Meta për “DW”: Zbatimi i drejtë vettingut do të rrisë besimin te drejtësia

Presidentit të Republikës, Ilir Meta, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në një intervistë për “DW” ka komentuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe reformat kryesore në Shqipëri. 

Intervistë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhënë për “DW”

Gazetari: Zoti President, ju erdhët në Gjermani menjëherë pas zgjedhjeve që u zhvilluan së fundmi për Parlamentin gjerman. Ishte kjo një rastësi apo e kishit parapërgatitur para pak kohësh?

Presidenti Meta: Natyrisht që vizita ka qenë e përgatitur dhe e fiksuar prej kohësh dhe natyrisht nuk mund të neglizhojmë dhe faktin që ndodh dy ditë pas zgjedhjeve të fundit interesante në Gjermani, por njëkohësisht tregon se asgjë nuk do të ndryshojë në partneritetin e shkëlqyer midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kjo vizitë ishte nga vizitat e para të planifikuara dhe me ftesë të Presidentit të Gjermanisë, dhe tregon se Shqipëria është në vëmendjen e vazhdueshme së bashku me rolin e saj në Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjens së politikës gjermane

Gazetari: Mund të na thoni disa nga temat që biseduat me Presidentin Steinmeier, nëse nuk përbën sekret?

Presidenti Meta: Mendoj se temat  kanë qenë mjaft të qarta dhe të përbashkëta për të dy vendet. Tema të cilat kanë të bëjmë me të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe me rëndësinë e suksesit të zbatimit të reformave me qëllim përshpejtimin e kësaj të ardhmeje dhe celjes së negociatave. Kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë përmes kontributit të përbashkët ku Shqipëria ka rolin e saj në një rajon gjithashtu me sfida dhe në mënyrë të vecantë me luftën kundër terrorizmit, kundër emigracionit të paligjshëm, kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe përmes kontributit që Shqipëria jep për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë përmes rritjes së vazhdueshme të bashkëpunimit rajonal. Natyrisht që shumë e rëndësishme është të vazhdojmë përpjekjet për të cuar përpara dhe për të zbatuar me sukses reformën në drejtësi, e cila është tepër e rëndësishme për të forcuar sundimin e ligjit, për të rritur sigurinë juridike për investitorët vendas dhe sidomos për ata të huaj, gjë për të cilën dhe vet Gjermania  është mjaft e interesuar drejtpërdrejtë.

Gazetari: Meqë ishim tek çështja e drejtësisë, e strukturimit të ligjit, e kështu me radhë. Natyrisht që ligjet për investitorët e huaj janë shumë të rëndësishëm, por një proces i cili po ndiqet me shumë vëmendje në Shqipëri dhe prej  të cilin varet dhe në një farë mënyre dhe progresi drejt integrimit, është dhe procesi i vettingut. A besoni ju se nga ky proces, drejtësia apo shoqëria shqiptare do të pësojnë një lloj rilindje?

Presidenti Meta: Unë jam i bindur që zbatimi i drejtë i procesit të vettingut do të sjellë një rritje të besimit të publikut tek institucionet e gjyqësorit dhe tek drejtësia në vend. Ky është një proces i cili sapo ka nisur dhe që gëzon të gjithë vëmendjen e institucioneve, por dhe të opinionit publik, dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të jetë një proces tërësisht i suksesshëm dhe besoj se do të jetë i tillë.

Gazetari: Ju e patë që në Gjermani fitoi një shumicë që nuk besohej votash Partia Alternative për Gjermaninë, e cila është një parti me qëndrime radikale dhe kjo parti natyrisht është ndër të tjera dhe kundër emigrantëve të huaj. Unë desha të kujtoja se kur ju bëtë betimin si President i vendit, keni thënë, ashtu sikurse 27 vite më parë isha pjesë e Lëvizjes Studentore, thirrja e së cilës ‘ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa’ mbetet akoma një projekt i pambaruar, unë besoj se papunësia, varfëria dhe emigracioni shqetësues i rinisë akoma mbeten armiqtë tanë të përbashkët dhe të vërtetë. Në këtë sfond, që jo patjetër vendet perëndimore janë mjaft të hapura për emigrantët sepse ata kanë frikën e tyre, cfarë mund të bëni ju si President që të ndalet rrjedhja e trurit nga Shqipëria sepse të gjitha këto forca natyrisht që i bëjnë mirë Gjermanisë ose Perëndimit, por i duhen dhe Shqipërisë.

