Presidenca: Presidenti gati të shkojë në Parlament për negociatat me Greqinë
Deputetët e opozitës në Komisionin e Jashtëm kërkuan seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës Ilir Meta në lidhje me negociatat me Greqinë.
Kërkesa u artikulua nga deputeti demokrat, Tritan Shehu, i cili tha se në emër të PD-së do të depozitojnë me shkrim këtë kërkesë.
“Unë nuk mund të mos ta nis fjalën time duke ju tërhequr vëmendjen për shkelje të rëndë të etikës që ju treguat gjatë fjalës tuaj ndaj anëtarëve të komisionit, ndaj Presidentit të Republikës duke përdorur terma të papajtueshme ndaj këtyre institucioneve thelbësore.
Duke marrë shkas nga kjo gjë unë do të bëj kërkesën në emër të deputetëve të opozitës që pas kësaj mbledhje në një ditë të përshtatshme të organizojmë një mbledhje të dytë dhe të thërrasim këtu për një seancë dëgjimore Presidentin e Repulikës. Ne do ta praqesim edhe me shkrim këtë kërkesë dhe kërkojmë që këtu të vijë edhe presidenti i republikës. U bënë shumë lojëra fajlësh mbi të, shumë akuza mbi të, ato probleme zoti ministër ti zgjidhi me presidentin. Ne nuk na intereson sa herë ka shkuar ministri në Presidencë”- u shpreh Tritan Shehu.
Dhe pak minuta pas kësaj deklarate ka ardhur reagimi i Presidencës, e cila konfirmon gadishmërinë e kreut të Shtetit për t’u paraqitur në Kuvend dhe për të sqaruar ligjvënësit lidhur me procesin e negociatave që po zhvillohen me Greqinë për çështjen e detit, si dhe për të sqaruar komunikimin institucional mes Qeverisë dhe Presidentit për këtë çështje.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i pyetur nga “Koha Jonë u shpreh se se Presidenti Ilir Meta është gati të shkojë në çdo kohë në Parlament kur ta kërkojë Komisioni i Jashtëm
“Presidenti Ilir Meta është gati të shkojë në Parlament dhe të përgjigjet para deputetëve”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Bushati në Komision: Presidenti ka qenë në dijeni për negociatat me Greqinë
Një ditë pas publikimit të emrave të 12 negociatorëve të marrëveshjes së Detit me Greqinë, kryetarja e komisionit të politikës së Jashtme, Mimi Kodheli ka thërritur në seancë dëgjimore në komision Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Kryediplomati shqiptar po raporton prej orës 10:00, ku po jep detaje për negociatorët dhe detajet e marrëveshjes së pritshme me Greqinë.
Në komision është edhe Armand Skapi, në funksionin e drejtorit të traktateve, njëkohësisht i propozuar si kryesuesi i negociatorëve shqiptarë, si dhe Glevin Dervishi, këshilltar i Bushatit, i cili ka ndjekur edhe negociatat me Kotzias në Kretë dhe Korçë.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se Presidenti Meta ka qenë në dijeni të negociatave me Greqinë që kur ai ishte në krye të Kuvendit.
“Pas takimit të kryeministrit Rama dhe Tsipras në samitin e NATO-s u ra dakord që krahas mekanizmit diplomatik dy ministrat e jashtëm sëbashku me ekipe nga institucione të ndryshme të shteteve në fjalë të uleshin dhe të diskutonin në një mënyrë edhe më intenisve sic ishin takimet e Kretës dhe Korcës.
Frytet e këtyre diskutimeve ne kemi mundësi sot për sot ti prekim, ne kemi mundësi sot për sot ti demonstrojmë dhe kemi mundësi që krahas kësaj pakete dhe lajme pozitive do të ketë edhe në ditët në vijim, të kishim mundësi që të fillonim nga puna për një marrëveshje të re për delimitimin e zonave detare.
