Presidenti Meta rrëzon ministren e Arsimit, nuk dekreton shkarkimin e rektorit Mynyr Koni

Presidenti Ilir Meta ka refuzuar sot kërkesën e Ministrisë së Arsimit për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Në arsyetimin e dekretit Presidenti Ilir Meta argumenton se janë të paktën 17 probleme ligjore për të cilat nuk mund të merret parasysh kërkesa e Ministrisë së Arsimit për shkarkimin rektorit të UT.

Dekreti i Presidentit Ilir Meta:

D E K R E T PËR  RRËZIMIN E PROPOZIMIT TË MINISTRIT TË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, Z. MYNYR KONI

Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, nenit 39, pika 8, 10 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, pasi shqyrtova propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019,

 Dekretoj;  Neni 1

Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Neni 2

Vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26.05.2016.

PËRMBLEDHJE E GJETJEVE DHE VLERËSIMEVE TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS NË ARSYETIMIN QË SHOQËRON DEKRETIN NR.11183, DATË 06.05.2018

PËR RRËZIMIN E PROPOZIMIT NR.4158/2 PROT., DATË 12.04.2019,  TË MINISTRIT TË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, Z.MYNYR KONI

Presidenti i Republikës, shqyrtoi propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nr. 4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019, nëpërmjet të cilës propozohet shkarkimi nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), zotit Mynyr Koni, për shkak të pretendimeve për shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.

Në shqyrtimin e këtij propozimi, Presidenti i Republikës, vlerësoi të gjithë dokumentacionin shoqërues të paraqitur nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), si dhe dëgjoi sqarimet përkatëse gjatë takimit me të.

Presidenti i Republikës, gjithashtu administroi dhe vlerësoi pretendimet me shkrim dhe dokumentacionin shoqërues të përcjellë zyrtarisht nga Rektori i Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni, si dhe dëgjoi të gjitha shpjegimet dhe sqarimet e tij të dhëna në një takim të realizuar me të.

Presidenti i Republikës kreu një vlerësim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të të gjithë kuadrit kushtetues, ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë në institucionet e arsimit të lartë jo vetëm duke iu referuar praktikës dokumentare të këtij propozimi, por dhe praktikës dokumentare të administruar në vijimësi mbi problematikat dhe situatat konfliktuale midis strukturave drejtuese akademike dhe administrative në Universitetin e Tiranës përgjatë viteve 2017-2019.

Presidenti i Republikës, vlerëson se, në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, pas shqyrtimit të çështjes, vëren se procesi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), ka patur ;

  • Shkelje procedurale dhe të afateve të përcaktuara;
  • Angazhim politik për t’i shërbyer një qëllimi të diktuar paraprakisht;
  • Diktim i qartë vullneti nga ana e ekzekutivit ;
  • Tejkalim të kompetencave nga grupet e punës të kontrollit të ngritura nga MASR;
  • Shkelje të mekanizmave dhe parimeve ligjorë e kushtetues;
  • Qasje subjektive dhe arbitrare;
  • Mungesë, apo neglizhencë të qëllimshme komunikimi ndërinstitucional;
  • Cenim të parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor;
  • Mospërputhje ligjore dhe kundërshtim flagrant me parashikimet kushtetuese;
  • Presion të hapur dhe publik, përtej frymës së ligjit, mbi Rektoratin e Universitetit të Tiranës;
  • Tjetërsim të qëndrimeve institucionale të pambështetura në prova dhe dispozita ligjore;
  • Keqpërdorim mediatik;
  • Desinformim të publikut;
  • Përpjekje të dukshme për të faturuar gjendjen e sistemit arsimor tek Rektorati i Universitetit të Tiranës;
  • Mungesë vullneti dhe adresimi tek organet e drejtësisë për zgjidhje të konflikteve;
  • Mungesë e një analize shteruese të problematikave;
  • Rrezikshmëri për cenimin e autonomisë të institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të lirisë akademike.

 Këto vërejtje bazohen dhe evidenton mbi këto raste: 

  • Grupi i punës, i ngritur me urdhrin nr.715, datë 25.10.2018, ka përmbyllur funksionet e tij në datën 04.12.2018 nëpërmjet raportit të hartuar drejtuar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Konstatohet se kjo detyrë është përmbushur përtej afatit të parashikuar në pikën 2 të urdhrit të ministrit, i cili ishte data 11.11.2018. 

