Ligji i plehrave, Referendumi, Edi Rama dhe autokritika e Lulzim Bashës
-PD mbledh firmat e deputetëve.Lulzim Basha:Do dërgojmë në Kuvend kërkesën për një referendum për ndalimin e plotë të krejt importimit të plehrave
Demokratët do të dorëzojnë në Kuvend një kërkesë zyrtare për të zhvilluar referendum kundër ligjit për importin e mbetjeve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha njoftoi se dje kërkesa do të depozitohet nga Grupi Parlamentar. Në këtë mënyrë, opozita hedh hapin e parë konkret për të shfrytëzuar hapësirën ligjore kundër projektit që u miratua një javë më parë në Kuvend. Njëkohësisht PD bëri edhe autokritikë publike dhe kërkoi falje për ligjin e plehrave të miratuar në qeverisjen e saj. Por më mirë vonë se kurrë! Megjithatë ka nevojë për Referendum, pasi partitë nuk besohen kollaj. Ndryshe veprojnë në opozitë dhe ndryshe në pushtet, prandaj nëse arrihet Referendumi do ishte populli që do të votonte. PD po bën politikë dhe mbetet në të drejtën e saj, siç ka bërë Rama kur ishte në opozitë me këtë çështje. Por dje doli Basha dhe kërkoi falje, ndërsa po mbrëmë në ABC neës doli ish-zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bimo, i kohës së Berishës për 8 vjet dhe mbrojti ligjin e Ramës! Politikisht duhet dëgjuar Basha, teknikisht flet si specialist mjedisi Bimo. Tani cilin të besojmë?!
Megjithatë dy janë mënyrat për zhvillimin e referendumit kundër një ligji. E para është ajo që qytetarët ti drejtohen KQZ dhe të mbledhin 50 mijë firma të vlefshme. Kjo procedurë, duke pasur parasysh ligjet aktuale, shqyrtimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, mbledhjen e firmave, verifikimin e tyre për tre muaj, etj. mund t’a shtyjë mbajtjen e referendumit për dy vitet e ardhshme. Rruga më e shkurtër është kjo që propozon Partia Demokratike, dërgimin e kërkesës në Kuvend me 28 firma deputetësh, miratimin e saj, dërgimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Gjykatën Kushtetuese dhe më pas zhvillimin e referendumit. Për kalimin e nismës në KQZ dhe Gjykatë Kushtetuese duhen 71 vota të deputetëve të Kuvendit. Në këtë pikë, nga nismë për ligjin e mbetjeve çështja e referendumit pritet të kthehet në një betejë interesante politike. Janë të gjitha mundësitë që një kërkesë për referendume në Kuvend edhe mund të marrë shumicën e duhur të votave. Kjo, jo për faktin se është PD-ja që e propozon, pro sepse kemi të bëjmë me një çështje me ndjeshmëri të lartë në opinionin publik.
Ndërkohë që edhe shifrat e pozicionimit të votave në Kuvend për këtë ligj nuk janë në favor të mazhorancës. Ligji për “Menaxhimin e mbetjeve në Kuvend” mori 63 vota pro. Kjo është shifra më ulët që një ligj ka kaluar në Kuvend këto tre vite. Aleatët e Partisë Socialiste, deputetët e PDIU-së nuk morën pjesë në votim. Duan ministër, por Edi Rama boll u ka dhënë, realisht. Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim u ndan pothuaj përgjysmë. Një pjesë e votuan ligjin, të tjerët abstenuan. Kurse dje Perparim Spahiu i kthyer në LSI deklaroi votën për referendum. Ndërkohë që edhe vetë brenda Partisë Socialiste pati deputetë që votuan kundër ose nuk morën pjesë në votim. Aktualisht opozita numëron rreth 50 deputetë: PD, PR, PAA. Për kalimin e ligjit i duhen të paktën edhe 21 deputetë të tjerë që mund të vijnë nga mazhoranca. Ndërkohë që në votimin e së enjtes janë të paktën 22 deputetë të mazhorancës, PS, LSI, PDIU që votuan, abstenuan ose nuk morën pjesë në votim. Konkretisht janë 10 deputetë të PS-së që nuk morën pjesë në votim, 5 të PDIU, 4 të LSI, ndërkohë që tre të tjerë nga PS votuan abstenim. Nëse shtojmë dhe votat e tre deputetëve nga PS-ja që votuan kundër, janë të gjitha mundësitë që nisma e PD-së të miratohet. Kjo llogaritje hipotetike e votave, mund të sjellë një tjetër situatë në Kuvend. Protestat e paralajmëruara kundër ligjit të shoqërisë civile, reagimet e forta të opinionit publik kanë bërë që numri i atyre që janë kundër ligjit të shtohet edhe brenda sallës së Kuvendit. Deputeti Përparim Spahiu ishte i pari që nga abstenues në votimin e ligjit deklaroi se do t’u bashkohej protestave. Ndërkohë që Dashamir Peza i PS-së ka deklaruar hapur qëndrimin e tij kundër ligjit. Gjatë ditëve të fundit, duke parë dhe reagimin publik edhe shumë të tjerë në PS mendojnë se ligji ishte një gabim që po u kushton politikisht në popull.
Rikthimi i kësaj çështje në Kuvend rihap edhe një herë debatin. Por tashmë nuk flitet vetëm për një vendim politik të Partisë Socialiste, por për një ligj që po i jep kosto të madhe mazhorancës. Vetëm gjatë një jave nga miratimi i ligjit, protesta dhe pakënaqësia ndaj qeverisë ka kaluar në nivele të larta. Mazhoranca ka një mundësi, edhe pse është kërkesë e PD-së, për të ndryshuar vendimin që mori. Sigurisht, bashkimi i votave me PD-në mund të sjellë jo pak probleme të tjera politike. Problemi është nëse votohet kërkesa e PD-së me 71 vota, bashkë me ligjin e plehrave ikën dhe qeveria. Por kur vjen puna tek pushteti bashkohen radhët. Dashamir Peza nga kundërshtar kalon pro Ramës, edhe disa deputetë nga abstenues do votojnë proRamës, pra pro vetes së tyre politikisht. Ndaj duket se Lulzim Basha po i përbashkon radhët socialiste edhe për këtë ligj, ndërkohë që duhej lenë shoqërisë civile të përballej me qeverinë.
Mos është manovër kjo e opozitës që ligji të mbetet në fuqi derisa të zhvillohet Referendumi, nëse bëhet? Sepse të dyja PD dhe PS tek puna e plehrave janë në simbiozë përfekte. A nuk e tha mbrëmë ish-zv/ministri i Mjedisit të kohës së Berishës Taulant Bimo se “ligji është korrekt dhe duhet zbatuar se ka garanci nga qeveria”?
Qamil Xhani