Presidenca reagon për KQZ: Po mbajmë shënim grupet vendase e të huaja që kërkojnë destabilizim

Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka reaguar sot lidhur me tensionet që janë zhvilluar në disa bashki për zgjedhjet. Në zbatim të dekretit për anulimin e datës së zgjedhjeve, gati gjysma e bashkive kërkojnë pezullimin e procesit që kërkohet të vijohet nga PS në shkelje të dekretit të kreut të shtetit. Ndërkohë KQZ, anëtarët e PS në këtë institucion, kërcënuan drejtuesit e bashkive se do të përballeshin me ndëshkime ligjore.

Lidhur me këtë situatë që prodhon tensione në vend, zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, u shpreh se Presidenca po mban shënim gjithë grupimet që po tentojnë të krijojnë tensione dhe kërkojnë destabilitetin e Shqipërisë.

“Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë.  Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”,- deklaroi zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.

SHKARKO APP