Politika e PS – Përdor e hidh! Shpëtim Gjikën e braktisi, drejt burgut

Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës dënon me 4 vjet burg Shpëtim Gjikën. Vendimi u mor sot. Pas disa lëvizjeve ligjore, ish-kreu i bashkisë së Vlorës nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pasi trupi gjykues i përbërë nga Mirela Mishgjoni, gjyqtare, Arbana Selmanaj, gjyqtare, dhe Laurent Fucia, gjyqtar-relator për çështjen vendosën të konvertonin dënimin me 2 vite shërbim prove.

Pavarësish manovrave juridike, fakti është se Shpëtim Gjika është dënuar me burg dhe me përjashtim nga funksionet publike për tre vjet. Moralisht ky është një dënim jo i lehtë për një figurë të lartë të PS. Ky vendim ngjan si një braktisje që PS-ja i bën një prej njerëzve të saj. Sigurisht, një braktisje që vjen pas përdorimit që i është bërë për një kohë të gjatë politikisht.

Shpëtim Gjika është një nga socialistët më të vjetër në Vlorë. Për tre mandate ka qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe një nga zyrtarët stoikë të opozitës 8-vjeçare të PS. Kryesocialisti Edi Rama e kishte një nga miqtë e afër. Dega e PS në Vlorë mbajti peshën kryesore gjatë opozitarizimit të PS.

Por pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2013, Shpëtim Gjika ishte zyrtari i parë që u godit duke e arrestuar dhe duke nisur procedimin penal. Fillimisht  u tha se kjo goditje erdhi nga Koço Kokëdhima, i cili po shtrinte interesat e tij politike si deputet në gjithë jugun e vendit.

Por edhe pse ky ishte një argument për të qetësuar Gjikën se nuk e kishte sulmin nga Edi Rama. Pas largimit të Koço Kokëdhimës, Edi Rama kërkoi ndjesë dhe dy muaj para zgjedhjeve e afroi Gjikën në strukturat e Partisë Socialiste. U duk si një pajtim mes Ramës dhe ish-kryebashkiakut. Dhe kështu ishte deri gjatë procesit zgjedhor. Edi Rama e përdori Gjikën për fushatën elektorale, pasi ish-kryebashkiaku i siguronte jo pak vota në Qarkun ku kandidonte Kryeministri. Pas disa takimeve konsultuese me kryetarin e partisë, Edi Rama dhe drejtuesin politik të qarkut Vlorë, Damian Gjiknuri, në janar të këtij viti, Gjikës iu besua detyra e koordinatorit politik për një nga strukturat më të rëndësishme në këtë rreth, Bashkinë e Selenicës dhe zonën e Lumit të Vlorës.

Por pas mbarimit të zgjedhjeve procesi rinisi dhe vijmë në momentin kur Gjykata vendos dënimin ndaj Shpëtim Gjikës. Mund të jetë rastësi, por fakti që dënohet pas zgjedhjeve, kur PS-ja ka mbaruar punë me fushatën, duket si një përdorje e radhës që i është bërë ish-kryebashkiakut.

SHKARKO APP