Francë. Presidenti Meta i ftuar nderi në Konferencën “Mesdheu i së Ardhmes”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i ftuar nderi në Konferencën ndërkombëtare të zhvilluar në Marsejë me temë “Mesdheu i së Ardhmes”. Në hapjen e seancës plenare të kësaj Konference, pas nderimit që iu bë Antoine Sfeir-it, politologut dhe gazetarit franko-libanez të specializuar për botën arabe dhe myslimane, Presidenti i Rajonit të PACA-s, Renaud Muselier, duke iu drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, theksoi:
”Prania juaj mes nesh është një nder i madh. Ky Akt i dytë mbahet nën patronazhin tuaj. Ju jeni Kryetari i një shteti të rëndësishëm në pellgun e Mesdheut, i një kombi krenar dhe trashëgimtar i një historie kaq të pasur. Miqësia juaj për Francën është e patundur dhe dashuria juaj për Marsejën u tregua edhe një herë. Të gjithë të rinjtë e Mesdheut të pranishëm sot do të shkëmbejnë, propozojnë nën vëmendjen dashamirëse të një Kryetari Shteti. Ky është, e ripërsëris, një fat dhe nderim i madh. Miqtë e mi të dashur, është koha për të filluar këtë ditë të pasur. Ju faleminderit të gjithëve dhe rroftë Mesdheu i së ardhmes”.
Në fjalën e tij drejtuar kësaj Konference ndërkombëtare, Kreu i Shtetit u shpreh: “Ju faleminderit shumë që më rikthyet në Marsejë për t’ju drejtuar Konferencës ‘Mesdheu i së ardhmes’ ku ka të pranishëm kaq të rinj! Pas të gjitha këtyre fjalëve vëzhgimeve të mprehta dhe informuese, dëshiroj të paraqes disa reflektime mbi këtë temë nga këndvështrimi i Shqipërisë. Vitin e kaluar zhvillova një vizitë të mrekullueshme në Marsejë, duke pasur mundësinë e madhe të takoja Presidentin Muselier dhe personalitete të tjera të shquara dhe profesionistë. U largova me përshtypjet më të mira dhe u frymëzova me të vërtetë nga arritjet dhe mundësitë fantastike që pashë gjatë kësaj vizite.
I paraqita Renaudit dëshirën time për të krijuar një bashkëpunim të strukturuar me Rajonin PACA, një nga rajonet më të bukura dhe më të begata të Francës dhe të Mesdheut. Duke qenë një motor i fuqishëm ekonomik, që renditet në vendin e tretë më të pasur në Francë dhe në të 19-in në nivel europian, PACA është një shembull i gjallë i potencialit të madh të Mesdheut.
Shqipëria, përveç se një vend ballkanik, është gjithashtu pjesë e pellgut të Mesdheut. Ne jemi zotuar të vëmë në pah e të theksojmë edhe më tej dimensionin tonë mesdhetar, duke pasur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm që mund të përdoret në të mirën dhe përfitimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve tanë, duke forcuar lidhjet tona dhe bashkëpunimin.
Potenciali i këtij rajoni qëndron në shumëllojshmërinë e tij duke qenë i rrethuar nga tre kontinente dhe në mendësinë pioniere që zotëron për ta parë atë si një mundësi dhe jo si një kërcënim. Ky është një shans ideal për të rinjtë që duan të ndërtojnë një të ardhme sipas dëshirës dhe pëlqimit të tyre.
Të rinjtë, nga natyra, rrezikojnë, por “të rinjtë e mijëvjeçarit të ri” janë po ashtu eksplorues dhe kanë tejkaluar e kapërcyer të gjithë kufijtë tradicionalë për të vendosur një marrëdhënie të re me botën. Kjo krijon një hapësirë inovative në Mesdhe, ku kulturat, perspektivat dhe përvojat e ndryshme mund të bashkëveprojnë për të përfituar në mënyrë të barabartë nga pikat e forta dhe dobësitë e njëri-tjetrit.
I mirëprita fjalët dhe vëzhgimet e folësve të shquar të mëparshëm, të cilët përvijuan nisma konkrete që nxisin bërjen e një aleance thelbësore midis rinisë dhe inovacionit për të karakterizuar Mesdheun e së ardhmes. Jam dakord me përfundimin e tyre se lëvizshmëria dhe edukimi i të rinjve përbëjnë çelësin që do të sigurojë suksesin e saj.
