Presidenti Meta viziton Manastirin dhe përkulet para Nënë Terezës në Shkup
Presidenti i Republikës Ilir Meta, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoni, vizitoi qytetin e Manastirit, një nga qendra historike të shqiptarëve në këtë vend. Kreu i shtetit vizitoi Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir, si dhe u takua me qytetarë shqiptarë të Manastirit, që sot quhet nga maqedonasit Bitola.
Meta ka zgjedhur të mbyllë vizitën e tij dy ditore, në qytetin e Manastirit, ku është pritur mjaft ngrohtë nga shqiptarët e këtij qyteti. Presidenti Meta ka preferuar të dalë në këmbë në rrugët e qytetit ku është pritur nga mijëra shqiptarë. Fotot tregojnë moment nga takimi i kreut të shtetit banorët shqiptar të këtij qytetit që ka rëndësi të veçantë për historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Presidenti Ilir Meta është i pari kryetar i shtetit shqiptar që viziton në mënyrë zyrtare qytetin e Manastirit. Ai ka qenë në Muzeun e Kongresit të Alfabetit, si dhe ka marrë pjesë në konferencën shkencore të organizuar sot në Manastir për 109-Vjetorin e Alfabetit.
Vizita e kreut të shtetit në Manastir është pjesë e vizitës zyrtare në Maqedoni. Vizita e kreut të shtetit shqiptar ishte e jashtëzakonshme për shqiptarët e Maqedonisë.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni Presidenti i Republikës Ilir Meta nderoi kujtimin e Shenjtores Nënë Tereza duke vendosur një buqetë me lule te monumenti i saj në Shkup si dhe duke vizituar shtëpinë e lindjes së humanistes shqiptare me famë botërore.
“Krenarë për veprën e Nënë Terezës dhe trashëgiminë e shkëlqyer të saj në interes të humanizimit dhe njerëzimit”. Ky është mesazhi i kreu i shtetit shqiptar ka lënë në librin e mesazheve në banesën e shenjtores në Shkup.
FOTO/HOMAZHET E KREUT TË SHTETIT PËR NËNË TEREZËN
FOTO/VIZITA E PRESIDENTIT NË MANASTIR