Presidenti Ilir Meta: Autoritetet të marrin masa urgjente për zjarret

Lezha dhe Gjirokastra janë dy qarqet që sot po përballen me një situatë të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve që kanë rënë. Në Gjirokastër Një zjarr i madh ka rënë këtë mesditë në majën e Shën Dëllisë, në kufirin midis Bashkisë së Tepelenës dhe Bashkisë së Memaliajt. Terreni shumë i thyer dhe shkaku se zjarri ndodhet shumë larg zonës së banuar (3-4 orë) ka bërë të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.
Në Shëngjin të Lezhës zjarri është afruar në qytet duke rrezikuar jo vetëm banesat, por dhe jetën e banorëve.
Për situatën e krijuar ka reaguar sot dhe Presidenti i Republikës. Në një njoftim për mediat, zyra e shtypit e Presidencës njofton se “Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim situatën aktuale të shkaktuar nga përhapja masive e zjarreve në disa qarqe të vendit, veçanërisht në Gjirokastër dhe Lezhë. Presidenti Meta inkurajon personelin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësitë e Emergjencave Civile, si dhe drejtuesit e pushtetit vendor në këto qarqe, për marrjen e menjëhershme të të gjitha masave efektive të emergjencës, për të neutralizuar vatrat e zjarrit dhe për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të cilët mund të rrezikohen nga përhapja masive e tyre”.
Kreu i shtetit u ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masa urgjente dhe të koordinohen për normalizimin e situatës. “Presidenti Meta duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, u bën thirrje dhe nxit institucionalisht autoritetet qendrore e vendore, për koordinimin në kohë, me qëllimin përballimin me efektivitet të situatës, për t’u ardhur në ndihmë zonave të prekura nga zjarret, veçanërisht për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve”,- deklaron Presidenti Meta.

VIDEO/Zjarri në Shëngjin

SHKARKO APP