Presidenti i Bundestagut Gjerman, Prof. Dr. Norbert Lammert pret Metën
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua në Berlin me Presidentin e Bundestagut Gjerman, Prof. Dr. Norbert Lammert.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta dhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, Lammert vlerësuan marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke evidentuar në veçanti nivelin e lartë të shkëmbimeve parlamentare gjatë viteve të fundit.
Kryetari i Kuvendit Meta e informoi Presidentin Lammert mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri duke veçuar miratimin me konsensus të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen gjermane.
- Meta theksoi se pavarësisht lajmeve pozitive, “ne jemi të vendosur të avancojmë me zbatimin e reformës në drejtësi dhe me përmbushjen e të gjithë rekomandimeve të Komisionit në progres-raportin e fundit, dhe në këtë drejtim mbështetemi te Gjermania dhe te Bundestagu”.
Presidenti i Bundestagut, Lammert shprehu vlerësimin për progresin e arritur dhe vuri në dukje se çdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet të kalojë përmes fazave të vështira të rritjes së standardeve të qeverisjes sipas standardeve të BE.
- Lammert nënvizoi se Shqipëria i përket atyre vendeve me perspektivë të qartë në BE dhe në këtë kuadër “Shqipëria duhet të vazhdojë me implementimin e reformave të nisura sipas standardeve evropiane dhe në këtë drejtim mund të mbështeteni te përkrahja e Gjermanisë, ashtu si edhe në të kaluarën”.
Kryetari Meta dhe Presidenti Lammert biseduan gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë bindjen se në kontekstin e momenteve të sfidave aktuale në BE, Procesi i Berlinit është kyç për të motivuar dhe për të ruajtur perspektivën integruese të Ballkanit në BE, si tepër të rëndësishme për sigurinë mbarë evropiane.
Në përfundim dy Kryeparlamentarët dhanë një prononcim për mediat:
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta
Pyetje: Z. Meta sapo përfunduat një takim me homologun gjerman zotin Lamert. Për çfarë biseduat?
Meta: Ishte kënaqësi e veçantë për mua të pritesha nga Presidenti i Bundestagut, Prof. Lammert dhe ta njihja atë me zhvillimet pozitive në vend pas vizitës së tij në pranverë.
Në veçanti me votimin konsensual të reformës në drejtësi dhe me vendosmërinë tonë për të ecur drejt zbatimit të kësaj reforme mjaft të rëndësishme jo vetëm për forcimin e shtetit ligjor në vend, por njëkohësisht edhe për procesin e integrimit evropian.
Gjithashtu, edhe për të ndarë kënaqësinë e një rekomandimi pozitiv të Komisionit Evropian për të inkurajuar hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në momentin që ne do të tregojmë edhe më tej progres në zbatimin e kësaj reforme, por edhe të gjithë prioritete të tjera me BE-në.
Ne mbështetemi fuqimisht në përkrahjen e Gjermanisë dhe të Bundestagut për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe jemi të bindur që me progresin që do të realizojmë në të ardhmen do ta meritojmë këtë mbështetje.
Presidenti i Bundestagut Gjerman Prof. Dr. Norbert Lammert
Pyetje: Cilat janë pritshmëritë tuaja për palën shqiptare në të ardhmen?
Lammert: Një vazhdim konsekuent të rrugës së përshkuar bashkërisht gjatë viteve të fundit. Vetë vizita e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta është një tjetër tregues, se sa të ngushta janë marrëdhëniet mes dy vendeve tona në vitet e fundit.
Ka patur kaq shumë vizita në të dyja kahet, si nga ana e parlamenteve ashtu dhe nga përfaqësues të qeverive, sa të krijohet ndjesia se Shqipëria është tashmë prej kohësh një anëtare jo formale e klubit.
Për sa i takon anëtarësimit konkret në Bashkimin Evropian, Shqipëria mund të mbështetet te Gjermania, sikurse e theksova dhe gjatë takimit tonë, edhe për perspektivën e hapjes në parim të negociatave të anëtarësimit, por duhen përmbushur kriteret. Pa një dëshmi të përmbushjes së detyrimeve të marrëveshjes nuk mund të ketë anëtarësim dhe ne mbështesim me kënaqësi të gjitha përpjekjet, në veçanti në parlamentin shqiptar, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore, në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të miratohen, pasi edhe ato kërkojnë kohën e tyre, me shpresën për të patur një përfundim të suksesshëm.