vlerë në Shqipëri, shtëpitë dhe pronat, dhe ata nuk kanë çfarë të humbasin. Ndaj nëse qeveria nuk gjen zgjidhje, ajo që nisi si protestë ka mundësi të kthehet në “Luftën e Unazës së Re”.

SHKARKO APP