Po me Jozin dhe Patozin ç’pate Luli?

Nga Nikoll Lesi

Lista e PD-së ka hapur probleme me shumë se sa kanë menduar në selinë blu. Natyrisht që do kishte freskime, largime të disa figurave të cilat nuk sjellin impakt pozitiv në elektorat apo futjen e partive aleate në listat e PD. Me partitë aleate, ndryshe nga sa veproi Edi Rama, kryetari Basha e zgjidhi pranueshëm. Ndërsa kur futi sepatën te emrat e Jozefina Topallit, Astrit Patozit dhe Majlinda Bregut ka bërë gabim. Bile gabim të madh. Siç duket Basha ka përdorur si kriter vlerësimi raportin e ikonave të PD-së në raport me çadrën. Por çadra nuk e është gjithë historia e PD-së, as e ardhmja. Aq me tepër kur flitet për një parti historike vlerash dhe që ka rrëzuar komunizmin. Diversiteti i mendimeve do ta bënte Lulzim Bashën një lider ndryshe nga autoriteti i Berishës. Deri në një farë mënyre Sali Berishës edhe i pranohej autoriteti despotik në PD, sepse e krijoi, e ndërtoi dhe “anijen PD” e drejtoi në oqeane me dallgë të mëdha. Kurse Basha nuk duhet kurrsesi të jepte imazhin e një lidershipi që mban inat apo shënon çdo fjalë kundër tij. Aspak. Ai erdhi dhe vjen nga një shkollë europiane e kulturës dhe e debatit maksimalist, deri edhe në sherr, por që si përfundim ka mirëkuptimin dhe tolerancën.

Nëse mund ti falet heqja e disa ish-ministrave apo deputetëve nga lista, dhe nuk ka bërë keq, ç’pati me Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin? Të dy figura karizmatike, në sense të ndryshme, por ama mbeten ikona të PD-së. Asnjëri nuk ka qenë ministër, asnjëherë. Nuk kanë asnjë akuzë mbi supe për shkelje ligji, përkundrazi kanë qenë stoik përballë së majtës. Edhe Majlinda Bregu një figurë që PD-ja e përdori për liberalizimin e vizave, një njeri me shumë njohje ndërkombëtare dhe e pa akuzuar. Ishte kundër Bashës, por nuk por vriste njeri. Duhej të ishte në listat e PD-së dhe vetëm sa shtonte pamjen e një PD-je liberale.

Nuk di se kush e bindi Bashën në këtë listë emrash, ku natyrisht ka plot emra të respektuar, por përse palosi Topallin dhe Patozin, edhe Bregun? Edhe Eduart Selamin.

Mund të gaboj, por mungesa e tyre do ti mungojë shumë në fushatë PD-së. Dhe në vota.

SHKARKO APP