Presidenti Meta deklaron: Zgjodha Presidencën me mendje, jo me zemër

https://www.facebook.com/1477517792294489/videos/1477568872289381/

Ilir Meta është zyrtarisht President i Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia e betimit u zhvillua në Parlamentin e Shqipërisë. Seanca drejtohet nga nënkryetarja e Parlamentit Valentina Leskaj, e cila lexoi dhe formulën e betimit, pas të cilës Ilir Meta deklaroi “Betohem”. Kjo ceremoni nënkupton dhe marrjen zyrtarisht të detyrës më të lartë shtetërore.

Në ceremoninë e betimit në Parlament janë të pranishëm dhe deputetët e opozitës. Në seancë ndodhen Kryeministri Edi Rama, kreu i deputetëve të PS-së, Gramoz Ruçi dhe deputetët e Partisë Socialiste. Nga PD-ja janë drejtuesit e grupit parlamentarë, deputetë të PD-së, si dhe ish-kryeministri Sali Berisha.  Në ceremoni kanë marrë pjesë gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik në vend.

Pas ceremonisë Meta ju drejtua me një fjalë deputetëve, dhe pas kësaj, të drejtohet për në ambientet e Presidencës.  Pas betimit në detyrën e tij të re, Ilir Meta nga foltorja e Kuvendit foli për herë të parë si president i ri i Republikës së Shqipërisë. Teksa falënderoi të gjithë të pranishmit, Meta pohoi se do të angazhohet në detyrën e tij.

Ai tha se do t’i shërbej frymës së konsensusit e dialogut. “E nderuar zonja Leskaj, i nderuar kryeministër, ministra, deputetë, miq e të ftuar ju falënderoj që jeni pjesë e kësaj ceremonie solemne. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe të shpreh angazhimin tim. Kushtueshmëria, respektimi i shtetit të së drejtës do jenë pjesë e punës time. 25 vit më parë u zgjodha si deputet në këtë Kuvend, e sot president. Reforma të qëndrueshme në mund të jenë produkt i një mazhorancë, por i një sipërmarrje kombëtare. Sot angazhohemi për forcimin e së drejtës, e klimës së biznesit aq e domosdoshme për të rinjtë tanë. Përpjekjet tona shtet formuese s’do kishin qenë të lehta pa bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërkombëtareve”,- tha Meta.

Deputetët e PS në seancën e betimit të Presidentit

Presidenti Meta gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend

Kryeministri Edi Rama në seancën e betimit të Presidentit, Ilir Meta

Diplomatët e SHBA dhe BE, në ceremoninë e betimit të Ilir Metës

 Fjalimi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në Ceremoninë e betimit në Kuvend

E nderuar Znj. Leskaj drejtuese e seancës,

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj deputetë,

Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,

Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,

Miq dhe të ftuar! Të dashur bashkëkombas!

Sot kam nderin e veçantë t’ju përshëndes përzemërsisht dhe me ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë Kushtetuese e qytetare, në cilësinë e detyrës më të lartë të Shtetit, në atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në këto momente solemne, duke përcjellë falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjodhi në këtë detyrë kaq fisnike, më lejoni që t’ju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në gërmë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mija Kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë.

Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale.

Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian.

25 vjet më parë u zgjodha deputet në këtë kuvend e sot më duhet të ndahem me jetën time parlamentare për të përmbushur një përgjegjësi të re dhe shumë të lartë, por i bindur në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Kuvendin në të ardhmen.

Në 25 vjet kam qenë pjesë aktive e opozitës dhe mazhorancës, kam përfaqësuar dy forca politike në detyrat nga më të rëndësishmet, kam qenë në vijën e parë të ballafaqimit politik por edhe të përpjekjeve për konsensus për realizimin e marrëveshjeve të rëndësishme për stabilitetin e të ardhmen europiane të vendit.

Ashtu sikurse 27 vjet më parë isha pjesë e lëvizjes studentore, thirrja e se cilës “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” mbetet akoma një projekt i pambaruar.

