Presidenti Meta në Rrëshen: Duhet të bëjmë çdo gjë për t’i mbajtur të rinjtë në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Rrëshen, ku u mikprit nga Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë Imzot Charles John Brown, autoritetet vendore e dhjetra qytetarë.
Presidenti Meta vizitoi Shkollën e Mesme Profesionale Jopublike “Shën Jozef Punëtor” dhe u takua përzemërsisht me nxënësit e mësuesit, duke theksuar rëndësinë e shkollimit e të përfitimit të dijeve, ruajtjes e pasurimit të vlerave dhe traditave më të mira të Mirditës, si dhe zhvilloi një takim me këshillin e mësuesve.
Kreu i Shtetit shqiptar, i shoqëruar nga Drejtori At Mikele Leovino vizitoi konviktin, palestrën dhe laboratorët mësimorë duke përshëndetur dhe takuar përzemërsisht nxënësit dhe mësuesit e shkollës ‘Shën Jozef Punëtor’.
Në fjalën e Tij me të këtë rast, Presidenti Meta, pasi u shprehu falënderimet për mikpritjen, theksoi mes të tjerash: “Jam vërtet shumë i lumtur që ndodhem sot në këtë shkollë profesionale model ‘Shën Jozefi Punëtor’, sepse është një rast shumë i mirë për t’u takuar me të rinjtë e të rejat që studiojnë në këtë shkollë dhe me mësuesit e përkushtuar të tyre.
Kënaqësi e veçantë të shoh një strukturë arsimore model me ambiente, me laboratorë të specializuar ku të rinjtë mësojnë se si të vënë në praktikë dijet e tyre.
Zhvillimi i një procesi mësimor me cilësi të lartë kërkon domosdoshmërisht kushte dhe infrastrukturë të standardeve europiane, dhe unë këto i shoh të realizuara në këtë shkollë ndaj një falënderim të përzemërt për Kishën Katolike, që ka investuar qysh prej vitit 2004 në fushën e arsimit profesional, veçanërisht me ndërtimin e kësaj shkolle: ‘Shën Jozefi Punëtor’. Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë edhe etërit Somaskë që merren me përkushtim me administrimin e kësaj strukture arsimore”.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka arsimi për formimin e profesionistëve të rinj. “Arsimi profesional është tepër i rëndësishëm dhe zhvillimi dhe shtrirja e tij duhet të jetë përparësi reale në të gjithë vendin. Investimi në fushën e arsimit profesional merr një rëndësi shumë të madhe, sepse nëpërmjet tij ne u mundësojmë të rinjve të integrohen sa më shpejt në tregun e punës.
Veçanërisht të rinjtë e zonave më të thella, nëpërmjet këtij formimit profesional, aftësohen gjithashtu jo vetëm për t’u futur në tregun e punës, por aftësohen edhe për të vënë në punë resurset më të mira të zonave dhe të rajoneve ku ata jetojnë, që sot duken si të braktisura, por që jam i sigurt se në saje të këtyre dijeve e aftësive do të mund të ribëhen shumë shpejt qendra aktraktive, sidomos për turistët e huaj ashtu sikurse ka ndodhur me Valbonën, Thethin, Currajn, Vermoshin apo me shumë rajone të tjera të Shqipërisë.
Aq më tepër që Mirdita është e njohur për historinë e saj të jashtëzakonshme në të gjitha kohët, për qëndresën e saj, për pasuritë e pafundme etno-kulturore, por njëkohësisht edhe për mundësitë e shkëlqyera për zhvillimin e turizmit dhe të agro-turizmit”,– tha Presidenti Meta.
Kreu i shtetit u ndal dhe në rolin e pushtetit vendor për nxitjen e arsimit profesiona;. “Pushteti vendor jam i sigurt se duke bashkëpunuar edhe më mirë me shkolla të tilla si kjo e juaja, por edhe me sipërmarrjen, edhe me qeverinë, do të mundet t’u kontribuojë gjallërimit të atyre projekteve, të cilat mundësojnë edhe integrimin tuaj në tregun e punës. Vendi ynë ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillim në fushën e turizmit, agroturizmit apo shërbimeve”.
