Presidenti Meta: Të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shpërndarë mëngjesin e sotëm një mesazh, me anë të së cilit fton qytetarët të nderojnë flamurin tonë kombëtar dhe të qëndrojnë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë.
Bashkëngjitur mesazhit, kreu i shtetit ka shpërndarë një foto ndërsa mban në krah një vogëlushe të veshur me simbolin tonë kombëtar.
Të dashur bashkëatdhetarë kudo ku jeni!
Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre.
Sot e nisa këtë ditë të bekuar të kombit tonë duke vizituar familjet që kanë mbetur pa strehë në Sukth, ku takova edhe Amelian, e cila edhe pse ka dy ditë që jeton në çadër e në kushte të veshtira, sot kishte zgjedhur të vishej me ngjyrat e Flamurit Kombëtar.
Sa më shumë të bëjmë sot për këta fëmijë, aq më shumë ata do ta nderojnë Flamurin tonë Kombëtar dhe shtetin e tyre kur të rriten,- shkruan kreu i shtetit në mesazhin e tij në Facebook.