Plas sherrnaja Blushi-Berisha
Deputeti i PS: Unë flas për PS-në se nuk dua që partia ime të përfundojë si PD-ja jote, se ti Sali i masakrove konkurentët.
Debatet për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste, nga selia rozë kanë zbritur dje në sallën e parlamentit. Replikat nuk kanë qenë mes deputetëve të majtë apo ministrave të kabinetit “Rama”, por mes deputetit Ben Blushi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike në fjalën e tij i është rikthyer disa herë çështjes së zgjedhjeve në PS. Madje Berisha në seancën e djeshme më shumë është shqetësuar për demokracinë e brendshme në selinë rozë, sesa për çështjet e tjera të rendit të ditës. Ai tha se është e papranueshme të mos ketë garë, duke bërë thirrje që vetë socialistët të bojkotojnë politikisht Kryeministrin Edi Rama.
Në stilin e Berishës gjithmonë komentimi i zhvillimeve në Partinë Socialiste ka qenë një rast i mirë për të bërë diversion. Për një pjesë të mbështetësve të kreut të PS-së, Edi Rama, disa nga tezat e Blushit për qeverinë janë të njëjta me akuzat e Berishës. Ndaj dhe hyrja dje në lojë e Sali Berishës që fliste për të drejtën e garës në PS dhe në dukje mbështeste Blushin, ishte një shërbim që u bëhej atyre që nuk duan garë në PS. Kur kundërshtari politik mbështet hapur ,siç bëri dje Berisha, në fakt forcon pozitat e atyre që nuk duan zgjedhje në PS. E thënë thjeshtë duke mbrojtur në pamje të parë Ben Blushin, ish-kryeministri Berisha indirekt i shërbeu dje kundërshtarëve të Blushit. U dha një argument më shumë, pasi do thonë se ato që na sugjeron Berisha për PS-në kërkon dhe Blushi! Diversion politik i hapur i ish-liderit të PD-së.
Ndaj në këtë lojë të Berishës reagimi Ben Blushit ishte brilant. Në replikën e mbajtur në Kuvend i është drejtuar Berishës me pyetjen: “Po ti çfarë pune ke me Partinë Socialiste?”.
“Fole edhe për ne. Tani ne zotëri, jemi në një garë. Kemi një garë brenda partisë për arsyet tona dhe pyetja që kam unë është, po ti ç’punë ke? Se ti teserën e Partisë së Punës e ke lënë para 25 vjetësh. Unë jam një nga ata pak njerëz që e njoh çfarë ke bërë ti në këto 25 vjet, kam qenë 20 vjeç kur kam dalë kundër përpara teje. Edhe kam disa miq këtu. Njëri nga ata është Eduard Selami. E mban mend se çfarë i bëre? E çove 10 vjet në Amerikë. Kryetar partie e kishe, e hoqe, e shkarkove, iku në Amerikë. Ka njerëz që i ke rrahur. Mua, për fat s’më rreh njeri ende akoma. Është e vërtetë dhe nuk më lënë të bëjë garë, por duke u futur ti akoma më shumë s’do më lënë”, u shpreh Blushi.
Blushi shtoi se nëse sot flet për shqetësimet në Partinë Socialiste që partia e tij të mos përfundojë si partia e Berishës. “Pyetja është reale, tani prapë po të them ç’punë ke ti me ne? Çfarë halli ke që përzihesh në punën tonë? Le të çohet Selami e të thotë se si e përzure dhe e çove në emigracion. Me kë ke bërë garë brenda PD-së në 25 vjet? Me asnjë! Me asnjë, e në qoftë se ta them për çfarë arsyeje, e them sepse kam frikë se modeli yt, që krijove në 25 vjet nuk kishte rivalë dhe nuk bëje garë. Ata që të dilnin kundër i nxirrje jashtë partie. Ca i ke rrahur, se sot ky Izet Haxhia që është kundra teje, ministrin tënd të jashtëm e ka rrahur. E mban mend, i merrte dhe i rrinte në zyrën tënde. Kjo është demokracia që kishe ti brenda PD-së. Në qoftë se unë sot jam kundër, e po kërkoj që të bëhet një garë e po flas, e di pse? Sepse nuk dua që modeli yt të vijë në partinë ku jam”,- tha Blushi.
Por mbi të gjitha kur Berisha flet është njeriu që mund të flasë më pak se të gjithë për demokracinë e brendshme në parti. Blushi i ka kujtuar dje “ekzilin” politik në SHBA të Eduard Selamit pas përjashtimit nga PD-ja, rrahjen e Genc Pollos kur krijoi parti të re, apo dhe zgjedhjen Bashës në krye të PD. “Në qoftë se çohesh dhe tregon se si i ke trajtuar rivalët brenda PD-së është lajm, është histori. Si e çove Edin në emigracion, si e nxore Genc Pollon jashtë partie, si e more Lulin aty dhe i thua se çfarë të bëj nga mëngjesi deri në darkë. Mos u merr me punët tona, na lër që t’i zgjidhim vetë”,- tha Blushi.
Në fund, Blushi i kujtoj Berishës së vetë ai mund të kritikonte PS-së e sotme, por ndaj Berishës do të ishte gjithmonë kundër. “Me garë, pa garë, të jesh i bindur se unë mund do të jem kundër kësaj partie ku jam sot. Por një gjë është e sigurt, gjithmonë do të jem kundër teje. Sepse ti nuk ndryshon, çdo ditë derisa të jesh në Parlament e jashtë saj do të jem kundra teje o Sali, e di përse, sepse je komplet i papërshtatshëm dhe një otoman-komunist dhe në Ballkan sigurisht që je i fundit”,- deklaroi Ben Blushi.
Deputetët e PS-së në sallë e duartrokitën në heshjte Blushin për sulmin që bëri ndaj Sali Berishës.