Presidenti, kryeministrit: Kujdes, mos e ço vendin drejt konfrontimit!
Presidenti Meta, duke dalë nga një takim, u pyet nga gazetarët për krizën politike dhe vendimin e kryeministrit Rama për të shkuar në zgjedhje pa opozitën.
Presidenti tha që në fillim se “Mendoj që kjo situatë nuk duhej të ekzistonte kurrsesi, mbas 22 vitesh që kur Shqipëria u nda me vitin ‘97, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa krejtësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin ’90”.
Ai tha se askush nuk duhet të guxojë ta fusë vendin në përplasje e konfrontim. Ata që e bëjnë këtë konfrontim (nënkupto kryeministrin) që shkojnë në zgjedhje pa opozitën, ndërkohë që jemi në demokraci, duhet të mendohen mirë për pasojat. Me tej, ai tha se palët politike e dinë mirë se ç’duhet të bëjnë, ndaj i bëri thirrje kryeministrit se do të mbajë përgjegjësi për konfrontimin që mund të ndodhë.
Presidenti Meta theksoi se “Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më tepër tek Presidenti i Republikë. Palët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë”.
Përgjigjet e Presidentit Meta erdhën fill pas qëndrimit të egër dhe të prerë të kryeministrit Rama mbrëmë në “Opinion” ku ndonëse iu kërkua nga analistët të mos shkohet në zgjedhje me 30 qershor pa opozitën, ai përsëri tha prerë se “zgjedhjet do t’i bëjë edhe vetëm”.
Opozita ka deklaruar se nuk do të lejojë të zhvillohen zgjedhje farsë me 30 qershor, kurse kryeministri po shkon me kokëfortësi i vetëm në këto zgjedhje, çka do të sjellë konfrontim civil mes popullit për fajin e politikës.