Presidenca: Dekretet e kreut të shtetit gjykohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese

Këshilltarët e Presidentit Ilir Meta në një deklaratë për mediat, e cilësuan seancën e sotme në Kuvend si një zhvillim që nuk i shërben zgjidhjes së krizës politike.

Bledar Dervishaj, Këshilltar Ligjor i Presidentit deklaroi se dekretet e Presidentit nuk duhet të diskutohen dhe as të komentohen, por mund të ankimohen vetëm në Gjykatën Kushtetuese.

Dervishaj tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë tagër ligjor të votojë apo marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit të Republikës.

Askush veç Gjykatës Kushtetuese nuk shqyrton vlefshmërine e dekretit. KQZ është i detyruar ta zbatoje dekretin“,- tha ai.

Dervishaj tha se kreu i shtetit nuk u ka hequr të drejtën qytetarëve të votojnë, por në funksion të stabilitetit të vendit ka nisur konsultimet me gjithë palët politike për datën e re të zgjedhjeve dhe zgjidhjen e krizës politike.

Dervishaj u shpreh se retorika e përdorur sot në Kuvend nga mazhoranca nuk i shërben zgjidhjes së krizës. “Në vend të një diskutimi mbi argumentet ligjorë që u mbështet presidenti dhe në vend që të ishte një moment ku të shfaqej një reflektim apo ku mund të diskutohej për zgjidhjen e krizës, sot përkundrejt kësaj pritshmërie u lëshuan lumenj fyerjesh ndaj institucionit të presidenti Kjo retorike toksike nuk i shërben zgjidhjes së krizës dhe paqes në vend.  Ky akt është marrë bazuar tërësisht në argumente kushtetues ai është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Çdo subjekt politike apo jo politik, i cili nuk është dakord me vendimmarrjen e presidentit apo kundërshton kompentecat është i lirë të ngrejë pretendimet në Gjykatën Kushtetuese apo çdo gjykatë tjetër. Presidenti përsërit qëndrimin e tij, se ky vendim është marrë me përgjegjshmëri të plotë për të shmangur një konflikt destabilizues, e cila mund të kulmonte me një përplasje në 30 qershor. Presidenti siguron qytetarët se ata do të votojnë përtej 30 qershorit në një datë më të afërt. Për caktimin e kësaj date presidenti ka nisur një proces konsultimit më të gjitha palët politike. Presidenti do të shprehet me dekret për caktimin e një date të re”,- tha Dervishaj.

Këshilltari ligjor i kreut të shtetit sqaroi dhe keqkuptimet e një pjesë të mazhorancës, të cilët thonë se pas 30 qershorit drejtuesit vendorë nuk kanë mandat për të qeverisur. “Këshillat bashkiakë aktualë do të ushtrojë funksionet deri në krijimin e këshillave pasardhës. Kjo nuk është një zgjatje e mandatit për organet vendore, por një detyrim që e përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Çdo aludim se në datën 8 gusht ndërpritet mandati i tyre është një trillim politik”,- tha Dervishaj.

Ai gjithashtu përsëriti thirrjen e kreut të shtetit për të gjitha palët politike. “Presidenti i Republikës ripërsërit thirrjen ndaj të gjitha palëve politike, që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore për të reflektuar dhe t’i përgjigjen ftesës së presidentit për dialog, për të gjetur së bashku një zgjidhje për krizën, përfshirë edhe dakordësimin e një date të re zgjedhore.Presidenti rigaranton se është i gatshëm të marrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata në përputhje me kompetencat që kushtetuta ja ka përcaktuar”,- tha Dervishaj.

LEXONI EDHE…

SHKARKO APP