Maqedoni/Presidenti Ilir Meta, Presidentit Ivanov: Miratoni gjuhën shqipe !

Presidenti shqiptar Meta ndodhet në një vizitë dy ditore në shtetin fqinjë, Maqedoni.
Presidenti i Republikës në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u prit sot nga homologu i tij, Presidenti Gjorge Ivanov. Pas interpretimit të himneve të të dy shteteve dhe nderimeve ushtarake të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

“E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimin i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal – u shpreh Presidenti Meta.

Në foto: Dy presidentët sot në Shkup

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi frymën dhe vizionin e përbashkët euroatlantik që i karakterizon ato dhe duke përshëndetur zhvillimet dhe angazhimet e marra nga Qeveria e re e Maqedonisë, për përmirësimin e klimës dhe harmonisë ndëretnike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, vlerësoi hapat konkrete në drejtim të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Presidenti Meta i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të orientuar qartë drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa pakicën kombëtare maqedonase në Shqipëri, si urë lidhëse të fuqishme miqësie. Presidenti Meta shprehu besimin se ligji i ri për pakicat kombëtare në Shqipëri do të krijojë hapësirën e duhur për ruajtjen e identitetit të saj sipas standardeve më të mira evropiane.

Duke perifrazuar Nënë Terezën e cila i bashkon të dy vendet, Presidenti Meta theksoi se shprehja e saj: “nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk mbetet më kohë për t’i dashur ata”; i shërben si njerëzve ashtu edhe fqinjëve.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu besimin se, mbledhja e ardhshme e dy Qeverive në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit.

“Ballkani, i cili ka prodhuar shumë histori e retorikë konfliktuale në të shkuarën, sot ka më shumë nevojë për bashkëpunim konkret dhe jo retorikë bashkëpunuese”, – theksoi Presidenti Meta.

Në foto: Presidenti Meta në Shkup me Presidentin maqedonas Ivanov

Presidenti Meta e siguroi edhe njëherë Presidentin Ivanov për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe rëndësinë që ka për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.

Presidenti i Republikës u takua sot edhe me Kryetarin e Asamblesë, zotin Talat Xhaferi. Presidenti Meta e uroi edhe njëherë zotin Xhaferi për marrjen e detyrës së Kryetarit të Asamblesë dhe theksoi se ndjehet krenar që për herë të parë një përfaqësues i spikatur i shqiptarëve të Maqedonisë është në krye të Parlamentit, si dhe nënvizoi se kjo është edhe një përgjegjësi e madhe. Presidenti Meta inkurajoi Kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribuues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO. Në këtë kuadër, Presidenti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Në foto: Presidenti Meta duke u pritur nga kryetari i parlamentit maqedonas Talat Xhaferi

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi momentin e rëndësishëm, ku ndodhet Maqedonia dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO. Pas takimit me kryetarin e parlamentit maqedonas Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua sot edhe me Kryeministrin e Maqedonisë, zotin Zoran Zaev.

Presidenti Meta e uroi Kryeministrin Zaev për rezultatet pozitive të dy proceseve zgjedhore në Maqedoni, si dhe përshëndeti angazhimet konkrete të Qeverisë së re për përmirësimin e klimës dhe marrëdhënieve ndër-etnike, por edhe të krijimit të një marrëdhënie sa më pozitive me vendet fqinje. Marrëdhëniet e mira ndër-etnike në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit, u shpreh Presidenti Meta. Edhe në takimin me Kryeministrin Zaev, Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë ekzistenciale dhe vendimtare për të ardhmen euroatlantike të të dy vendeve. Së bashku mund t’i rezistojmë e të përballojmë me sukses të gjitha sfidat e globalizmit me të cilat përballet rajoni ynë – u shpreh Presidenti Meta. Presidenti Meta shprehu besimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE gjatë vitit 2018, si dhe e siguroi Kryeministrin Zaev mbi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.

Në foto: Presidenti Meta me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev sot në Shkup

Presidenti Meta dhe Kryeministri Zaev ndanë të njëjtin mendim lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe përmirësimin e lidhjeve energjetike dhe infrastrukturore, ku padyshim zbatimi i projekteve të përbashkëta në kuadrin e Korridorit 8 është shumë i rëndësishëm. Në këtë kuadër Presidenti Meta theksoi se me investime jo të jashtëzakonshme mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme. Ata shprehën besimin se në takimin e ardhshëm mes dy Qeverive, në Pogradec, do adresohen të gjitha këto çështje që lidhen me nxitjen dhe zhvillimin e gjithëanshëm mes dy vendeve.

Një darkë miqësore mund të quhet ajo e Presidentit të Maqedonisë George Ivanov me hologun shqiptar Ilir Meta, që po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin fqinj. Sikundër mësohet, Ivanov nuk ka nguruar të ngrejë një dolli në shqip për homologun,  Ilir Meta.  Presidenti  shqiptar gjithashtu ia ka kthyer me një batutë dollisë së Ivanov, teksa është shprehur se jam nga vendi i dollive, ndaj do e ngre një të tillë.

Sikundër mësohet gjatë darkës së dhënë në nder të Presidentit Meta, Kreu i Shtetit shqiptar ka deklaruar se as luftën dhe as konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin.

“Luftën e kemi me kohën e madhe që kemi humbur dhe konkurrencën e kemi me rajone të tjera që zhvillohen. E vetmja mënyrë që të fitojmë është të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin. Paqja fillon me një buzëqeshje ka thënë Nënë Tereza, duke i  buzëqeshur njëri-tjetrit do të çlirojmë më shumë energji pozitive”, është shprehur Meta.

Nesër Presidenti Ilir Meta do të vazhdojë vizitën e tij zyrtare në Maqedoni në takime me partitë shqiptare të Maqedonisë.

 

SHKARKO APP