Po vjen Zef Brozi, Prokuror Special
Nga Spiten Prulli
Reforma në Drejtësi duket se po shkon drejt fundit, ndonëse po përpëliten disa politikanë. SHBA dhe BE nëpërmjet ambasadorit Lu dhe ambasadores Vllahutin janë të interesuara që reformat të miratohet me çdo kusht. Lu ka folur hapur dhe prerë se do të pendohen kush nuk e miraton. Por çfarë e pret politikën shqiptare pas miratimit dhe zgjedhjes së Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale? Siç ka deklaruar ambasadori Lu, SHBA ka vënë në dispozicion të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) specializimin e tyre në Amerikë dhe kalimin në testin e së vertetës. Do jenë të përzgjedhur me kujdes nga FBI, e cila ka eksperiencë të gjejë edhe “gjilperën në kashtë”, ndaj pas kursit në SHBA ata do të kthehen në Tiranë dhe do fillojnë operacionin e duarve të pastra ,duke hetuar apo marrë nga dosjet e prokurorisë së sotme shqiptare dosjet për politikanët. Kanë të drejtë me ligj të hetojnë deri edhe Presidentin e Republikës.
Por në krye të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale antikorrupsion mendohet të jenë disa emra të drejtësisë shqiptare të cilët kanë edhe nënshtetsi amerikane dhe që jetojnë atje. Kanë edhe një eksperiencë amerikane tash sa vite dhe do të kthehen në Shqipëri me kërkesë të palës shqiptare, porse të diktuar nga pala amerikane, pasi amerikanët nuk kanë shumë garanci tek juristët e këtushëm.
Një burim konfidencial tha për “Koha Jone” se në krye të Prokurorisë ose Gjykatës Speciale antikorrupsion do të vijë nga Amerika Zef Brozi, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, një jurist tashmë me eksperiencë amerikane, i cili ka nënshtetsi shqiptaro-amerikane. Zef Brozi njihet si njeri që kundërshtoi ish-presidentin Berisha në vitet 1993-1995 derisa Berisha e shkarkoi në parlament dhe ambasada amerikane e shoqëroi deri në Rinas, bile deri tek avioni, kur u nis i përsekutuar nga Berisha dhe pushteti i PD-së.
Zef Brozi mbahet mend për qëndrimet e tij të drejta dhe që kundërshtoi presidentin e asaj kohe Berisha.
“Të pres Sali Berisha në një seancë dëgjimore në Senatin Amerikan. Aty do të takohemi pas shumë vitesh, dhe aty, do të dua të të heq edhe maskën e neodiktatorit që ke vënë prej shumë vitesh”. Kjo është thirrja e Zef Brozit drejtuar Berishës në një inervistë botuar para ca kohe, ende pa filluar reforma e drejtësisë.
Ata të rinjë, intelektualë, pedagogë e studentë që bën revolucionin e vitit 1990, nuk do ta harrojnë kurrë figurën e juristit Zef Brozi, i zgjedhur deputet i Mirditës në zgjedhjet e marsit 1992 e më pas Kryetar i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë. Historia e tij e “dashurisë” me Berishën zgjati vetëm tre vite, nga ‘91 deri në ‘94. E sikurse Brozi ka folur vetë ai tregon se donte ligjin, por Berisha ishte diktator. Konflikti ishte për vendimin “kundër” që i dha Berishës për dy gazetarët e “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj e Martin Leka, për çështjen e “5 minoritarëve”, për gjyqin e korrupsionit ndaj Fatos Nanos. Nda ish kreut të gjykatës së lartë Zef Brozi do të fillonte një përndjekje ndoshta nga më të pabesueshmet në vitet e demokracisë, për një funksionar të lartë të shtetit. Dhunë psikologjike në shtëpi, shikas që rrethonin zyrën e tij në Kasacion, njerëz që i përndiqnin familjen, deri në falsifikime procesverbalesh, ishte historia që e ndoqi, derisa një ditë të bukur, së bashku me familjen vendosi të shkojë përgjithnjë në Amerikë, dhe të fitojë atje statusin e azilantit politik.
Prej asaj dite Brozi gjendet në Amerikë në pritje të ftohet për të drejtuar Prokurorinë ose Gjykatën Speciale në Shqipëri.
Pas miratimit të reformës Zef Brozi mendohet se do të jetë njeri prej specialistëve më të zotë për të luftuar korrupsionin e lartë politik në Tiranë. Ndonëse mund të jetë e pritshme, porse përballja prapë me ish-kryeministrin Berisha dhe një numër zyrtarësh të lartë do të jetë sfida e pasreformës në drejtësi dhe personalisht për Brozin, ish-kryetarin e parë të gjykatës së lartë në të cilën filloi reforma e parë, porse nuk e lanë ta bënte në atëkohë.
Fati po ia rikthen në dorë vendosjen e drejtësisë së munguar tash 25 vite demokraci.
Arrestime të mëdha priten me firmën e Zef Brozit !