Unë besoj se papunësia, varfëria dhe emigracioni shqetësues i rinisë mbeten akoma “armiqtë” tanë të përbashkët të vërtetë.

Këto janë sfidat e përbashkëta më të vështira që duhen fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim e sidomos në emër të rinisë sonë dhe të ardhmes së vendit.

Reformat e qëndrueshme me rëndësi kombëtare, në funksion të forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të pavarësisë së tyre, nuk mund të jenë produkt vetëm i një mazhorance, por i një sipërmarrjeje kolektive kombëtare, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm.

Një vit më parë në këtë Kuvend miratuam me konsensus të plotë ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, e cila është vendimtare për të ardhmen europiane të vendit.

Sot angazhohem edhe si President, për të mbështetur zbatimin e drejtë e transparent të kësaj reforme në interes të forcimit të shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përmirësimit të klimës së biznesit aq e domosdoshme për të rritur ekonominë tonë më tej e sidomos për të krijuar vende pune të mirëpaguara për të rinjtë tanë.

Zonja dhe zotërinj, të nderuar miq,

Përpjekjet tona demokratizuese dhe shtetformuese nuk do të kishin qenë të suksesshme pa mbështetjen e pakursyer të miqve dhe aleatëve tanë, të partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian.

Shqipëria jonë është prej disa vitesh anëtare e barabartë në NATO dhe pranë hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Faktori shqiptar në rajon është në kohët e veta më të mira.

Kosova është shtet i pavarur dhe ne besojmë se së shpejti do t’i gëzohet liberalizimit të vizave me BE-në dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj.

Shqiptarët në Maqedoni janë me mundësi shumë më të mëdha se në çdo kohë tjetër për ta çuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në një stad të ri më cilësor.

Në Mal të Zi shqiptarët kanë qenë një faktor me peshë për ta orientuar shtetin e tyre drejt aleancave perëndimore.

Më shumë të drejta meritojnë shqiptarët e luginës së Preshevës, që do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë të pakursyer.

Pavarësisht statusit të tyre brenda shteteve ku ndodhen, si shumicë apo pakicë, shqiptarët kanë luajtur e po luajnë rol stabilizues, konstruktiv dhe emancipues në gjithë rajonin tonë.

Unë jam besimplotë për të vazhduar angazhimet tona maksimale për respektimin e të drejtave të pakicave etnike e kulturore në Shqipëri, në pajtim të plotë me Konventën Europiane dhe atë Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Me të njëjtën përgjegjësi që respektojmë pakicat brenda vendit nuk do të rreshtim së kërkuari prej vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të tyre.

Në botën e sotme, që shkon pandalshëm drejt proceseve globalizuese dhe ndërvartësisë së përgjithshme, oportunitetet, si dhe kërcënimet ndaj paqes dhe rendit botëror nuk njohin kufij gjeografikë.

Prandaj ne do të vazhdojmë t’u përgjigjemi pozitivisht detyrimeve tona për zgjidhje të përbashkëta.

Përkrah me partnerët tanë euro-atlantikë, ne do të luajmë rolin që na takon në sfidat e përbashkëta, të cilat, drejtpërsëdrejti a tërthorazi, prekin edhe sigurinë tonë kombëtare, dhe këtu kam parasysh në radhë të parë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Të nderuar kolegë deputetë!

Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu.

Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin.

Duke ju falënderuar të gjithëve dua t’ju siguroj se në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të lartë që Kuvendi i Shqipërisë më ka besuar do të udhëhiqem vetëm nga dashuria e pakufishme për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke lënë pas bashkë me 25 vitet e mija në këtë kuvend çdo debat apo përkatësi politike që kam patur për t’iu përgjigjur lartësisë së re të detyrës së Presidentit të Republikës.

Vetëm Demokracia mund të më jepte mua mundësinë që të shërbeja edhe si Kryeministër, Kryetar Kuvendi e nga sot si President i Republikës.

