Presidenti Meta: 8-të pyetje Komisionit të Venecias për të shmangur krizën e zgjedhjeve

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në një konferencë me gazetarët ka komentuar kthimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend dhe dërgimin në Venecia. Kreu i shtetit tha e ktheu Kodin për të shmangur një krizë zgjedhore. Duhet kujtuar se ndryshimet në Kod u bënë të njëanshme, pasi opozita politike nuk ishte dakord me draftin final që u votua në Kuvend.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot nga selia e PS se, Parlamenti do e rivotojë sërish Kodin Zgjedhor të rikthyer për shqyrtim nga prsidenti i Republikës. Sipas tij, legjitimitetin e këtij parlamenti nuk mund ta verë asnjë në diskutim, për më tepër Ilir Meta.

Presidenti Meta i dha zero mundësi këtij skenari. ”Ka zero mundësi, ua kam thënë prej kohësh që në zgjedhjet e 25 prillit populli opozitar të mos përfaqësohet. Kjo ka zero mundësi”,-tha Meta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana tjetër, Presidenti bëri me dije pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias pas dekretit që ktheu për rishqyrtim ndryshimet e bëra më 5 tetor të Kodit Zgjedhor. Kreu i shtetit tha se kërkesa për opinion nga Komisioni vjen për “të shmangur një krizë të ardhshme zgjedhore, në kushtet kur ka përpjekje për të shtypur të drejtat e qytetarëve shqiptarë për interes të një pakice”.

Swiss Digital Mobile Reklama

1-A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate mes konkurrentëve pasi të ketë filluar procesi zgjedhor dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhor mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve për vetë cilësinë dhe besueshmërinë e tyre?

2-Nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë/ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë, sigurisë juridike, rregullave të barabarta të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e BE-së për zgjedhje demokratike? A e komprometojnë këto ndryshime procesin zgjedhor? A e komprometojnë ato stabilitetin politik nëse bëhen në ndryshim me konsensusin e arritur më 14 janar dhe 5 qershor nga shumica e partive politike?

3-A shkelet parimi i garancive proceduriale nëse ndryshime të tilla bëhen në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale?

4-Ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, a është procedura urgjente motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një parlament i kontestuar që nuk ka kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh?

5-A është në përputhje me standardet ndërkombëtare dispozita e futur rishtazi në Kodin Zgjedhor për të drejtën e kryetarit të një partie për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore?

6-A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi për mbledhjen e votave dhe shndërrimin në mandate, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore futjen e listave të hapura? Në rast se legjislacioni miraton lista të hapura ndërsa mekanizmi i koalicioneve zgjedhore dhe formula e ndarjes së mandateve do të mbeteshin ato që ishin në fuqi a do të ishin këto në përputhje me standardet e BE-së?

7-A i dëmton të drejtat e partive politike imponimi i njëanshëm i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me një listë unike?

8-Duke pasur në konsideratë situatën cilat do të ishte zgjidhja e pranueshme për të siguruar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet evropiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuar nga të gjithë aktorët politikë në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore?

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?