Presidenti: Aktorët e brendshëm ose të jashtëm që tentojnë të nxjerrin Shqipërinë nga rruga e BE do të mbajnë përgjegjësi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim të përzemërt Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë dhe potencialin e thellimit të tyre veçanërisht në aspektin ekonomik. Presidenti çmoi mbështetjen e sinqertë të Hungarisë në procesin e integrimit europian dhe veçanërisht për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me BE.
Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që ka zbatimi i të gjitha prioriteteve që kushtëzojnë një vendim pozitiv të Këshillit Evropian vjeshtën e ardhshme, duke nënvizuar reflektimin e palëve sa më parë për dialog dhe zgjidhjen e krizës që po përjeton vendi dhe rikthimin në normalitetin e respektimit të shtetit ligjor.
“Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane e njëkohësisht të gjithë aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”, – theksoi Presidenti Meta gjatë takimit.

SHKARKO APP