Nga praktika e administruar, konstatohet se Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me shkresën nr.11215/1 prot., datë 07.12.2018, ka bërë vetëm përcjelljen e këtij raporti pranë Universitetit të Tiranës, pa shprehur qëndrimin e tij. Qëndrimi i Ministrit të Arsimit, ishte i nevojshëm dhe i detyrueshëm, pasi ai është autoriteti epror i grupit të punës, ndaj gjetjeve dhe konstatimeve të të cilit Rektori i Universitetit të Tiranës kishte paraqitur në vijimësi pretendime dhe kundërshtime përgjatë gjithë periudhës qoftë gjatë periudhës kontrolluese fillestare, ashtu dhe të verifikimit të plotësimit të rekomandimeve.

Presidenti i Republikës, konstaton se të dy raportet e grupit të punës si raporti nr.8359/1 prot., datë 31.07.2018, ashtu edhe raporti i datës 04.12.2018, nuk reflektojnë asnjë qëndrim të shprehur të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e për më tepër këto akte nuk përmbajnë as nënshkrimin e këtij autoriteti (Ministrit).

  • Ndryshim tërësor qëndrimi të mbajtur nga ish-Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë në muajin dhjetor 2018, dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në muajin prill 2019, e cila ndërmori një tjetër angazhim për të rivlerësuar edhe një herë qëndrimin mbi plotësimin e rekomandimeve të lëna nga grupi i punës në raportin e datës 31.07.2018 dhe konstatimeve në raportin e datës 04.12.2018.

Konkretisht, i njëjti grup pune i përcaktuar me urdhrin nr.715, datë 25.10.2018 “Për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve sipas raportit nr.8359 prot., datë 31.07.2018 në Universitetin e Tiranës” dhe që kishte hartuar një herë raportin e datës 04.12.2018, riaktivizohet sërish, duke hartuar tashmë një  relacion me emërtimin “Mbi shkeljet e konstatuara në UT gjatë ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, bazuar në raportet dhe rekomandimet e grupit të punës që ka ushtruar kontrolle në këtë institucion”.

Konstatohet se riaktivizimi i grupi të punës dhe veprimtaria e tij është përtej afateve, procedurave dhe objektit në shkelje të urdhrit të ministrit nr.715, datë 25.10.2018. Sipas akteve të administruara, nuk rezulton asnjë urdhër tjetër i ministrit që të riaktivizonte këtë grup pune me qëllim rivlerësimin e çështjes.

Sa më sipër, konstatohet se ky proces pune, i përfunduar në muajin dhjetor 2018, tashmë rifillon edhe një herë në muajin prill 2019, por këtë herë, pa ndonjë akt të Ministrit të Arsimit, që të urdhëronte realizimin e një detyre të tillë.

Kësisoj provohet qartë se, riaktivizimi vetiu i grupit të punës që e kishte përmbyllur funksionin e tij, prej më se 4 muajve, tregon se ky grup pune ka vepruar përtej kompetencave të tij, jashtë afatit të përcaktuar të veprimtarisë dhe i diktuar nga autoriteti i Ministrit të Arsimit për arritjen e një qëllimi të caktuar që do të finalizohej me propozimin për shkarkim të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni.

Kjo qasje subjektive dhe arbitrare provohet edhe nga fakti se ky relacion i ri, i hartuar vetiu dhe pa ndonjë kërkesë zyrtare të ministrit, që në titull dhe në përmbajtjen e tij, nuk trajton evidentimin e përgjegjësisë për gjithë organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, por vetëm përgjegjësitë në adresë të Rektorit të Universitetit të Tiranës, si organi i vetëm drejtues që sipas tyre ka shfaqur problematikë.

 Kushtetutë-bërësi i ka dhënë Presidentit të Republikës kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë me propozim të Ministrit të Arsimit, pikërisht për të garantuar zbatimin e parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllim shmangien e ndikimit të ekzekutivit në këto institucione, në mënyrë që, të garantohet sa më mirë qoftë autonomia dhe liria akademike në institucionet e arsimit të lartë, por dhe neutraliteti politik i tyre.

Presidenti i Republikës evidenton se Ministri i Arsimit, në ndërmarrjen e këtij propozimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është konsultuar apo nuk ka komunikuar paraprakisht me Presidentin e Republikës. Konsultimi dhe diskutimi paraprak mbi këto propozime nuk është një detyrim i shprehur në ligjin nr.80/2015, por Presidenti i Republikës vlerëson se në këto çështje me rëndësi të lartë shtetërore dhe publike, autoritetet kushtetuese, që në rastin konkret janë Ministri i Arsimit dhe Presidenti, përgjatë ushtrimit të kompetencave të tyre, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që ndërmarrja e nismave të kësaj natyre të jetë në përputhje me kriteret ligjore, në kohën e duhur dhe në funksion të përmirësimit të funksionimit të institucioneve të arsimit të larë dhe garantimit të pavarësisë së tyre akademike.