Presidenti Meta: Kam qenë mjaft i lumtur të dëgjoja nga Presidenti i Gjermanisë, zoti Steinmeier fjalë dhe vlerësimet më të mira për komunitetin shqiptar që jeton në Gjermani dhe për nivelin e lartë në përgjithësi të integrimit të tij. Ashtu sikurse është e qartë se e ardhmja e të rinjve tanëështë në vendin tonë dhe ne duhet të krijojmë mundësi më të mira për ta për të patur besim se këtë të ardhme të cilën e kërkojnë në Gjermani apo ne vende të tjera më të zhvilluara vërtetë mund ta realizojnë, mund ta prekin në Shqipëri dhe kjo kërkon një forcim më të madh të besimit tek funksionimi i ligjit, i institucioneve dhe natyrisht që ambient më të mirë biznesi që krijon më shumë investime të reja në vend dhe krijon dhe vende pune më të mirëpaguara. Ndërkohë që, vëmendja jonë duhet të jetë vazhdimisht në rritjen e aftësive profesionale të të rinjve tanë në vendin tonë. Unë jam i bindur se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të rritur shpresën dhe besimin në të ardhmen evropiane të Shqipërisë në Shqipëri dhe për këtë kërkohet një përpjekje e përbashkët e të gjithë faktorëve dhe aktorëve vendas. Njëkohësisht dhe atë që ju përmendët, fitorja apo suksesi i paparashikuar i ADF-së në zgjedhjet e fundit tregon që do të na duhen edhe më shumë përpjekje, do të na duhet të demonstrojmë edhe më shumë  sukses, do të na duhet të jemi edhe më të besueshëm në reformat që bëjmë për të qenë anëtarë të barabartë në BE.

Gazetari: Zgjedhje u zhvilluan jo vetëm në Gjermani, por edhe para pak kohësh në Kosovë. Cili është mendimi juaj për qeverinë e re të Kosovës? A do të jetë kjo qeveri në gjendje që të plotësojë dy kushtet kryesore të fundit që kanë ngelur për liberalizimin e vizave, pra vija e demarkacionit me Malin e Zi, si dhe cështja e luftimit të korrupsionit?

Presidenti Meta:  Unë do të dëshiroja shumë që kjo qeveri të ishte në gjendje t’i plotësonte këto sfida dhe mbetet për të parë. Në radhë të parë për të gjithë temat më të mëdha me të cilat duhet të ndeshet qeveria, dhe jo vetëm qeveria, por Parlamenti i Kosovës dhe institucionet e saj për të lehtësuar rrugën e progresit të integrimit evropian dhe të zhvillimit të Kosovës, në radhë të parë qeveria duhet të tregojë vullnet dhe aftësi për të bashkëpunuar me opozitën sepse pa një bashkëpunim të tillë dhe pa një konsensus për cështjet më të rëndësishme sidomos ato që kanë të bëjnë me ecurinë e dialogut të mëtejshëm me Serbinë apo zgjidhja e cështjes së demarkacionit dhe njëkohësisht dhe liberalizimi i do të jetë i vështirë për cdo qeveri në Kosovë që të shënojë një progres substancial.

Gazetari: Kisha dhe një pyetje të fundit. Paraardhësi juaj e bllokoi ligjin për menaxhimin e mbeturinave. Mesa di unë ky ligj do të kalojë sërisht për diskutim, do ta kaloni ju këtë ligj?

Presidenti Meta: Natyrisht që lidhur me çështjen konkrete, do të kemi në konsideratë gjithë ecurinë e mëtejshme të procedurave parlamentare dhe në kohën e duhur sigurisht që nëse do të duhet mbajtur një qëndrim, do të mbahet në mënyrë tepër transparente dhe parimore dhe natyrisht vetëm institucionale.

Gazetari: Do ta kaloni apo do ta mendoni akoma?

Presidenti Meta: Nuk mund të paragjykoj atë që Parlamenti do të vendosë.

 

SHKARKO APP