Plas në Europë/ Në Itali, Francë,Çeki, Austri,Hollandë duan ikjen nga BE
Efekti domino: Kush e ka radhën pas Britanisë (dhe një pikëpyetje për Shqipërinë)?
E para është Marine Le Pen. Liderja e Frontit Nacional në Francë, shprehet se: “Fitore e lirisë! Ashtu siç kërkoj prej vitesh, tani duhet të bëjmë edhe ne në Francë dhe vendet e tjera të BE-së një referendum”. “Rroftë kurajoja e qytetarëve të lirë! Zemra, koka dhe kurajoja mundin gënjeshtrat dhe kërcënimet. Falemindet Britani, tani është radha jonë#Brexit”, shkruan në Twitter.
Lideri i Legës në Itali, Matteo Salvini. “Hurrah për britanikët, tani është radha jonë”.
“Është koha për një referendum holandez” shkruan lideri i euroskeptikëve Geert Wilders. “Nëse bëhem kryeministër do të ketë referendum edhe në Holandë për të braktisur Uionin europian, ta lëmë të vendosë vetë populli”, vijon ai. Edhe në Greqi po merr zjarr dalja nga BE.
Ndërkohë, edhe Republika Çeke ka paralajmëruar se do të mbajë një referendum. Pritet të shihet edhe situata në Austri, ku janë shtuar ndjeshëm euroskeptikët. Ndërkohë, mediat e huaja përmendin faktin se pas largimit të Britanisë dhe referendumeve që mund të zhvillohen në vendet e tjera, aktualisht janë disa vende që po negociojnë për t’iu Bashkuar BE-së. Ato janë Truqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Maqedonia.
Ndërkohë Shqipëria po turret me vrap drejt bashkimit me BE.
A do të jetë më Europa njësoj pas ikjes së Anglisë nga BE?
Europa nuk do të jetë më kurrë njësoj. Një proçes që është ndërtuar me kujdes për më shumë se 40 vjet me rradhë, ka pësuar një thyerje të menjëhershme.
Britanikët votuan dje që të dalin nga Bashkimi Europian.
Të paktën 51.7% e britanikëve kanë votuar për Ikjen dhe 48.3% për Qendrimin. Numërimi ende vijon përmbysja duket e pamundur.
Se çfarë do të thotë kjo votë do të kërkojë kohë që të kuptohet. Po në vijim po rradhis disa gjëra që më vijnë shpejt në mendje për një portret që do të vijojë të plotësohet në ditët e javët që do të vijnë.
Mirë vendosëm, po si do të ikim?
Bashkimi Europian e ka shtruar qartë rrugën e anëtarësimit, ndonëse me dredha e ulje e ngjitje, të cilat po i mëson mirë shteti shqiptar ndërsa djersitet aty i vonuar.
Nga ana tjetër, dalja është diçka që nuk është provuar kurrë.
Së pari atë nuk mund ta vendosë populli me ligj, por deputetët, të cilët kanë qenë masivisht kundër daljes. Nëse vendosin që jo, elita politike në Londër mund ta ndalojë atë që disa e quajnë çmenduri, po vështirë se britanikët do të refuzonin vullnetin e popullit. Sidomos pas një fushate e debate kaq publik.
Kryeministri Cameron mund të japë dorëheqjen sot, madje mund të ketë edhe zgjedhje të reja. Konservatorët janë të ndarë për këtë punë.
Kryeministri britanik do të jetë njeriu që do të negociojë daljen nga institucionet e përbashkëta. Po a është ai njeriu i duhur.
Disa e përshkruajnë si njeriu më i urryer i natës në Britani. Ata që donin të dilnin nga BE e fajësojnë që nuk u bë me ta. Ata që donin të rrinin në BE tani e shajnë se mund ta kishte shmangur referendumin, por e propozoi që të fitonte shumicën e partisë së tij dhe të bëhej kryeministër.
Disa ekspertë kanë paralajmëruar se do të duhen vite për të bërë shkëputjen e plotë nga BE. Rinegocijimi i një marrëdhënie të re mes ish-anëtrit rebel dhe Bashkimit të ofenduar nuk do jetë i lehtë.
Për britanikët më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër do të ketë marrëdhëniet me tregun e përbashkët. Braktisja e këtij tregu ishte çfarë i bënte të ngurronin. Ekonomia angleze ka përfituar shumë nga heqja e tarifave në tregëtinë me kontinentin. Një raport i ri nuk do të jetë i lehtë. Ndonëse sipas argumentit të Largimtarëve tregu europian ka po aq nevojë për britanikët sa ata për europianët.
A do të ketë më Mbretëri të Bashkuar?
Një shprehje e re tani është Mbretëria e Pabashkuar. Portreti është i qartë. Anglia ka votuar fuqimisht për të dalë nga BE. Skocia ka votuar fuqimisht për të qendruar në BE.
