Presidenti Meta dekreton anëtaren e dytë të Gjykatës Kushtetuese
Presidenti Ilir Meta, pas kthimit nga Forumi i Paqes në Francë, ka firmosur sot emërimin e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, që sipas ligjit i takon ta përzgjedhë kreu i shtetit.
Në faqen e Presidencës është botuar dekreti i emërimit të “znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese”.
Burime nga Presidenca informojnë se sapo mbërriti në Rinas Presidenti firmosi dekretin për emërimin e vakancës së tij të dytë. Në bazë të ligjit për Gjykatën Kushtetuese kreu i shtetit përzgjedh dy anëtarë të kësaj gjykate. Më herët ai ka emëruar Besnik Muçin.
PS ka kundërshtuar këtë procedurë dhe, duke shkelur ligjin, ka tentuar të emërojë një tjetër kandidate. Me procedura të parregullta ligjore, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe PS tentuan t’i marrin kreut të shtetit kompetencën për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses. PS ka vendosur që pa votim të kalojë si anëtare kandidaten, Arta Vorpsi.
Lidhur me procedurën ligjore që ka ndjekur kreu i shtetit, sot në orën 20:00, Presidenti Ilir Meta do të zhvillojë një konferencë për mediat.
Dekreti i kreut të shtetit
DEKRET “PËR EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE”
Në mbështetje të neneve 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administrova “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019”, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimet nr.132, datë 21.09.2019 dhe 133, datë 21.09.2019; pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019 dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi me nr.714 prot, datë 07.11.2019; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të,
Dekretoj;
Neni 1
Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 11350
Tiranë, më 13.11.2019
PRESIDENTI I REPUBLIKËS, ILIR META