Presidenti Ilir Meta takon Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo

Presidenti Ilir Meta është takuar në Uashington me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Takimi është zhvilluar gjatë ceremonisë së Mëngjesit të Lutjeve në SHBA.

Kreu i shtetit shprehet se me kryediplomatin amerikan kanë diskutuar për raportet mes SHBA dhe Shqipërisë, si dhe forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perendimor.

“Shumë i lumtur të isha sot në krah të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Uashington.
Folëm për partneritetin e shkëlqyer të dy vendeve tona dhe rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!?????“,- shkruan Presidenti Meta në një postimi në Facebook.

Po ditën e sotme kreu i shtetit dhe delegacioni që e shoqëron atë ka zhvilluar takime me një sërë personalitetesh me ndikim në politikën amerikane, në Senat dhe në Kongresin e SHBA. Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua me Kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.

“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, – nënvizoi Presidenti Meta. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike. “Është e domosdoshme, – theksoi Presidenti Meta, – nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

VIDEO/Takimi i Presidentit Meta me Kongresmenin Robert Aderholt

https://www.facebook.com/kohajone/videos/376052393207279/

Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Presidentin Meta për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.

Presidenti Ilir Meta në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit në Kongresin Amerikan nga kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme. Meta falënderoi kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti shprehu besimin se Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.

“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, u shpreh Presidenti Meta. Kongresmeni Eliot Engel nga ana e tij e siguroi Metën për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.

FOTOGALERI NGA TAKIMET E PRESIDENTIT META NË SHBA

SHKARKO APP