Udhëheqësit skocezë e kanë thënë copë se nuk dalin nga BE dhe nëse anglezët i detyrojnë që të dalin, ata do të dalin nga Mbretëria.
Skocia sapo e pati referendumin ku fitoi propozimi për të qendruar në Mbretëri. Por kushtet tani ndërrojnë dhe skocezët po ankohen se janë detyruar të votojnë pa e ditur që po i nxjerrin jashtë Europe.
Ndërkohë Shin Fein, një emër që nuk dilte më prej dy dekadash në lajmet botërore, ka deklaruar se Irlanda e Veriut tani duhet të bëjë një referendum që të bashkohet me Irlandën. A do të cënohet paqja përsëri aty?
Uellsi shihet si tradhëtari më i madh duke anuar papritmas nga Ikja prej BE-së. Çfarë do të ndodhë me uellsianët, nëse skocezët dhe irlandezo-veriorët largohen?
Në fund të fundit është thënë disa herë se referendum për daljen nga BE ka qenë në thelb ngritja e nacionalizmit anglez. Anglia do të rishfaqet në hartën e botës, për ta mbyllur të plotë ciklin e jashtëzakonshëm historik që e pa në majat e veta si sundimtare të mbarë botës.
Kjo votë pra mund të mos ketë thyer vetëm BE-në por edhe MB-në.
A do të ketë më Bashkim Europian?
BE do të vijojë të ketë 27 vende anëtare, por pa Britanikët nuk do të jetë më kurrë njësoj. Madje ka rrezik që të fillojë një farë shpërbërje.
Partitë euroskeptike nuk kanë qenë kurrë më të forta se kaq. Dhe dalja e Mbretërisë së Bashkuar do t’u japë energji të re si dhe nuk është çudi që tani të përqafojnë edhe ato me ngulm daljen nga BE.
Sa të shqetësuara mund të jenë vendet si Danimarka, Hollanda etj që shihnin Londrën si udhëheqëse në kufizimin e natyrës së BE-së si Supershtet, në ambicjen e tregut të lirë, etj. Një numër vendesh të Europës Lindore e kanë parë Britaninë e Madhe si një aleat të rëndësishëm gjeostrategjik që kuptonte rrezikun nga Rusia, që shtonte animin pro-amerikan në BE etj.
Rritja e nacionalizmit dhe euroskepticizmit në këto vende është gjithashtu i dukshëm. E vetmja gjë që i mban është varfëria. Ato përfitojnë nga BE më shumë sesa kontribuojnë.
Dalja e MB-së nga blloku do të rëndojë edhe në kurrizin e vendeve më të pasura të bashkimit që kontribuojnë në tregun e përbashkët.
Në Francë rrezikohet që të fuqizohet Fronti Nacional. Në Spanjë, partitë që po sfidojnë elitat e donin Britaninë brenda si presion ndaj Brukselit. Tani nuk e di se si mund të transformohen pikëpamjet e tyre.
Në Itali, një parti antielitare mori në dorë Romën. Në Greqi, krahu më radikal i Syrizës në pushtet foli për Grexit kur Brexit ishte ende një shaka.
Është sigurisht shumë herët për të pasur garanci në cilindo nga këto skenare. Por BE doli, dera u hap, tabuja u thye.
E krijuar në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, me besimin se vetëm bashkëpunimi duke injoruar nacionalizmin do të varroste përgjithmonë tmerrin e gjakderdhjes më të madhe në histori, BE ka pësuar goditjen e parë të rëndë.
Shumë përpara se britanikët të vendosnin daljen nga BE, fantazmat e vjetra kishin dalë nga librat e historisë. Tani nxijnë më qartë.
Komenti i Donald Tramp për daljen e Britanisë nga BE: Eshtë madhështore!
Donald Trump, kandidati i republikanëve për president të SHBA, përshëndeti daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. “Ata (anglezët) rimorën vendin e tyre” tha Tramp.
“Ata janë të inatosur për kufijtë. Janë të inatosur sepse njerëzit po hyjnë në vendin e tyre, po përfitojnë dhe askush nuk i njeh” iu tha Tramp gazetarëve.
“Ata janë të inatosur për shumë shumë gjëra. Nuk do të jetë kjo e fundit” tha Tramp, që nuk dha një përgjigje të qartë si do të ndikojë kjo në fushatën e tij.
“Ato rimorën përsëri vendin e tyre. Kjo është madhështore” u shpreh kandidati për president i SHBA, që mbërriti në Skoci, për të vizituar një nga fushat e tij të golfit. Edhe më parë Tramp kishte mbështetur largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, që sipas tij ishte “një gjë e tmerrshme”. Të enjten, zëdhënësja e fushatës së tij, tha për Sky Neës: “Amerika ka arritur deri këtu, sepse e ka bërë një Brexit”.
Festa në Britani pas votimit për dalje nga BE