Presidenti Meta: Është nder ti jap shtetësinë shqiptare Imzot George Anthony Frendo
Me rastin e 25-vjetorit të vizitës historike të Papa Shën Gjon Palit II në Shqipëri dhe të shugurimit ipeshkvor të katër ipeshkvijve shqiptarë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me zonjën Monika Kryemadhi dhe vajzat e tyre Borën dhe Erën, mori pjesë në meshën e mbajtur në Katedralen katolike të “Shën Palit” në Tiranë.
Presidenit Meta i dorëzoi personalisht dekretin e firmosur të dhënies së shtetësisë Arqipeshkvit Metropolitan të Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendos.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta theksoi se “është nder e privilegj të marr pjesë sot në këtë meshë kaq të veçantë, nëpërmjet së cilës, na u përcollën mesazhe paqeje, mirësie, dashurie e humanizmi, me shumë kuptim dhe të domosdoshme.
Por mbi të gjitha kjo meshë na ka mbledhur sot për të kremtuar një datë historike, një ngjarje të paharruar, jo vetëm për besimtarët katolikë, por për mbarë kombin shqiptar: 25 vite më parë, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë për të bekuar një popull martir dhe për ta frymëzuar e për t’i dhënë shpresë e besim popullit tonë duke na thënë se na priste një e ardhme shumë më e mirë, se rikthimi tek besimi dhe tek Zoti do ta bënte shoqërinë shqiptare më të paqme dhe më të begatë.”
Duke kujtuar atë vizitë të paharruar, Presidenti Meta theksoi: “Në shenjë mirënjohje për sakrificat e së kaluarës e në mbështetje të ringritjes së besimit katolik dhe hierarkisë së tij kishtare, po gjatë kësaj vizite, pikërisht më 25 prill 1993 Ati i Shenjtë do të shuguronte edhe katër ipeshkvijtë e parë shqiptarë të Kishës Katolike: Imzot Frano Ilinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
Ata, së bashku me qindra misionarë të tjerë, do të mbahen mend dhe do të nderohen si pionierët e përçuesit e besimit hyjnor dhe të ringritjes së Kishës Katolike në Shqipëri, pas errësirës së gjatë shpirtërore të regjimit komunist, i cili u mohoi shqiptarëve të drejtën e besimit te Zoti.”
Presidenti Meta përmendi në veçanti: “Jeta dhe vepra e të ndjerit Imzot Rrok Mirdita, do të mbetet një shembull i përkushtimit të thellë ndaj njerëzve veçanërisht ndaj më të pamundurve dhe si simbol i solidaritetit dhe sakrificës, ringritjes kombëtare dhe ringjalljes shpirtërore.
Në këtë ditë të veçantë për të dhe të gjithë bashkësinë katolike ne i përulemi me respekt dhe mirënjohje trashëgimisë së tij të vyer.”
Ndërsa më tej Presidenti i Republikës vuri në dukje se: “Jo rastësisht Imzot Rrok Mirdita, zgjodhi si Ipeshkëv Ndihmës të tij, Imzot George Anthony Frendo-n, i cili me fjalën e urtë dhe petkun fisnik të fesë u bë drejtues moral i bashkësisë katolike në Shqipëri.
Në vitin 1995, kur ai ishte Epror Provincial i Meshtarëve Domenikanë Maltezë, Eprori Gjeneral i Urdhrit i sugjeroi të hapte një mision në Shqipëri, mision të cilin e hapi në vitin 1996 në Sukth të Durrësit.
Ai erdhi si misionar në Shqipëri në korrik 1997 dhe pas dy vitesh, së bashku me Imzot Rrok Mirdita u zhvendos në periferinë e Durrësit, për të përhapur fjalën e Zotit për t’u shndërruar shumë shpejt në ‘bariun’ e ‘grigjës’ së komunitetit katolik që kishte zbritur nga Mirdita.
Të shumtë janë banorët e asaj zone që edhe sot kujtojnë me nderim, mirënjohje dhe vlerësim kontributin dhe përkushtimin, cilësitë dhe modestinë e tij, dashurinë për njerëzit, për familjen, dhe fjalën e tij të magjishme drejt rrugës së veprave të mira dhe zemrave të dlira.
Imzot Frendo u shërbeu dhe kontribuoi me shpirt për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë jo vetëm shpirtërisht, por edhe duke u ndërtuar atyre shtëpi e banesa.
Imzot Frendo është gjithashtu një nga frymëzuesit dhe arkitektët e shumtë të ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë së besimeve.
Falë nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë e shërbime qindra njerëzve në nevojë si dhe janë krijuar vepra serioze të strukturës sociale duke e shndërruar Kishën Katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.
Imzot George Anthony Frendo vjen nga Malta, një vend shumë mik me Shqipërinë, një ishull i bukur në qendër të Mesdheut, me shumë afërsi historike me vendin tonë dhe i vendosur në udhëkryq të civilizimeve dhe kulturave të lashta.
Duke vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë e tij të spikatur, prej më shumë se 20 vitesh, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare dhe duke e falënderuar përzemërsisht për gjithçka ai ka bërë për komunitetin katolik, por jo vetëm, tanimë edhe si Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë–Durrësit e Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, kam nderin dhe privilegjin t’i akordoj Imzot George Anthony Frendo, dhënien e shtetësisë shqiptare.”
Edhe Nunci Apostolik në Tiranë, Imzot Charles Brown i pranishëm në meshë, e përgëzoi Imzot George Frendon duke theksuar se: “tani u bëtë një shqiptar i vërtetë.”
Ndërsa Imzot Frendo, i emocionuar, duke falënderuar Presidentin e Republikës, vuri në dukje: “Presidenti më ka nderuar sot duke më dhënë shtetësinë shqiptare. Çfarë do të ndryshojë në jetën time ky fakt? Nuk mund të them se do të ndryshojë sjelljen time, sepse gjithmonë e kam dashur Shqipërinë, e kam dashur popullin shqiptar, por nëpërmjet këtij nderi sigurisht që do të ndihem më shumë afër jush, madje njëri prej jush. Dhe vërtet jam shumë i gëzuar”
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1308568552601597/