Presidenti Meta: Respekt për punën e gazetarëve. Mesazh edhe për Ramën
Edhe pse kanë kaluar rreth dy javë nga shpërthimi i kryeministrit Edi Rama, të gjithë i mbajnë mend fjalët e kreut të qeverisë, i cili doli përpara gazetarëve për t’i sulmuar dhe akuzuar për punën e tyre të dobët në raport me të vërtetën.
Por këtë të enjte, teksa parlamenti vlonte në akuza dhe ironi se kush është “kastravec”, Presidenti i vendit Ilir Meta, ka dhënë një mesazh të hapur pro gazetarëve shqiptarë, e gjithashtu edhe kundër sjelljes së kryeministrit.
Kjo e enjte shënon Ditën Ndërkombëtare për Dhënien Fund Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, të cilën presidenti Meta e ka shfrytëzuar për të dhënë një mesazh indirekt në adresë të kryeministrit. Kreu i shtetit deklaroi se kur cënohet liria dhe integriteti i gazetarëve, atëherë padyshim që është prekur themeli i demokracisë.
“Dua të shpreh ndjeshmërinë më të madhe për integritetin tuaj profesional dhe ta respektojnë integritetin e gazetarëve, të mos intimidojë askush dhe për asnjë arsye këtë integritet profesional për shkak të profesionit tuaj dhe shërbimit tuaj ndaj të vërtetës, ndaj ngjarjeve dhe ndaj fakteve, pasi kur deformohet dhe cënohet liria dhe të drejtat e gazetarëve, padyshim që është cënuar dhe themeli i sistemit tonë demokratitk, dhe kjo është një njëshmëri për të cilën unë jam i bindur që e ka gjithë shoqëria jonë”,- deklaroi kreu i shtetit, Ilir Meta.
Nga ana tjetër, Meta i ka siguruar gazetarët shqiptarë në një pritje të mbajtur në ambientet e Presidencës, se në 5 vitet e drejtimit të tij, ai do të jetë përherë krahë-hapur për të drejtat e reporterëve. Ndryshe nga kryeministri Rama, që sulmoi krejt gazetarët, kreu i shtetit i lëshoi edhe një mesazh publik kryeministrit që të respektojë dhe të jetë i kujdesshëm me njerëzit e medias në terren.
Do të apeloja ndaj institucioneve shtetërore, që të veprojnë në mënyrë të mënjëhershme dhe shembullore kur ka akte dhune apo përpjekje të tilla për shkak të detyrës apo misionit tuaj. Do të jem këtu gjithmonë në mbështetje të misionit tuaj, për një solidaritet të veçantë do doja të shprehja sot për gazetarët e terrenit, për ata që raportojnë ngjarjet, faktet, në mënyrë të mënjëhershme, shpesh duke sakrifikuar e shpesh duke rrezikuar, gjithmonë në shërbim të lirisë, në shërbim të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik. Faleminderit që jeni këtu dhe jeni të mirëpritur gjatë 5 viteve të ardhshme”,-tha Presidenti Meta.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e Presidencës ishin të pranishëm gazetarë të medias televizive, të shkruar dhe asaj elektronike.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=6WWuvr4PqxQ” width=”560″ height=”315″]
http://www.kohajone.com/2017/10/25/video-fyerje-dhe-sherr-i-pazakonte-i-rames-me-gazetaret/