Ndaj me ndjenjën e mirënjohjes për ju e për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë të cilët presin më shumë nga ne, dua t’ju siguroj se për Presidentin e ri, Shqipëria dhe Demokracia do të jenë gjithnjë të Parat.

Faleminderit!

Në orën 19:25, do të jetë Bujar Nishani ai që do të presë Metën në hyrje të Presidencës, e më pas të dy do të zhvillojnë një takim të shkurtër në zyrën e Presidentit të Republikës. Pas këtij momenti, Ilir Metës, i cili do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij dhe jo bashkëshortja Monika Kryemadhi, do t’i dorëzohet Kushtetuta e Shqipërisë, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ekzekutimi i Himnit Kombëtar, do të shoqërohet me 21 të shtëna topi që do të pasohen nga parakalimi i forcave të Gardës së Republikës. Edhe në Presidencë, Ilir Meta, do t’i drejtohet me një fjalë të gjithë të ftuarve. E në fund, në mënyrë simbolike ai do të përcjell presidentin në largim Bujar Nishani.

Momenti i betimit të Presidentit, Ilir Meta

Momenti i betimit të Presidentit, Ilir Meta

Deputetët e PD në seancën e betimit të Presidentit, Meta

VIDEO/CEREMONIA NË PRESIDENCË

https://www.facebook.com/1477517792294489/videos/1477600712286197/

Pas ceremonisë së betimit në Kuvend, Ilir Meta është drejtuar për në ambientet e Presidencës.

Në orën 19:25, Bujar Nishani priti Metën në hyrje të Presidencës. Më pas të dy zhvilluan një takim të shkurtër në zyrën e Presidentit të Republikës. Pas këtij momenti, Ilir Metës, ju dorëzua Kushtetuta e Shqipërisë, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta, ju drejtua me një fjalë të gjithë të ftuarve. Në mënyrë simbolike ai përcolli presidentin në largim Bujar Nishani.

Ekzekutimi i Himnit Kombëtar, do të shoqërohet me 21 të shtëna topi që do të pasohen nga parakalimi i forcave të Gardës së Republikës.

 

Ceremonia në Presidencë, Ilir Meta merr detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë

 

Pas betimit në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u drejtua në Presidencë për ceremoninë e marrjes së detyrës. Fillimisht, Meta është pritur në një takim kortezie nga ish-Presidenti të Republikës, Bujar Nishani në ambientet e Presidencës. Më tej, ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bashkë me Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, u drejtuan për nga hyrja kryesore të Presidencës për nisjen e ceremonisë.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar nga Banda e Forcave të Armatosura, i shoqëruar nga 21 të shtëna topi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i ka dorëzuar Presidentit Meta në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në vijim të ceremonisë, Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse ku i nënvizoi rëndësinë e dialogut, duke theksuar se do të ishte “besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit, si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si gjuha që ndërton komunikim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie”.  Fjalimi i Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës:

 ***

Ju falënderoj të gjithëve në këtë moment solemn të marrjes së përgjegjësisë së lartë shtetërore si President i Republikës. Një vlerësim të veçantë kam për presidentin Nishani, për qetësinë dhe qëndrimin e ekuilibruar institucional dhe njerëzor, me të cilin kam pasur mundësinë dhe kënaqësinë të bashkëpunoj edhe si Kryetar i Kuvendit në mjaft rrethana të zhvillimeve politike dhe komunikimeve ndërinstitucionale. Shteti shqiptar në 105 vitet e ekzistencës së tij ka mbi vete peshën e historisë së lashtë të një populli që ka krijuar ndër shekuj vlera madhore dhe njerëz të mëdhenj.

