Rama-Meta, lufta për fshatin
Bujqësia duket se është kthyer në lojë bërrylash mes dy bashkëkryetarëve të mazhorancës, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Kryeministri duke e ditur se në fshatra ka defiçite për shkak të mosmbajtjes së premtimeve ka filluar të ulet këmbëkryq nëpër ara, si dikur Enver Hoxha, për t’iu thënë se po merrem edhe me bujqësinë e blegtorinë. Por kudo e thumbojnë dhe i flasin hapur se jemi keq: pa ujë, pa drita, pa mirëqenie. Dhe Rama nuk duron, zihet me këdo që e kundërshton apo i ankohet.
Nga ana tjetër Ilir Meta po bën takime të shpeshta për t’iu pohuar, indirekt, se Ministria e Bujqësisë (LSI) po lufton me pjesën tjetër të qeverisë për të shtuar fondet për bujqësinë. Duhet pranuar se ministri i bujqësisë Edmond Panariti dhe kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i kanë kërkuar hapur kryeministrit Rama kthimin e vëmendjes nga fshati. Nisur nga presioni i LSI dhe ardhja e fushatës elektorale ka bërë që kreu i Ekzekutivit të dalë me çizme në katunde. Ministri Panariti ka kërkuar përherë fonde me të mëdha për fshatin, por deri tani paratë e buxhetit kryeministri i ka adresuar në shendetsi tek Ilir Beqja, ku dihet tashmë se ku shkojnë.
Ndërkohë Ilir Meta ka qëndruar korrekt, brenda mundësisë së tij si kryeparlamentar, duke nxitur qeverinë që të kthejë me shumë vëmëndjen ndaj fshatit.
Kjo u vu re dhe dje. Kryeministri Edi Rama ndodhej në Skrapar ku foli për investimet dhe projektet në bujqësi, por edhe replikoi me banorët për projektet e munguara. Ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta ndodhej në Libofsh të Fierit, në inaugurimin e një ferme të re, ku foli për nevojën e më shumë investimeve dhe mbështetje për fermerët. Dy ditë më parë, ishte kreu i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ai që bëri apel ndaj ministrave të tjerë të kabinetit “Rama” për më shumë bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Konkretisht, kërkoi nga Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë që të ndikojnë në rritjen e çmimit të produkteve bujqësore dhe të kryejnë pagesat e TVSH-së direkt për fermerët.
Debati për fshatin dhe bujqësinë ka dalë në sipërfaqe këto ditë, por përplasjet mes dy forcave kryesore për këto pika kanë nisur që herët. Mosmarrëveshja e parë lidhet me ndarjen e buxheteve për ministritë. Edmond Panariti drejton një nga ministritë që mund të cilësohet më e madhja për shkak të fushave që mbulon, ku përfshihet Bujqësia, Zhvillimi Rural dhe Administrimi i Ujërave. Janë tre sektorë që sipas programit qeverisës do të merrnin pjesën kryesore të buxhetit. Në fakt, në tre vjet buxheti që i është dhënë kësaj ministre ka qenë minimal, në krahasim me ministritë e tjera. Premtimi i qeverisë “Rama” ishte rritje me 5 për qind e buxhetit për fshatin, investime në zonat rurale dhe investime zgjidhja përfundimtare e problemit të ujitjes dhe përmbytjeve. Nëse i merr me radhë këto premtime rezulton se asnjë nuk është realizuar. Buxheti në tërësi është rritur, por është shpërndarë në drejtime të ndryshme dhe jo te fermerët. Investimet në zonat rurale janë orientuar jo nga Ministria e Bujqësisë, por nga Ministritë e tjera. Në vend të investimeve për fermerët, qeveria ka orientuar buxhetin tek ndryshimi i fasadave të qyteteve. Ndërsa pjesa kryesore ka shkuar tek koncesionet.
Nga tjetër, në vend të grumbulloheshin fonde për këtë ministri, qeveria “Rama” ka bërë dublimin e institucioneve. Pjesa e zhvillimit rural i ka kaluar Ministrisë Zhvillimit Urban të drejtuar nga Eglantina Gjermani dhe institucioneve të tjera. Pra me hile Rama ia ka kaluar fondet ministrave të PS-së, duke mënjanuar ministritë e LSI. Akoma nuk kemi deklaratë publike nga LSI për këtë spostim fondesh nga ministritë e saja tek ato të PS-së, por duket se qëndron fjala e sekretarit të selisë rozë Koço Kokëdhima i cili tha se “LSI është treguar korrekte në zbatimin e marrëveshjes, por jo PS-ja”.
Shkurt, bilanci i premtimeve në bujqësi nuk është në favor të Ramës. Ndaj ka rezerva ministri Panariti. Për këtë qëllim edhe retorika për fshatin, mesazhet e dykuptimta dhe pakënaqësitë e shprehura hapur nuk kanë munguar. Me afrimin e zgjedhjeve akuzat për këtë sektor pritet të shtohen. Ndërkohë çështja e fshatit nuk ka të bëjë as me emrat e ministrave, por me vizionin e qeverisë, pra të kryeministrit. Ministri Panariti mbetet ndër ministrat me profesionistë dhe me të përkushtuar në punën e tij, porse ka nevojë që qeveria të jap me tepër fonde kësaj ministrie.
Nuk ka ç’të bëj me shumë ministri Panariti për bujqësinë se sa ka bërë, duke patur kaq pak fonde nga qeveria e tij. Kryeministri më mirë të jap fonde për fshatin dhe jo të veshë qizmet këto muaj duke shkelur arat kur po vjen koha për të marrë vota.