Presidenti Meta: Shqipëria të ndërtojë një ekonomi larg burimeve kriminale
Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se Shqipëria duhet të ndërtojë një ekonomi që të jetë larg burimeve kriminale. Deklarata është bërë gjatë takimit të veçantë që zhvilloi me Ministrin e Brendshëm të Republikës Italiane, Marco Minniti.
Duke vlerësuar rolin e shtetit italiane në luftën kundër trafiqeve në Shqipëri, Meta ka theksuar se duhet që në këtë luftë të preken nivelet e larta të krimit.
Zyra e Shtypit e Presidencës njofton se Presidenti Ilir Meta dhe ministri Italian, “përshëndetën rezultatet konkrete dhe koordinimin efikas mes organeve ligj-zbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës dhe ndanë të njëjtin mendim se, në këtë luftë është shumë e rëndësishme që të mos ketë të paprekshëm dhe të goditen nivelet e larta të krimit. Presidenti Meta, vlerësoi rolin vendimtar të Italisë dhe të Antimafias italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe garantimin e një të ardhme më të sigurt në të dy brigjet e Adriatikut, si dhe theksoi se Shqipëria është sot në një moment shumë të rëndësishëm për ndërtimin e një ekonomie të shëndetshme e të qëndrueshme, larg burimeve kriminale”.
Duke vlerësuar partneritetin strategjik mes dy vendeve, Presidenti Meta, u ndal në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin e gjatë dhe intensiv për çështjet e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ministri i Brendshëm Minniti e konsideroi të rëndësishëm bashkëpunimin mes agjencive të të dy vendeve dhe shprehu angazhimin e tij për vijimin e mbështetjes italiane në forcimin e fuqisë goditëse kundra trafiqeve të drogave, si dhe të kapaciteteve investiguese.