Lavdia e përbotshme e Skënderbeut, urtësia e Ismail Qemalit, mendimi vizionar i Sami Frashërit, humanizmi i Nënë Terezës, janë arsye krenarie dhe reflektimi të thellë e të vazhdueshëm. Të jesh në krye të këtij shteti që ia ka dalë t’u japë shqiptarëve këtë histori të denjë, është më shumë se përgjegjësi para Kushtetutës. Është përgjegjësi para historisë së qytetërimit të këtij vendi, populli e kombi. Unë sapo u betova përpara ligjvënësve shqiptarë duke u angazhuar solemnisht që të gjitha aftësitë e mija politike, morale dhe intelektuale do të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të vlerave më të larta, të bashkëjetesës, tolerancës dhe pranimit të ndryshimit si filozofia e vetme që sjell zhvillim. Përvoja politike më inkurajon të pohoj sot se gjithnjë ia ka vlejtur të mos kursehesh për të gjetur dhe eksploruar se çfarë na bashkon si për të bërë lëshimet e kompromiset e domosdoshme, për hir të mbarësisë kombëtare.

Dua t’ju riafirmoj sërish se jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si filozofi që ndërton mirëkuptim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie. Demokracia është jetike për një vend si i yni, të cilit i rëndon një e shkuar totalitare 50 vjeçare ku liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve u asgjësuan në emër të popullit. Do të punoj pa reshtur që shoqëria demokratike në Shqipëri të konsolidojë vlerat dhe liritë themelore si dhe të jetë vigjilente ndaj çdo cenimi të tyre. Demokracia dhe shoqëria demokratike janë themeli i lirive, të drejtave dhe mundësive të çdo qytetari për përfshirje, siguri dhe prosperitet.

Demokracia e ka dimension jetik lirinë e medias si formë e patjetërsueshme e shprehjes së opinionit, të kritikës, e të mendimit alternativ të shoqërisë në anën e interesit më të mirë publik. Në funksion të një shoqërie demokratike, të hapur dhe reflektuese, me bindje ju afirmoj se shoqëria civile si një vlerë dhe instrument vital i demokracisë do ta ketë gjithmonë vëmendjen dhe bashkëpunimin e institucionit të Presidentit të Republikës. S’mund të ketë një demokraci të shëndetshme e funksionale pa një shoqëri civile aktive, oponente, por edhe mbështetëse ndaj zhvillimeve më dinamike ekonomike e shoqërore për të cilat ka aq shumë nevojë vendi. Shqipëria evropiane që duam të ndërtojmë kërkon cilësi të lartë mendimi dhe profesionalizëm të spikatur, gjë që nuk mund të arrihet pa një përfshirje më aktive të botës akademike e universitare si niveli më i lartë i mendimit shkencor.

Dialogu me të do të jetë i vazhdueshëm dhe intensiv, për të dhënë zgjidhje sa të bazuara dhe solide për çështje ku mendimi shkencor është i pazëvendësueshëm. Aspirata e madhe evropiane e shqiptarëve nuk mund të matet e vlerësohet vetëm me përqindjet e rritjes ekonomike apo me gjithfarë statistikash e raportesh, qofshin ato edhe nga më optimistet. Unë do të jem i qetë se Shqipëria është vërtetë në rrugën e duhur vetëm kur të rinjtë e të rejat e vendit tonë ta duan Shqipërinë jo vetëm si vendlindjen e tyre por mbi të gjitha si vendin ku do të realizojnë me sukses ëndrrat e tyre.

Vetëm atëherë ne mund ta konsiderojmë të kryer e të përmbushur misionin tonë. Dhe unë jam i bindur se Shqipëria jonë i ka të gjitha mundësitë dhe resurset për ti realizuar plotësisht këtu ëndrrat e të rinjve dhe të fëmijëve tanë. Shqipëria do të bëhet evropiane këtu ku është, ndaj unë do të jem inkurajues i të gjitha reformave që kanë si qëllim pavarësinë e pushteteve, rikthimin e besimit te drejtësia, rritjen e besimit të qytetarëve tek shteti dhe institucionet.

