Presidenti Meta takon pasardhësin e Vasil Laçit: Gjaku nuk bëhet ujë! Nderim për heronjtë që dhanë jetën për LIRINË!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka postuar një foto me të birin e Heroit të Popullit, Vasil Laçi. “Kënaqësi të takoja dje edhe Vasilin e ri, pasardhësin e Heroit tonë, Vasil Laçi, i cili mban me krenari emrin e Tij.
GJAKU NUK BËHET UJË!
Ndaj nderimi për Heronjtë që dhanë jetën për LIRINË mbetet i përjetshëm!”- shkruan Presidenti Meta në një postim në Facebook.

Një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Heroin e Popullit Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Atdhetarit antifashist, që me aktin e tij heroik dhe vetëflijues u tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë, se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, gjatë ceremonisë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Madhështia e vërtetë e gjestit të tij është se ai u mëson brezave edhe sot që një njeri i vetëm mund të kontribuojë për të dhënë një mesazh të madh dhe frymëzues. Se çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie.  Se një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli. Një shqiptar zemërluan tronditi një nga perandoritë më të mëdha të kohës. Vasil Laçi mbetet hero edhe i ditëve të sotme. Duke i kujtuar brezave se liria nuk dhurohet por fitohet. Se çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual por edhe kombëtar. Një popull që harron të kaluarën nuk e gjen dot rrugën për të ardhmen e tij për liri. Ndaj edhe ne duhet të edukojmë më shumë brezat e rinj mbi historinë e heronjve tanë që ata të mësojnë dhe kuptojnë se sa e shtrenjtë ka qenë dhe është liria që ne gëzojmë sot. Një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie”.

SHKARKO APP