Presidenti Meta: Autorët e krimeve ndaj medias të vihen para drejtësisë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për raportin e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, i cili e rendit Shqipërinë në vendet ku klima e lirisë së mediave ka pësuar rënie.

Presidenti Meta shprehet se “zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një kambanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve”.

Kreu i shtetit u bën apel institucioneve që të vendosin para drejtësisë autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias. “Apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre. Shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik”,- shkruan Presidenti Meta.

 Reagimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta:

“Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias.

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një kambanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.

Angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.

Neni 49 i Traktatit të Lisbonës e përcakton qartë garantimin e lirisë së shprehjes dhe një vend i cili synon t’i bashkohet BE-së duhet të respektojë garantimin e saj.

Liria e medias është jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit.

Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.

Shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik”.

Gazetarët pa kufij: Rënie e lirisë së medies në Shqipëri

Organizata “Gazetarët pa kufij”, me seli në Paris, vlerëson në raportin për lirinë e medies se urrejtja ndaj gazetarëve në Shqipëri. Në raportin që vlerëson shkallën e lirisë së medies në 180 vende, Norvegjia është e para, ndërsa vendin e fundit e zë Turkmenistani, që është radhitur madje prapa Koresë së Veriut.

Shqipëria vjet ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh. Në raport thuhet se “sulmet mbi mediet, qoftë nga qeveria apo krimi i organizuar, arritën shkallë të pashembullt në vitin 2018. Gazetarët ishin cak i fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe përndjekjeve ligjore, me qëllim të frikësimit dhe pengimit të hetimit të korrupsionit. Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cilësuan ata si ‘kazan’ dhe ‘prodhues të lajmeve të rreme’. Kryeministri propozoi një ligj të projektuar për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediet elektronike dhe, sipas kritikëve, të kufizojë qasjen në lajme dhe informacione”.

Raporti përmend një studim të përbashkët të “Gazetarëve pa kufij” dhe BIRN-it i publikuar në muajin mars të vitit të kaluar, i cili ka gjetur shumë probleme në mediet shqiptare. “Standardet rregullative janë manipuluar në interes të qeverisë dhe pronësia mbi medien transmetuese është përqendruar në duart e pak afaristëve të mëdhenj. Kjo, ka krijuar një situatë në të cilën auto censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në ardhmërinë e tyre profesionale”, thuhet në raport.

SHKARKO APP