Po iku Myqerem Tafaj, vjen ambasador Visar Zhiti si deputet i listës së PD-së
Prokuroria ka kërkuar 1 vit burg për ish-ministrin e arsimit Myqerem Tafaj. Nëse Myqerem Tafaj, ish-ministri i Arsimit në qeverinë “Berisha”, do të dënohet nga Gjykata e Lartë për akuzën e korrupsionit që ka ngritur ndaj tij Prokuroria e Përgjithshme, atëherë ai do të humbasë mandatin e deputetit të Partisë Demokratike që mban aktualisht.
Kandidati i radhës në listën shumëemërore të PD-së në qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara 21 qershorin e vitit 2013, është Visar Zhiti, i cili mban numrin 13 në këtë listë.
Visar Zhiti, i cili aktualisht është i ngarkuari me punë nga Ministria e Jashtme, në Ambasadën shqiptare në Vatikan, ka mbajtur post të rëndësishëm gjatë qeverisjes së fundit “Berisha”, kur u zgjodh ministër Kulture në prill të 2013, kohë kur Lëvizja Socialiste për Integrim doli nga koalicioni qeverisës, shkruan Express.
Shkrimtari i njohur, njëherazi ish-i burgosur politik gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, u bë shkak për një përplasje të re mes qeverisë Rama dhe presidentit Bujar Nishani, pasi kreu i shtetit kundërshtoi të dekretojë ambasador në Vatikan.
Mbetet për tu parë nëse Zhiti do ta pranojë mandatin e deputetit, apo do të vazhdojë të ushtrojë detyrën në ambasadën në Vatikan.
Ish-ministri Tafaj akuzohet se ka abuzuar me detyrën gjatë kohës që drejtonte ministrinë e Arsimit, ku në shkelje të vendimit të Komisionit të Vlerësimit ka urdhëruar hapjen e disa degëve që nuk përmbushnin kriteret ligjore në Universitetin privat “Vitrina’, të mbyllur tashmë nga qeveria “Rama”. Prokuroria e Përgjithshme kërkoi ndaj tij dënimin me 1 vit burg, ndërsa Gjykata e Lartë pritet të japë vendimin në muajin prill.