Sikundër Presidenti i republikës ka qenë kryetari i Kuvendit dhe është zgjedhur me votat e mazhorancës së kaluar dhe ka qenë në dijeni të këtyre zhvillimeve që janë bërë me palën greke dhe shpresoj që në të njëjtën kohë kanë qenë edhe pjesë e vizionit të qeverisë, të reflektuar në programin 2013-2017 dhe në vijm të programit që kjo qeveri ka prezantuar për politikën e jashtme”- theksoi ministri Ditmir Bushati.
Ministri u shpreh se palët kanë rënë dakord që të ketë një marrëveshje të re.
“Duhet një marrëveshje e re për detin. Takimet në Kretë dhe në Korçë kanë qenë frytdhënëse. Ia kam shpjeguar me maturi Presidentit. Janë bërë diskutime që në 2014 për të kuptuar shqetësimet dhe kufizimet që kanë palët për këtë proces. Është bërë leximi i qëndrimit të palëve në nivel teknik në 2014 dhe në 2017. Është bërë shumë punë për të hapur një faqe të re në marrëdhënie me Greqinë. Kemi rënë dakord me Greqinë për t’u ulur për një marrëveshje të re. Akoma nuk ka një marrëveshje” deklaroi ai.
Në vijim, kreu i diplomacisë theksoi se Presidenti nuk lëshon plotfuqishmëri lidhur me negociatat.
“Nuk lëshon plotfuqishmëri Presidenti. Presidenti ka autorizim dhe në kërkesën që ne i kemi nisur presidentit janë të përcaktuara shumë qartë, objekti, titulli, relacioni, ekipi negociator si në asnjë rast tjetër. Në momentin që Presidenti do të japë autorizimin për këtë gjë në aktin e plotfuqishmërisë që lëshohet nga ministri i Jashtëm do të parashtrohen këto çështje”- u shpreh Ditmir Bushati.
Pse s’ka transparencë për këtë çështje?
Bushati: Kushtetuta dhe ligji është shumë i qartë në këtë pikë. E para nuk ka një marrëveshje. Do krijojmë platformën edhe për shoqërinë civile. Opozitën e keni në Kuvend. Por po ju them që marrëveshje nuk ka
Presidenti në bazë të ligjit nuk jep plotfuqishmërinë. Presidenti jep autorizimin, plotfuqishmëria është kompetencë e ministrit të punëve të Jashtme. Unë i kam kërkuar dhënien e autorizimit Presidentit të Republikës, për të filluar punën konkrete. Se synojmë të arrijmë një marrëveshje.
Bushati: Emrat e negociatorëve nuk mund të diskutohen në publik
“Koncpeti i plotfuqishmërisë i cili i jap garanci palës tjetër që lista e këtyre njerëzve ka mbështetjen e instancës shtetërore. Lista e njerëzve mbi bazën e këtij ligji është e rëndësishme që të jetë mbi bazën e përfaqësimit institucional.
Presidenti ka kërkuar emrat, CV e tyre dhe ne ja kemi vënë në dispozicion emrat funksionet dhe CV. E ka bërë publik faktin që ka kërkuar verifikim për këta emra.
Ne kemi bërë verifikimin tonë. Institucionet do të përgjigjen për këtë cështje por nuk është normale për një shtet që të diskutojmë emrat në publik.
Përgjegjësia në këtë proces është përgjegjësi politike. Kush ka vërejtje për emrat i drejtohet instancave shtetërore. Parlamenti nuk është Shërbim Informativ, kush ka interes për të ditur historinë e X apo Y le ti drejtohet instancave përkatëse. Është gabim i madhe të merresh me individët”– u shpreh ministri Bushati.
Debate me Palokën
Në komision nuk ka munguar edhe debati me opozitën. Bushati është përplasur me Palokën, ndërsa ka shtuar se në këtë proces ka vetëm tre ‘halle’.
