Politika “tërmet” sipër tokës, ndërsa termeti fizik tund Shqipërinë poshtë
Viti 2017 ka filluar me ngrica, borë, akull dhe tërmete në disa zona të vendit. Mbrëmë dhe sot raportohet për tërmete në krejt Shqipërinë. Ndërsa sipër tokës, si për ta ndihmuar termetin poshtë, politika ka vendosur të futet në sherr e kacafytje për hir të pushtetit. Pushtetit për vete e jo për interesat e popullit. Opozita deklaron se nuk futet në zgjedhje pa votimin e numërimin elektronik. Pozita nuk pranon. Ndërkohë që dy fajtorët kryesorë janë pikërisht PS dhe PD, të cilat nuk e filluan reformën zgjedhore para dy vitesh kur e kërkoi dhe OSBE- ODIHR, por e lanë kastile në 5 mujorin e fundit para zgjedhjeve. PS-ja me djallëzinë se do ta vononte reformën dhe me pas të thoshte se “nuk kemi kohë se erdhën votimet”, kurse PD-ja me naivitetin fëminor për të justifikuar mundësinë e humbjes së zgjedhjeve gjen pretekstin se “nuk futemi në zgjedhje pa votim e numerim elektronik”.
Një turp i madh dhe një zhgënjim nga PS dhe PD. E vonuan kastile dy vjet e kusur dhe tani duan të sajojnë pretekste duke ia hedhur njëra- tjetrës fajin. Ndërkohë LSI dhe shumë parti politike e kanë kërkuar vazhdimisht këtë reformë të bëhej me kohë në mënyrë që kishin mundesi për debate e ndryshime si dhe rënien dakort. Pra nëse fillohej para reformës në drejtësi, tashmë do ishte miratuar e reformuar Kodi Zgjedhor. Palët politike do të ishin duke paraqitur platformat politike për t’ia dhënë qytetarëve. Por PS dhe PD vepruan bashkërisht dhe në heshtje drejt krimit elektoral. Dhe, për dreq, ai arritën.
Kjo është një masakër që i bëjnë votuesve të dyja palët, ndonëse përherë faji mbetet te PS-ja, pasi po të donte e kishte filluar reformën me kohë e jo tani në fund , kur nuk ka më kohë. “I Zoti i shtëpisë” mban përgjegjsinë kryesore të dështimit të reformës zgjedhore, sepse e vonoi kastile që të futet siç do PS. Dhe ” I zoti i shtëpisë” është Edi Rama.
PD-ja po bëhet gati për stuhi protestash kudo, duke e bllokuar qeverinë e zotit Rama. Duket se Opozita po shkon drejt tërmetit politik: Bllokim, asfiksim të institucioneve demokratike dhe rrëmujë. Sebepin ua dha vetë kryeministri. Tërmeti nga politika duket pak më i keq sesa tërmeti që vjen nga nëntoka.
Poshtë nëntoka po dridhet dhe po sjellë vertet rreziqe. Disa tërmete kanë rënë në Shqipëri gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme. Të dhënat vijnë nga instituti i Sizmiologjisë në Itali. Këta bëjnë të ditur se tërmeti më i fortë ka qenë prej 3.6 gradë të shkallës Rihter dhe ka rënë në kufi me Kosovën.
Tërmeti ka rënë në thellësinë prej 5 kilometrat në tokë, ndërsa sipas italianëve janë paralajmëruar banorët, por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur në realitet.
Por lëkundje nuk janë ndjerë vetëm në veri të vendit. Sipas Institutit të Sizmiologjisë së Europës dhe Mesdheut, një tjetër tërmet prej 3 gradë të shkallës Rihte ka rënë në Gjirokastër.
Një tjetër tërmet që ka rënë ka qenë edhe ai prej 2.9 gradë i shkallës Rihter i rënë në detin Adriatik, jo shumë larg nga brigjet shqiptare.
Një aktivitet i tillë tërmetesh kishte kohë që nuk ndihej në Shqipëri, ndërsa autoritetet zyrtare nuk kanë dhënë asnjë lloj informacioni në lidhje me këto ngjarje.