Presidenti Meta takon kongresmenin Engel: Angazhim i pakursyer për çështjen shqiptare
Presidenti Ilir Meta në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit në Kongresin Amerikan nga kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.
Meta falënderoi kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Presidenti shprehu besimin se Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.
“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, u shpreh Presidenti Meta.
Kongresmeni Eliot Engel nga ana e tij e siguroi Metën për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.