  • Presidenti i Republikës, vlerëson se përpara propozimit për shkarkim, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duhej të kishte realizuar një takim paraprak me Rektorin e Universitetit të Tiranës, me qëllim që të kishte dëgjuar pretendimet apo sqarimet e tij, përpara vendimmarrjes ekstreme të propozimit për shkarkimin e tij. Nga të dhënat dhe shpjegimet e dhëna në takimin e realizuar me Ministrin e Arsimit, por dhe me Rektorin e Universitetit të Tiranës, rezulton se ndërmjet Ministrit të Arsimit dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është realizuar asnjë takim, por ka pasur vetëm një komunikim telefonik të datës 13 prill 2019, disa minuta më parë se Ministri i Arsimit, të bënte publik vendimmarrjen e tij për pezullimin e rektorit dhe propozimin e shkarkimit të tij.
  • Ministri i Arsimit, ka nënshkruar urdhrin e pezullimit dhe propozimin për shkarkim në datë 12 prill 2019 dhe, për të bërë ditur publikisht këtë vendimmarrje të tij, Ministri i Arsimit më datë 13.04.2019, ditë e shtunë, ka mbajtur një deklaratë për mediat, ndërkohë që, propozimi shkresor zyrtar nuk ishte paraqitur përpara autoritetit të Presidentit të Republikës, pasi ky propozim është dorëzuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, ditën e hënë, më 15 prill 2019, administruar me nr.1169 prot., datë 15.04.2019. Ndërkohë, që edhe vetë Rektoratit të Universitetit të Tiranës, që do të duhej të zbatonte urdhrin nr.223, datë 12.04.2019 të MASR-së, “Për pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës”, praktika zyrtare i është përcjellë me shkresë nr.4158/3, prot., datë 15.04.2019.

Pikërisht kjo ka sjellë si pasojë që Rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Mynyr Koni, të mos realizojë as të drejtën e tij për t’u njoftuar mbi aktet administrative, në ngarkim të tij, duke cenuar kështu edhe parimin kushtetues për një proces të rregullt ligjor.

E drejta e individit për një proces të rregullt ligjor është një e drejtë kushtetuese dhe përfshin edhe atë me karakter disiplinor administrativ.

 Mospërputhje ligjore me urdhrin nr.223, datë 12.04.2019 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për pezullimin nga detyra të Rektorit të UT-së.

Në pikën 3 të këtij akti, Ministri i Arsimit ka urdhëruar: “Caktohet zoti Bernard Dosti me detyrë Zëvendës rektor në Universitetin e Tiranës që të zëvendësojë rektorin e pezulluar, deri në përfundimin e çështjes me vendim të formës së prerë”. 

Kjo vendimmarrje e Ministrit të Arsimit është në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parashikimet kushtetuese dhe me vetë ligjin nr.80/2015, i cili nuk parashikon asnjë të drejtë të Ministrit të Arsimit, që të komandojë apo të caktojë një Zëvendës rektor, që të ushtrojë në këtë rast kompetencat e rektorit.

Neni 39, pika 10 e ligjit nr.80/2015, parashikon se “Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.”

Pra kjo dispozitë nuk parashikon se cili është autoriteti që vendos mbi komandimin apo caktimin e një zëvendësuesi për të realizuar detyrat e rektorit kur ai pezullohet. Kjo mungesë e parashikimit në këtë nen të ligjit, nuk mund t’i japë të drejtë Ministrit të Arsimit, pra një funksionari politik që të komandojë në detyrën e rektorit një funksionar tjetër me një afat të pacaktuar.

  • Ka tjetërsim të pabazuar qëndrimi nga Ministri i Arsimit Konkretisht, në të dy aktet e para të kontrollit të datës 31.07.2018 dhe 04.12.2018, grupi punës evidenton se për plotësimin e rekomandimit nr.3, për vendosjen në gjendje pune të sistemit informatik të Universitetit të Tiranës kjo është një detyrë dhe përgjegjësi e Administratorit të UT-së.

