Presidenti Meta: Nga një demokraci parlamentare kemi kaluar në një liderizëm arbitrar

Presidenti Ilir Meta deklaron se kriza e sotme politike i ka rrënjët që në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Në një intervistë dhënë gazetarit Lufti Dervishi në TVSH, Meta u shpreh se nga të dyja palët ka pasur nxitim për të përshkallëzuar krizën

“Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme e burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para 2 viteve. Kriza aktuale kushtetuese dhe e thellë. Nuk është një zhvillim i ri në Shqipëri mungesa e dialogut midis mazhorancës dhe opozitës. Mungesa e gjykatës kushtetuese funksionale dhe paraliza në tërësi e sistemit gjyqësor do të shohim se kriza është më e thellë, fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Aty mund të gjejmë rrënjët e kësaj krize në tërësinë e saj që është ashpërsuar në këto dy vite dhe sidomos në dy muajt e fundit pas këtij akti të opozitës. Ka patur një nxitim nga të dyja palët për të përshkallëzuar krizën”,- deklaroi Presidenti Meta.

Kreu i shtetit shtoi se këto vite, vendi ka bërë hapa pas në lidhje me parimet bazë të demokracisë. “Kemi bërë hapa prapa sa i takon demokracisë parlamentare dhe kemi bërë hapa para drejt një liderizmi arbitrar. Pa ndryshuar sistemin zgjedhor është e vështirë të ndryshosh liderët. Mos harrojmë që jemi një vend që kemi një trashëgimi autoritare dhe për shkak të këtij graviteti çdo hapësirë që mund t’i lihet liderit e çon atë drejt autoritarizmit. Kjo gjendje duhet të marrë fund. JEmi në kohë për të mos shkuar drejt një konfrontimi që do të ishte i pafalshëm për të gjithë. Nuk duhet të rrezikojmë arritjet e vendit nga viti 1997 dhe në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në një normalitet kushtetues”,- deklaroi Presidenti.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë lidhur me votimin e sotëm të Parlamentit Holandez, i cili votoi për rikthimin e vizave për Shqipërinë. Një emisionin ‘Përballë’ të gazetarit Lutfi Dervishi, Meta tha se duhet të bëjmë çmos që kjo që ka ndodhur sot të mos kthehet në efekt domino edhe për vendet e tjera, me qëllim që këto vende të mos kthejnë regjimin e vizave me Shqipërinë.
“Nuk do të doja ta nisja si me krizën dhe me lajmin që na vjen nga Holanda. Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë, sepse në dijeninë time nuk ka ndodhur më parë që të ketë një mocion të tillë për Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë. Sigurisht është një kambanë alarmi dhe ne na duhet të japim mesazhe më të forta për krimin e organizuar që nuk është një shqëtësim jo vetëm për Holandën por edhe me vende të tjerë, siç mund të jetë Britania e Madhe.
Së dyti duhet të punojmë sa me ngushtë me Komisionin Europian që të mos keni më një situatë që mund të krijonte një perceptim negativ për Shqipërinë. Kjo na tregon që janë disa arritje që mund të jenë të cënueshme për vendin tonë. Kjo kërkon një reflektim dhe angazhim të fortë. I pyetur nëse ky votim i parlamentit holandez a rrezikon përballë një efekti zinxhi, Meta nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.
“Përderisa kjo ndodhi në Holandë, kjo nuk përjashtohet të ndodhë edhe në një vend tjetër, E rëndësishme është të reagojmë në mënyrë të përgjegjshme edhe ndaj qytetarëve tanë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, tha Meta.

SHKARKO APP