Në fjalën e tij, Presidenti u ndal dhe në rolin që ka nxitja e turizmit dhe degëve të ekonomisë që mundësojnë zhivllimin e zonave si Rrësheni.
“Nxitja dhe orientimi i të rinjve drejt këtyre degëve të ekonomisë duhet të jetë një prioritet i të gjitha strukturave shtetërore, sipërmarrjes dhe shoqërisë civile.
Shkolla juaj në Mirditë dhe Shkolla ‘Peter Maiger’ në Shkodër janë dy modele që duhet të rrezatojnë dhe të jenë prezentë në të gjithë vendin.
Përgatitja e tyre profesionale dhe futja në tregun e punës sjell fuqizimin ekonomik jo vetëm të të rinjve dhe rrit personalitetin e tyre, por edhe kontribuon për të rritur të ardhurat e familjes, mirëqenien dhe për të krijuar me guxim familje të reja, për të cilat kemi aq shumë nevojë. E mbi të gjitha për të frenuar largimin e të rinjve nga Mirdita e nga vendi.
Lidhja e shkollave profesionale me sipërmarrjen është e domosdoshme dhe duhet ta nxisim akoma edhe më tej, pasi përfitimi është dyanshëm. Është e rëndësishme që ky bashkëpunim të kthehet në një normë pune dhe të mos mbetet i rastësishëm.
Kjo do të sillte jo vetëm një planifikim më të mirë nga ana e shkollës në hapjen e kurseve të reja, që do t’i shërbenin sipërmarrjes, por do të sillte rritje të punësimit të të rinjve e të rejave, që mbetet një sfidë e vazhdueshme për ne. Shqipëria është një vend, me potenciale të rëndësishme dhe pasuri e bukuri të jashtëzakonshme. Por vendi zhvillohet dhe begatohet jo thjesht nga dhuratat që na i ka falur Zoti, por në radhë të parë nga ndërgjegjësimi ynë për të rritur kapacitetet njerëzore dhe profesionale, për të krijuar një fuqi të kualifikuar dhe konkurruese jo vetëm për tregun lokal dhe kombëtar, por edhe për atë ndërkombëtar. Dhe këtu roli kryesor i mbetet arsimit profesional dhe të gjithë neve për t’i dhënë mbështetjen më të fortë këtij arsimi”,– deklaroi Presidenti Meta.
Kreu i shtetit shprehu vlerësime të veçanata për rolin e Kishës Katolike në edukimin e të rinjëve.
“Dhe së fundmi duke falënderuar edhe njëherë Kishën Katolike dhe Dioqezën tuaj për gjithçka që kanë bërë për mbarëvajtjen e kësaj shkolle dhe edukimin e këtyre të rinjve, dua t’ju kujtoj një porosi të Papa Françeskut në shtatorin e vitit të kaluar, gjatë audiencës që pata si President të Shqipërisë, kur më tha dhe nuk harroj kurrë: ‘Aq shumë të rinj sa pashë dhe përshëndeta në Tiranë gjatë vizitës para disa vitesh. Kujdesuni që t’i shpëtoni dimrit demografik të Europës! Duhet të bëni çdo gjë për t’i ruajtur të rinjtë në vendin tuaj, sepse ata pasuria më e madhe e atij vendi!’
Besoj se ky është mesazhi më i mirë duke mbështetur këtë model të shkëlqyer që paraqet edhe shkolla juaj këtu në Mirditë, ne i japim mbështetjen më të madhe e më të mirë të rinjve, për të gjetur të sigurt të ardhmen e tyre në vendin tonë. Suksese dhe mbarësi të gjithë juve dhe jam i sigurtë që ky nuk është takimi ynë i fundit! Përgëzime për të gjithë ata që kanë investuar për të krijuar këtë strukturë model!”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.