Pellgu i Mesdheut është i bekuar që ka gjithashtu shtrirjen e kufirit të Bashkimit Europian në këtë rajon. Shqipëria është një vend kandidat për në BE dhe tashmë përfiton nga shumë programe europiane që synojnë fuqizimin e rinisë. Dhjetëra mijëra studentë shqiptarë studiojnë në shkollat dhe universitetet europiane. Qindra syresh janë përfitues të drejtpërdrejtë të trajnimeve profesionale vendore. Shkëmbimi i studentëve po bëhet edhe më i shpeshtë, siç është binjakëzimi midis universiteteve dhe kolegjeve publike dhe private.
Ne jemi ende shumë larg përsa i takon potencialit tonë të mundshëm në industrinë detare dhe të turizmit. Kjo është arsyeja pse e përcaktuar me përparësi këtë sektor strategjik, duke pasur parasysh gjithashtu ofrimin e një risie të re ende të paeksploruar, të pajisur me perspektivë për zhvillim të mëtejshëm. Duke mësuar nga shembujt e ndritur e të ngjashëm me Rajonin e PACA-s, djemtë dhe vajzat e reja shqiptare mund të kanalizojnë arsimin e tyre në këtë fushë dhe të bëhen liderët e ndryshimeve të së nesërmes në bregdetin e gjatë perëndimor të Shqipërisë.
Sektorë të tjerë potencialë përfshijnë bujqësinë dhe TIK (Teknologjitë e Informimit dhe Komunikimit), të cilat kanë filluar të lulëzojnë tashmë në vendin tim. Financimi i BE-së për sipërmarrjet fillestare në këto fusha ka qenë i konsiderueshëm, edhe falë aftësisë së këtyre të rinjve që kanë mësuar të flasin me gjuhën e Bashkimin Europian.
Përveç kësaj tablojeje emocionuese, më duhet të pranoj që edhe ne hasemi e përballemi me sfida serioze. Lëvizshmëria e të rinjve mund të jetë një diçka e mirë e mund të konsiderohet si bekim por, në njëfarë mënyre, ajo mund të shndërrohet edhe në një mallkim, nëse njerëzit nuk kthehen sërish në vendin e tyre.
Fatkeqësisht, në rajonin e Ballkanit, kjo dukuri po bëhet më shqetësuese, pasi të rinjtë e kanë më të lehtë të largohen dhe të rehatohen në një jetë më mirë, në vend që të qëndrojnë në atdheun e tyre dhe të përpiqen e të luftojnë për ta ndryshuar atë.
Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për zhvillimin tonë ekonomik dhe kohezionin social. Nëse nuk trajtohet në shkaqet dhe rrënjët e tij, ai mund të prodhojë një cikël të rrezikshëm vicioz që vështirë se mund të shpërthehet e të këputet.
Prandaj unë konsideroj se nuk ka gjë më të rëndësishme se mbajtja e të rinjve tanë të mbushur plot shpresa dhe të motivuar për të jetuar dhe punuar në Shqipëri.
Ne duhet ta kombinojmë arsimin edhe më cilësor me mirëqeverisjen dhe politikat publike që u japin përparësi investimeve të mbështetur në aftësitë për të cilat ka nevojë ekonomia jonë dhe sektori privat. E ardhmja është pasqyrim i ambicieve, udhëheqjes dhe aftësive të rinisë së sotme. Detyrimi ynë është që të jemi udhërrëfyesit e tyre në mënyrë që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet.
Ne na duhet të pajisim me dije dhe fuqi shumë të rinj anembanë Mesdheut për të garantuar një Mesdhe më të sigurt dhe akoma edhe më të begatë, sepse rajoni mesdhetar është më i bukuri në botë, me potenciale të mëdha për një rritje dhe zhvillim më të shpejtë, të mbështetur në burimet tona natyrore. Kështu që e ardhmja e rajonit tonë varet nga arsimimi më i mirë dhe motivimi i brezave tanë të ardhshëm!”.
Të pranishëm në këtë Konferencë ishin Ministra dhe deputetë të vendeve të Mesdheut dhe të organizatave ndërkombëtare të rajonit.