Presidenti për përgjimet e “Bild”: Prokuroria të hetojë dosjen, jo të kërcënojë mediat
Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për publikimin e përgjimeve ku flitet për manipulim të zgjedhjeve nga gazeta gjermane “Bild”.
Presidenti i bën thirrje prokurorisë që të hetojë pa vonesa dosjen në fjalës, si dhe thekson faktin se organi i akuzues nuk duhet të nxjerrë urdhra që pengojnë punën e medias në raportimin e fakteve.
REAGIM I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ILIR META
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.
Presidenti i Republikës gjithashtu është njohur edhe me reagimin e organit të Prokurorisë ndaj publikimit të këtyre interceptimeve, që nëpërmjet një urdhërese kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media.
Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se:
Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim. Neni 22 i saj sanksionon qartë se :
1.Liria e shprehjes është e garantuar.
2.Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.
Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar.
Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur.
Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe cdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm.
Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale.
Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë.