Presidenti Meta, vizitë në dioqezën e Kosovës

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot, në Prishtinë, selinë e dioqezës së Kosovës. Vizita e kreut të shtetit vjen pas vendimit të Papa Françeskut për të ngritur në nivel Ipeshkvie, Administraturën Apostolike të Kosovës.

Në një postim në facebook, kreu i shtetit është takuar me Ipeshkvin e Ipeshkvisë të Kosovës (Prizren-Prishtinë), Imzot Dodë Gjergji. “I lumtur të vizitoja sot Kishën Konkatedrale “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, për të ndarë urimet më të përzemërta për vendimin madhor të Papa Françeskut për të ngritur në nivel Ipeshkvie, Administraturën Apostolike të Kosovës. Përgëzimet më të ngrohta Ipeshkvit të Ipeshkvisë të Kosovës (Prizren-Prishtinë), Imzot Dodë Gjergji dhe mbarë popullit të Kosovës. Falënderime Papa Françeskut dhe Selisë së Shenjtë për përkujdesjen dhe vëmendjen e vazhdueshme e të veçantë ndaj kombit shqiptar”,- shkruan presidenti Ilir Meta.

Vizita e kreut të shtetit shqiptar është pasqyruar dhe nga media zyrtare e Vatikanit, “Radio Vatikani”. Në raportimin për këtë vizitë, “VaticanNews” shkruan;  “Posa u njoftua për vendimin e Papës Françesku për të ngritur Kishën katolike të Kosovës nga Adrministraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe për emërimin e ipeshkvit ordinar dioqezan në personin e imzot Dodë Gjergji, Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia Tij Ilir Meta shkoi në Prishtinë për të përshëndetur këtë vendim të Papës e Selisë së Shenjtë e për të uruar bariun shpirtëror të këtij komuniteti. Presidenti Shqipërisë, Ilir Meta gjatë takimit me ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergjin, vlerësoi lartë vëmendjen dhe kujdesit e Papës dhe Selisë së Shenjtë ndaj Kishës, shoqërisë e popullit shqiptar. Pas takimit me ipeshkvin imzot Dode Gjergji, Presidenti Meta vizitoi Katedralen e re kushtuar Shën Nënë Terezës në Prishtinë. Një Tempull që simbolizon përmasën transcendentale, na kujton vëllazërimin mes njerëzve, por ofron edhe një vlerë arkitektonike e artistike.

Kujtojmë se Delegati Apostolik për Kosovën, imzot Jean-marie Speich, më 24 majin e kaluar, gjatë vizitës së tij disa ditore, në ditën e festës së Zojës Ndihmëtare, në Katedralen e Prizrenit, solli dhe shpalli para popullit të Zotit ‘Bullën papnore‘ të themelimit të dioqezës së Prizren-Prishtinë dhe të emërimit të ipeshkvit ordinar të kësaj të dioqeze, në personin e imzot Dodë Gjergjit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është i vëmendshëm ndaj komuniteteve fetare, vlerëson kontributin që këto komunitete japin për të mirën e jetës shoqërore të vendit, e posaçërisht për marrëdhëniet e mira që krijojnë edhe me arenën ndërkombëtare, si urë lidhëse të vendit, në këtë rast, me Selinë e Shenjtë”.

SHKARKO APP