Ky qëndrim është i njëjtë edhe në pjesën hyrëse (faqen 2) të raportit nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, por në mënyrë të pajustifikuar në faqen 5 të këtij dokumenti ku pasqyrohet se kush është përgjegjës për këtë çështje, Ministri i Arsimit dhe grupi i punës, ndryshojnë në mënyrë të papritur qëndrimin e tyre, duke bërë përgjegjës për këtë çështje Rektorin e Universitetit.

Ky tjetërsim i papritur i qëndrimit të Ministrit të Arsimit dhe grupit të punës, që vihet re lehtësisht, është i pambështetur në prova dhe në asnjë dispozitë ligjore. Ky tjetërsim i qëndrimit zyrtar, duke i ngarkuar rektorit Koni, një përgjegjësi të paqenë jo vetëm që është i pa drejtë, por është keqpërdorur edhe mediatikisht me qëllim që publikut të gjerë t’i përcillet një informacion i rremë, në mënyrë që e gjithë përgjegjësia e mosfunksionimit të sistemit informatik të Universitetit të Tiranës, publikisht t’i transferohet Rektorit të Universitetit të Tiranës.

 Në lidhje me Rekomandimin nr. 5, rezulton se Rektori ti UT-së ka qenë aktiv dhe ka treguar gatishmëri në përmbushjen e këtij rekomandimi të Ministrisë së Arsimit dhe pretendimi se Rektori nuk ka vepruar në këtë drejtim, nuk qëndron dhe është rrjedhojë e një vlerësimi jo të thelluar.

Për më tepër, konstatohet se referenca ligjore e nenit 102 të ligjit nr. 80/2015, e cituar në relacion dhe e pretenduar se është shkelur nga Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk përkon aspak me gjetjen konkrete, të trajtuar në këtë rekomandim.

  • Në lidhje me Rekomandimin nr. 6, konstatohet se referenca ligjore e nenit 102, të ligjit nr. 80/2015, e cituar në relacion dhe e pretenduar se është shkelur nga Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk përkon aspak me gjetjen konkrete, të trajtuar në këtë rekomandim.
  • Në lidhje me Rekomandimin nr. 11 dhe 12, rezulton se Rektori i Universitetit të Tiranës, në mënyrë të vazhdueshme ka mbajtur një qëndrim që nuk mund të zbatojë rekomandimet nr.11 dhe nr.12, pasi ato janë në kundërshtim me ligjin dhe kur pala tjetër, grupi i punës dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, kërkojnë me insistim që Rektori UT-së të nxjerrë akt administrativ për të konstatuar pavlefshmërisë absolute të disa akteve që njëra palë pretendon se janë nxjerrë në përputhje me ligjin, ndërsa pala tjetër pretendon se janë nxjerrë në kapërcim të ligjit,

Presidenti i Republikës, vlerëson se palët duhet t’i ishin drejtuar gjykatës kompetente për të zgjidhur këtë konflikt dhe nëse ende nuk e kanë bërë, ato mund t’i drejtohen aktualisht.

  • Neni 39, pika 10, i ligjit nr.80/2015, parashikon se: “në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, ……, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji.”.

Ligji nr.80/2015, nuk përcakton në asnjë dispozitë të tij, se cilat veprime apo mosveprime të organeve drejtuese konkretisht të Rektorit të Universitetit që përbëjnë “shkelje të rëndë” në kuptim të ligjit, mbi të cilat mund të ndërmerret nisma për të propozuar shkarkimin e tij.

Parashikimet e nenit 39 nuk qartësojnë për asnjë çast se cilat janë ato raste të shkeljeve të rënda, kush veprim do të konsiderohet i tillë dhe cili është ai mekanizëm konkret institucional, i pavarur politikisht, me të cilin ministri përgjegjës për arsimin, konsultohet, shqyrton dhe, në përfundim, vendos ndërmarrjen e nismës ekstreme për të propozuar tek Presidenti i Republikës shkarkimin e Rektorit të Universitetit, funksionar ky, që sipas Kushtetutës, emërohet nga Presidenti i Republikës, por që zgjidhet përmes votës nga asambletë e personelit akademik.

Pikërisht kjo paqartësi që paraqet neni 39, pika 10, i ligjit nr.80/2015, rezulton se ka krijuar edhe në këtë rast, terren të përshtatshëm që autoriteti politik i ministrit, bazuar në një dispozitë të veçuar të ligjit nr.80/2015 (neni 7, pika 2/e) të nxjerrë urdhrin nr.77, datë 16.02.2018 dhe urdhrin nr.715, datë 25.10.2018, duke krijuar një strukturë të posaçme “ad-hoc”, me përbërje tërësore nga punonjës të Ministrisë së Arsimit.