“Mos më ngri zërin. Egos, paranojës, dhe Saliut Nuk kam cfarë t’u bëj këtë proces. Këto janë tre hallet e mëdha’ tha ai.
Ndërkohë që në këtë moment ka ndërhyrë kryetarja e Komisionit Mimi Kodheli duke i kërkuar që të ruajë etikën.
Negociatat
Kjo është hera e dytë që brenda më pak se një muaji, Ditmir Bushati thirret në seancë dëgjimore përpara Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, për marrëveshjet me Greqinë.
“Seancë dëgjimore me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme SH.T.Z. Ditmir Bushati mbi kërkesën Nr. 609, datë 16.02.2018 (lidhur me marrëveshjen Shqipëri – Greqi për delimitimin e shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare). Çështje të tjera. Të ftuar: Z. Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme; Z. Glevin Dervishi, Keshilltar i Ministrit; Z. Armand Skapi, Drejtor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane”- thuhet në rendin e ditës së Komisionit për Politikën e Jashtme.
Për herë të parë që prej takimit të Korçës, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati do të informojë deputetët e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme lidhur me bisedimet që ai ka zhvilluar me homologun e tij grek Nikos Kotzias për marrëveshjen e detit me Greqinë dhe jo vetëm.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme do të jetë paraditen e sotme në një seancë dëgjimore lidhur me negociatat me Greqinë, ku ai do të japë shpjegime të hollësishme jo vetëm për atë çfarë është biseduar deri më tani, por edhe se çfarë pritet të ndodhë në vizitën që kryeministri grek Aleksis Tsipras do të zhvillojë në Tiranë.
Ndërkohë në tavolinën e Presidentit të Republikës ka mbërritur dosja voluminoze me përgjigjet për kërkesat e Kreu të Shtetit mbi objektin e marrëveshjes, minutat e takimeve, ekipin e negociatorëve. Bie në sy se ka ndryshuar objekti i kërkesës për autorizim që kërkon Ministri i Jashtëm.
Nga shkresa e datës 12 shkurt ku thuhej sipas Metës në mënyrë të paqartë se objekti është ” përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën greke”, në “marrëveshje ndërmjet RSH dhe RG për delimitimin e zonave detare”.
Burime pohojnë se përveç objektit të formuluar si më lart, presidentit Meta i janë dorëzuar edhe rekomandimet e ekspertizës, konkluzionet e takimeve të ndryshme, projekti i marrëveshjes, parimet si dhe metodologjia që negociatorët mendojnë se do të ndjekin.
Publikimi i emrave të grupit negociator i ktheu në tabelë sulmesh politike, siç ishte rasti i Artur Meçollarit, të cilin ish-kryeministri Berisha e quajti spiun, ndërsa Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se zotëron cerfitikatën e sigurisë dhe se deri në vitin 2017 ka qenë këshilltar i komandantit të Forcave të NATO-s në Afganistan, John Nicholson.
Kryeministri Rama gjatë konferencës me Presidentin e KE-së Juncker, të dielën e 25 shkurtit 2018, pranoi faktin se Meta e ka tashmë përgjigjen e Ministrisë së Jashtme dhe kishte shpresë që Presidenti do të bëjë detyrën e tij.
12 negociatorët me Greqinë
Bashkëkryetar
Armand Skapi nga Ministria për Europen dhe Punet e Jashtme
Gjeneral Major Ylber Dogjani, Komandant i Flotës Detare
Anëtarë
Artur Meçollari, i larguar nga ushtria ne vitin 2012
Arsen Mullai
Viktor Doda
Aida Hajno, zv/drejtoresha e Policisë
Ardjan Bylyku, drejtori i AKBN
Elira Kokona, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë,
Ferdi Hyraj nga Instituti i Gjeografisë
Luan Përzhita nga Instituti i Arkeologjisë
Loren Çela, Drejtor i Institutit të Gjeohapësirës
Qirjako Qirko, Ambasador në Londër