Presidenti Ilir Meta: Kushtetuta, vija e kuqe për marrëveshjen e detit me Greqinë
Kreu i shtetit, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat për të sqaruar qëndrimin e institucionit të Presidentit për marrëveshjen e detit me Greqinë.
Presidenti tha se u detyrua të publikojë sot korrespodencën me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) për të bërë më shumë transparencë për qytetarët lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë. Ai tha se Kushtetua dhe Ligji janë vija e kuqe për këtë marrëveshje, jo vetëm për Presidentin, por për çdo institucion shqiptar. Duke shpjeguar arsyet e publikimti të korrespodencës së Presidencës me MEPJ, Presidenti shtoi se “nuk mund të firmosë një letër të bardhë me disa probleme që duhen saktësuar”.
Presidenti theksoi ligjet dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe sqaron gjithë procedurën që duhet të ndjekë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme për marrjen e plotfuqishmërisë dhe vijimin e negociatave.
Meta: Nuk synoj të drejtoj negociatat me Greqinë
I pyetur nëse më këto qëndrime Presidenti po kërkonte të drejtonte bisedimet me Greqinë, Meta tha: “Presidenti nuk synon që të bëjë edhe atë rol që ia jep Gjykata Kushtetuese, që të ulet dhe drejtojë bisedimet, sepse nuk do të ishte mirë as për Presidentin dhe as për shtetin, sepse Presidenti nuk është ekspert. Presidenti ka për detyrë të përmbushë të gjitha përcaktimet, lidhur me titullin, objektin, kufijtë që do të negociohen, metodologjinë dhe ekipin negociator. Presidenti nuk ka nevojë të caktojë njeri atje, sepse është delegim i besimit në emër të shtetit. Të gjithë ata janë njerëz të besuar të shtetit. Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht dhe me disa probleme të cilat kanë nevojë që të saktësohen”, tha Meta.
I pyetur nëse Presidenti po e shfrytëzonte politikisht këtë negociatë, kreu i shtetit tha qartë se për një çështje kaq të ndjeshme nuk mund të bëhen lojëra politike.
Në konferencën për mediat, Presidenti komentoi dhe një prej argumenteve të mazhorancës, që thotë se kreu i shtetit e kontrollon marrëveshjen në fund, kur të shkojë për dekretim. Presidenti Meta tha se kreu i shtetit nuk mund të informohet në fund për ecurinë e marrëveshjes duke u vendosur para faktit të kryer.
“Qëllimi im nuk është dhe aq do të jetë të bëjë lojë politike në marrëdhënie me fqinjët, aq më tepër për një çështje kaq delikate. Presidenti nuk mund të reagojë në fund, nuk mund të vendoset para faktit të kryer dhe më pas të thotë se nuk jep besimin për nënshkrimin e marrëveshjes, sepse kjo do të thellonte krizën. Presidenti ka detyrë nga fillimi deri në fund të ndjek procesin…”,- tha Presidenti, Ilir Meta.
Presidenti Meta ka sqaruar dhe debatin ku është përpjekur Ministria e Jashtme të kanalizojë çështjen. Sipas ministri Bushati, Presidenti sipas ligjit jep vetëm autorizim.
Ndërkohë Presidenti Meta tha se “unë zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese që është më i rëndësishëm se çdo ligj. Nëse mazhorncës nuk i pëlqen ky vendim i Gjykatës Kushtetuese le të shkojë ta ankimojë. Për mua nuk ka asnjë problem”.
Para gazetarëve, Presidenti Meta solli disa raste paraardhëse kur Ministria e Jashtme ka kërkuar plotfuqishmërinë për marrëveshje ndërkombëtare. Ai tha se në këto kërkesa, që janë shumë më pak të rëndësishme sesa marrëveshja e detit, Ministria ka sjellë emrat e negociatorëve, objektin e marrëveshjes dhe gjithë detajet që duhen për negociata të tilla.
“Nuk më ka ardhur asnjë informacion zyrtar nga MEPJ mbi diskutimet me Greqinë”
I pyetur nëse ndjehet nën presion, duke qenë se Rama do të takohet në pranverë me Tsipras, Meta u shpreh se askush nuk mund ta imponojë atë të mos përmbushë detyrimet. Meta thotë se që nga marrja e detyrës nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga ministria në lidhje me negociatat me Greqinë.
“Axhenda e cilitdo personalitet të nderuar nuk mund të më imponojë mua apo askujt, që të mos përmbush detyrimet e mia, transparente dhe përfundimtare të një marrëveshje që duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha marrëveshjet që janë në kompetencën e saj të plotë sipas kushtetutës, por në këtë çështje ua bëra të qartë se kush është qëndrimi i Presidentit të Republikës. Deri më sot, që nga marrja e detyrës, nuk ka asnjë informacion zyrtar nga MEAJ lidhur me diskutimet që janë bërë me Ministrinë e Jashtme të Greqisë. Ja kam bërë të qartë Bushatit, se për këtë çështje kaq të rëndësishme, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar, për të evituar çdo lloj keqkuptimi për cilindo. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion. Unë jam i qetë, i duruar. Unë e urrej protokollin, por unë mund të përgjigjem vetëm për sjelljet e mia kushtetuese institucionale”, shprehet Meta.
“Detyra e Presidentit është të respektojë Kushtetutën”
Ndërkohë, sa i përket qëndrimit të opozitës, që kjo çështje të shkojë me mirëkuptimin e të dy shteteve në gjykatën ndërkombëtare, Meta përsëriti edhe njëherë se për këtë çështje ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se respekton edhe qëndrimin e opozitës dhe se gjykata ndërkombëtare është një mundësi.
“Qëndrimi i opozitës ose përfaqësuesit të saj ka qenë që kjo çështje duhet të zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare me mirëkuptim mes palëve. Sigurisht që është një mundësi. Qeveria ka synuar dhe synon që kjo çështje të zgjidhet përsëri përmes negociatave. Duke respektuar qëndrimin e opozitës, ka të drejtën e saj, njëkohësisht respektoj qëndrimin e qeverisë për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje përmes negociatave të reja, por duhet të theksoj se për këtë çështje ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një vijë e kuqe për të gjithë, duke filluar nga Presidenti i Republikës. Këtë drejtim është detyra e presidentit të respektojë këtë vendim, sepse presidenti është betuar për mbrojtjen e Kushtetutës”, u shpreh Meta.
VIDEO/KONFERENCA E PLOTË E PRESIDENTIT
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1248815215243598/
Letra e plotë e Presidentit Meta drejtuar qeverisë për Marrëveshjen me Greqinë