Në vijim, kjo strukturë e posaçme (ad-hoc), pas mbylljes dhe dërgimit të Raportit përfundimtar të datës 04.12.2018, rezulton se është shfrytëzuar sërish nga Ministri i Arsimit, për të hartuar një relacion drejtuar atij, me qëllim vlerësimin e nivelit të shkeljeve të pretenduara, në cilësinë e “shkeljes së rëndë”, për të ligjëruar kështu nismën dhe për të plotësuar, në fakt, atë që ligji nr.80/2015, nuk e parashikon shprehimisht. 

  • Për të realizuar një shqyrtim objektiv dhe të balancuar të rastit, duke krahasuar dhe vlerësuar pretendimet e të dy palëve, Presidenti i Republikës, i është referuar standardit më të lartë të vendosur nga Gjykata Kushtetuese në këtë drejtim.

Në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, kryesisht në vendimet e saj që kanë shqyrtuar çështje të procedurave të shkarkimit nga detyra të organeve të zgjedhur të pushtetit vendor (shiko vendimet nr.67/2016, nr.15/2011, 22/2008, 25/2000, 50/2000) është mbajtur qëndrimi se;

Shkarkimi i organeve të zgjedhura është një masë ekstreme e procedurave të kontrollit dhe ajo duhet të merret pas një vlerësimi të kujdesshëm të disa elementeve të zhvilluara në jurisprudencën e kësaj Gjykate, sipas së cilës kuptimi i saktë dhe i drejtë i konceptit “shkelje e rëndë e ligjit” vlerësohet në tërësinë e tij nga disa faktorë, të cilët kanë të bëjnë me rëndësinë e ligjit të shkelur, pasojat e ardhura nga shkelja e tij, kohëzgjatjen e këtyre pasojave si dhe vetë qëndrimin subjektiv që mban personi konkret ndaj shkeljes së kryer”.

Referuar këtij qëndrimi, të Gjykatës Kushtetuese, nga vlerësimi i të gjithë faktorëve në dispozicion, vlerësohet se në rastin konkret nuk ekzistojnë kushtet që të pranohet propozimi i Ministrit të Arsimit, për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, mbështetur në argumentin se ai ka kryer shkelje të rënda të ligjit, sipas nenit 39, pika 10 të ligjit nr.80/2015.

Përpos sa më sipër,  Presidenti i Republikës, e fton Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që të bëjë një analizë shteruese të problematikave që kanë lindur nga zbatimi i ligjit të ri nr.80/2015 “Për arsimin e lartë…”, dhe nëpërmjet Këshillit të Ministrave t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë, një nismë legjislative për plotësimin e gjithë hapësirave të ligjit, korrigjimin apo qartësimin e dispozitave të caktuara të tij.

Mbi situatën e miratimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” Konstatohet se të gjitha aktet nënligjore janë nxjerrë, përtej afatit 9-mujor ku disa prej tyre, janë miratuar me një kohë vonese në 28, 25, 19, 17, 16, 10 muaj, pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Kjo gjendje është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Këshillit të Ministrave, të cilët me pakujdesinë dhe neglizhencën e tyre, kanë sjellë për pasojë që dhe qëllimi i vetë ligjit nr.80/2015 të mos përmbushet në kohën e kërkuar.

Kjo ka sjellë jo vetëm shkelje të parashikimeve të vetë ligjit, por dhe një paqartësi në organizimin dhe funksionimin e strukturave akademike dhe administrative, duke krijuar terren për interpretime të ndryshme në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive nga strukturat drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, por dhe nga strukturat mbikëqyrëse, të cilët të gjithë kanë operuar në një terren pa një kuadër rregullues të fortë për zbatim.

Në këto kushte, Ministria e Arsimit, ka përgjegjësinë e saj të drejtpërdrejtë në mos-nxjerrjen në kohën e duhur të aktit nënligjor “Për strukturat e brendshme akademike dhe administrative në institucionet publike të arsimit të lartë”, gjë e cila ka ndikuar edhe në rastin konkret në zbatim të pa unifikuar të ligjit nga strukturat akademike dhe administrative, duke prodhuar konflikt midis tyre.

Pikërisht vonesa në nxjerrjen e këtij akti nënligjor nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e bën të papranueshëm edhe për këtë arsye propozimin e tij për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, mbi pretendimin se ka tejkaluar kompetencat në drejtim edhe të administrimit të Universitetit të Tiranës, kjo sepse situata e paqartë ligjore është krijuar nga mosveprimi i vetë propozuesit.