Zonja dhe Zotërinj,

Kemi arsye të jemi optimistë sepse aleancat tona të jashtme janë sot më progresivet. Shqiptarët nuk kanë qenë ndonjëherë më të lartësuar si subjekte shtetformuese sa sot. Jemi anëtarë të NATO-s, një aleance që garanton rendin botëror dhe mbron të pambrojturit, që godet terrorizmin e diktaturat dhe mbështet demokracinë dhe lirinë. Jemi krenar për forcat tona të armatosura që kontribuojnë me përkushtim dhe sakrifica, jo vetëm në Afganistan por edhe në misione të tjera, në mbrojtje të lirisë e paqes së popujve të tjerë në botë. Si President i Republikës do të promovoj dhe inkurajoj me forcë gjithçka që forcon e konsolidon unitetin e Shqipërisë në të gjithë aspektet e tij. I ndërgjegjshëm se mundësitë tona janë modeste për të ndikuar ndaj rreziqeve të jashtme jam po kaq i bindur në mundësitë tona të pashfrytëzuara të brendshme për të forcuar stabilitetin e vendit, për të forcuar sigurinë kombëtare, për një rritje ekonomike më të lartë e gjithëpërfshirëse dhe për të përmirësuar cilësisht kredencialet demokratike të vendit. Ky është qëndrimi më patriotik, më efikas e më i dobishëm në një botë të trazuar ku shumë ngjarje dhe fenomene ndodhin jashtë nesh dhe ku mundësitë për të influencuar mbi to janë të kufizuara. Duke forcuar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal jam i bindur se do ti përballojmë edhe më suksesshëm këto sfida. Shqiptarët kanë zgjedhur me bindje rrugën e tyre të integrimit evropian dhe ky rrugëtim është në momente të reja të cilat kërkojnë ndërmarrjen e reformave të shpejta, të gjithanshme dhe këmbëngulje për ti çuar ato përpara. Personalisht, që nga Lëvizja Studentore në dhjetor të 1990, kam qenë mbështetës i palëkundur i rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe kam kontribuar pa reshtur gjatë gjithë veprimtarisë sime në politikë për të ecur sa më shpejt për realizimin e këtij objektivi. Sot si President i Republikës me të njëjtin motivim do të vazhdoj të mbështes dhe inkurajoj çdo reformë e bashkëpunim që shpejton anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Zonja e Zotërinj,

Ne shqiptarët kemi krijuar tashmë një kulturë të pranimit të njëri-tjetrit në ndryshim. Këtu e ka themelin edhe një nga kryevlerat tona, bashkëjetesa dhe toleranca fetare shembullore, e cila ka qenë edhe përçuese e një mesazhi paqeje e mirëkuptimi fetar që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe për të cilën jemi me të drejtë krenarë. Politika ka shume ç’të mësojë nga kjo tolerancë dhe ajo do të bëhet gjithmonë e më e dobishme dhe më e frytshme për qytetarët për të ecur në udhën e bashkëjetesës së mendimit ndryshe, të pranimit të alternativave, të së mirës së përbashkët. Le të na inkurajojnë vlerat themelore tradicionale të popullit shqiptar si toleranca, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi, që janë bekimi i këtij vendi, për të bërë punë të mbara për Shqipërinë. Më lejoni ta mbyll fjalën time duke perifrazuar Papa Françeskun, një mik të madh të Shqipërisë dhe promovues të pashoq të këtyre vlerave në gjithë botën, që vetëm pak ditë më parë në urimin e bërë, shkruante: “Lutem që për të gjithë shqiptarët të ketë bekime hyjnore për paqe dhe prosperitet”

Faleminderit!

VIDEO E CEREMONISË NË KUVEND

https://www.facebook.com/reporttval/videos/817494531744785/

Lexoni edhe:

Betimi dhe marrja e detyrës së Presidentit nga Ilir Meta (FOTO-VIDEO)

Meta betohet si President: Shqipëria dhe demokracia do jenë gjithnjë të parët

Meta: Vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje, betimin sot e bëra me zemër

Rama-Basha, deputetëve: Në sallën e parlamentit te betimi i Presidentit!

Diplomatët e SHBA dhe BE në betimin e Metës si President 

Majko: Historitë e fushatës kanë mbaruar. Me krahë të lehta Presidentit Meta

SHKARKO APP