Presidenti i Republikës nga LSI, ndryshe nuk ka koalicion LSI-PS

Ka filluar debati se kush do të propozojë Presidentin e Republikës. PS apo LSI- shtrohet pyetja. PS-ja synon ta marrë postin e Presidentit, nëse nuk kandidon Ilir Meta. Pra duke ditur se kreu i LSI, Meta, ka deklaruar prerë se do të jetë kryetar i LSI edhe me datë 19 qershor, një ditë pas zgjedhjeve, atëhere selia rozë ka filluar ta quajë pronë të saj emrin e Presidentit të Republikës. Kanë shpërndarë, si gjoja rastësisht, emrin e Mimi Kodhelit, ministres së Mbrojtjes. Mimi është kandidaturë shumë e mirë, porse edhe partitë e tjera kanë emra të pranuar nga publiku. Në këtë rast duket që LSI synon që Presidenti i Republikës të zgjidhet me këtë parlament dhe bile mbetet  si kusht negociatash edhe koalicioni. Dhe ngjitur me këtë parakusht vjen edhe kushti që emri të dalë nga LSI.

Ndonëse Presidenti i Republikës ka me pak kompetenca pas reformës në drejtësi, përsëri është Kryetari i Shtetit. Negociatat PS-LSI nuk vonohen vetëm për këtë kusht. Natyrisht që janë një sërë çështjesh të panegociuara në raport me të majtën, të cilat nuk kanë pse të mbarten deri me datën finale 18 prill, kur sipas Kodit Zgjedhor detyron partitë  të firmosin koalicionet, nëse duan të mos futen vetëm.

Debati LSI-PS për koalicionin, mosdurimi i Kryeministrit Rama, deklarata e tij te Sokol Balla se “tashmë koalicioni do ketë tre koka”, bindja në kupolën rozë se fitojnë me PDIU numrin 71 deputetë, etj po sjell fërkime, të cilat do çojnë në luftë nervash në të majtën e bashkuar, duke mos ndjerë PS dhe LSI se gremina e mosbashkimit është fare afër. Thuhet se PS ka shumë lekë për të blerë votat dhe kanë bindje totale se do ti blejnë, por nuk është kaq e thjeshtë blerja e votës, siç flasin nëpër qoshe ministrat e PS-së. Kjo bindje e PS-së se ka lekë për ti blerë votat bashkë me PDIU mund të sjellë të kundërtën; futjen e vendit në një kolaps pas elektoral, sa nuk dihet më se ku do jetë fundi i gropës. Shqipëria ka nevojë për një palë zgjedhje elektorale pa vjedhje votash, sepse akoma nuk dihet në të vertetë forca reale e çdo partie politike. Shto këtu se administrata e Presidentit Trump e cila do jetë shumë e ashpër me Edi Ramën nëse prek vota.

Duke u kthyer te Presidenti i Republikës, nëse PS e merr me vota të kudombledhura nëpër sallën e Kuvendit, ka mundësi të shënojë fundin e postit të kryeministrit nga radhët e PS-së pas zgjedhjeve.

S.Pruelli

SHKARKO APP