Mos nxjerrja e akteve nënligjore në kohë ka krijuar terren që në institucionet e arsimit të lartë, pra edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, të krijohen situata që prodhojnë konflikte midis strukturave akademike dhe administrative, si në rastin konkret që kanë prodhuar kallëzime penale në organin e Prokurorisë, padi gjyqësore në Gjykatën Administrative, dhe situata ndeshjeje të drejtpërdrejta me përplasje midis autoriteteve drejtuese akademike dhe administrative ku palët i janë referuar dhe e kanë interpretuar, një herë, drejtpërdrejt ligjin nr.80/2015 dhe, herë tjetër, aktet e vjetra nënligjore.

Këtë mundësi për të zbatuar aktet nënligjore të vjetra e jepte neni 142, pika 2 i ligjit nr. 80/2015, në të cilën parashikohej se, “Aktet nënligjore, të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien ndesh me të, do të zbatohen derisa nuk janë miratuar aktet e nënligjore të parashikuara në nenin 139 të këtij ligji”.

Në këtë situatë të rrëmujshme rregulluese, çdo pretendim se përgjegjës për shkeljet e ligjit nr.80/2015 apo akteve nënligjore është vetëm Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk është aspak objektiv.

Propozimi duket sikur kërkon ta faturojë gjithë përgjegjësinë për gjendjen e sistemit arsimor tek Rektori i Universitetit, gjë e cila nuk është e drejtë në situatën e krijuar.

  • Mbi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet Rektorit të UT-së, Bordit të Administrimit dhe Ministrisë së Arsimit, nga shqyrtimi i përmbajtjes së akteve, dërguar Bordit të Administrimit, por dhe nga intensiteti kohor i këtij komunikimi, provohet se Rektori i Universitetit të Tiranës, ka qenë aktiv dhe ka kërkuar gjithmonë mbështetje apo ndërhyrje nga Bordi i Administrimit.

Në këtë mënyrë pretendimi i Ministrisë së Arsimit, i deklaruar edhe në takimin me Presidentin e Republikës, se Bordi i Administrimit, ka përmbushur çdo kërkesë dhe Rektori nuk ka paraqitur çështje për trajtim, pranë tij, jo vetëm që nuk qëndron, por është një deklarim i rremë, përballë autoritetit më të lartë të shtetit, siç është Presidenti i Republikës.

Në lidhje me proceset penale dhe gjyqësore të filluara nga autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës, referuar akteve dhe informacionit të administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës, rezulton se Rektori i UT-së, ka paraqitur kallëzimin penal nr.1787 prot., datë 16.04.2018 pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim ndaj të gjithë anëtarëve të grupit të punës të ngritur me urdhrin nr.77, datë 16.02.2018 të Ministrit të Arsimit, i cili ka hartuar raportin dhe, më pas, relacionin ku është mbështetur pezullimi nga detyra e Rektorit të UT-së dhe propozohet shkarkimi i tij, çështje penale kjo ende në hetim.

Referuar këtyre të dhënave, është e pritshme që organi i Prokurorisë brenda afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, duhet të përfundojë hetimet apo verifikimet mbi kallëzimet e paraqitura, dhe të dalë me një vendim për të proceduar me dërgimin e çështjes në gjyq dhe vijimin e procedimit penal të personave të kallëzuar apo pushimin e akuzave për çështjet dhe faktet penale, për të cilat është parashtruar ky kallëzim.

Pikërisht rezultatet e hetimeve penale dhe të dhënat që mund të zbulohen nga këto procese, mund të ndikojnë në vënien në pah të provave apo rrethanave që mbështesin pretendimet qoftë të Rektorit të Universitetit të Tiranës apo të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Pikërisht kjo përbën një shkak tjetër që propozimi i Ministrit të Arsimit, për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, në situatën ligjore dhe faktike të parashtruar më sipër, nuk mund të pranohet. 

Presidenti i Republikës, vlerëson se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, pasi ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente.

Bazuar në këtë arsyetim, Presidenti i Republikës me Dekretin nr.11183, datë 06.05.2018, ka vendosur ; Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni  dhe vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni, sipas aktit të emërmit, Dekreti nr.9609, datë 26.05.2016 i Presidentit të Republikës.

 Për më shumë detaje mbi arsyetimin ligjor që shoqëron dekretin nr.11183, datë 06.05.2018 të Presidentit të Republikës, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të Institucionit: www.president.al

SHKARKO APP